Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Tani është koha të dëshmohemi  

Tani është koha të dëshmohemi

Duke marrë parasysh që armiqësitë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve janë shumë të hershme dhe mjaft të thella, nuk është i lehtë as pajtimi mes tyre. Pothuajse për tërë këtë armiqësi jo vetëm mes tyre, por në përgjithësi në të gjithë Europën Juglindore (dhe jo vetëm), substrat ka qenë mendësia nacionaliste. E gjithë marrëdhënia e këtyre popujve ka qenë e peshuar nga kjo mendësi dhe si rezultat i kësaj ka pasë shumë luftëra, e pak paqe. Tani të gjithë e dimë se si ka qenë e kaluara, mirëpo, pyetja themelore që sot shtrohet edhe si nevojë e kohës, është se a munden që popujt tanë pas gjithë atyre katrahurave nëpër të cilat kanë kaluar, të ndërtojnë një marrëdhënie të re? A jemi në gjendje që të heqim dorë nga nacionalizmi shovinist, nga kjo kolerë e kolerave siç e quante Stefan Zweig? Pse duhet mbështetur (siç kemi bërë në të kaluarën, por shpeshherë dhe tani) ato ide që na ndajnë, na armiqësojnë?

Duhet të kemi parasysh që pushteti është lufta e vërtetë dhe e vetme e shumëkujt. Për këtë ne nuk duhet të bëhemi pjesë e tyre, sepse një luftë e tillë që ka si synim pushtetin nuk do me thënë se do t’i hakmerret vetëm kundërshtarit, por shumë shpejt do të vërehet se ka qenë edhe kundër atyre që e mbështetën dikur. I kemi edhe sot këto plagë, i ndjejmë me tërë qenien, sepse na u rikthyen si një bumerang me tërë fuqinë e inercionit të historisë.

Prandaj, për këtë është e nevojshme që t’i përgjigjemi disa pyetjeve të cilat na rrinë varur mbi kokë, e që vijnë nga ditët e djeshme. Pra, a jemi sot të gatshëm, por edhe të aftë (qoftë politikisht, psikologjikisht dhe intelektualisht) që të shkëputemi nga e kaluara për të ndërtuar të tashmen. Sigurisht që këto pyetje, e shumë pyetje tjera janë pika fillestare nga e cila duhet të nisemi. Është e qartë se nuk mund t’i jepet përgjigje këtyre dhe shumë dilemave tjera me një të rënë lapsi, as nuk është i mjaftueshëm vetëm vullneti i mirë i njerëzve (gjithsesi i nevojshëm), por duhet që edhe nëpërmes politikës të kalohet në një nivel tjetër përfaqësimi e përafrimi. Po ashtu, është e qartë se përmes politikave dhe politikanëve aktualë, që për hesape të pushtetit nuk kanë asnjë problem që t’i rikthehen retorikës nacionaliste, është vështirë që të arrihet pajtimi. Atëherë, për të ndryshuar një retorikë e tillë duhet ndryshuar mendësia politike dhe kjo mund të bëhet edhe përmes votës, por edhe nëpërmjet formave të tjera shprehëse, gjithsesi edhe nëpërmes formacioneve të reja politike që për të ardhmen kanë një vizion që i tejkalon politikat aktuale.

Në këtë vazhdë ndryshimi, duhet marrë parasysh faktin se për herë të parë pas ’99-s, shoqëritë tona kanë votuar njerëz që nuk e kanë përjetuar luftën. Siç duket se këta të rinj janë të çliruar nga ngarkesat historike që mund t’i kenë parardhësit e tyre. Ata botën nuk e vrojtojnë më me thjerrëza të para ’99-s, por e përjetojnë një botë ku dinamikat globale janë po aq të rëndësishme sa ndërmarrjet lokale. Përveç që duhet afruar për shkak se kanë ndryshuar rrethanat, pra, bota ka hy në një cikël (terrorizmi dhe problemet e ndryshme globale) ku ndërvarshmëria është shumë e madhe, është edhe fakti se këto gjenerata të reja nuk duhet stagnuar për faktin se dje ishim armiq.

Sa më herët që i kuptojmë këto fakte aq më mirë do të jetë për të gjithë ne. Prandaj, përmes formave demokratike duhet që të përkrahen sa më shumë ato forca liberale që kanë si synim mirëqenien, cilësinë në arsim dhe shëndetësi, që synojnë një shtet ku liria e shprehjes dhe e drejta janë vlerat më të larta të saj. Këto grupe qoftë politike, kulturore, akademike etj., duhet që të kenë mbështetje më të madhe.

Është e vërtetë se shumë gjëra përcaktohen nga politika, por, po ashtu është e vërtetë se edhe nga format e ndryshme të aktivizmit qytetar mundet që shumë veprime politike të marrin kahjen e duhur. Sa për ilustrim; përderisa pas luftës së ’99-ës si në Kosovë ashtu edhe Serbi votuesit ishin pothuajse të gjithë mbështetës të atyre politikanëve dhe politikave që si retorikë kishin nacionalizmin, armiqësimin mes popujve, tani kjo është duke u përmbysur. Votuesit sot (sidomos votuesit e rinjë) dëshirojnë diçka tjetër, diçka që ata i përfaqëson dhe i bashkon, jo diçka që i mban në të kaluarën e errët. Prandaj, për këtë është shumë e nevojshme që kjo mendësi përgjithësisht në këtë rajon të nxitet dhe të ketë mbështetje, sepse duhet ta kemi parasysh që pajtimi politik është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Pra, duhet që të ketë pajtim në të gjithë sferën e përgjithshme dhe kjo bëhet nëpërmjet politikave dhe aktiviteteve që i hapin rrugë sa ma shumë bashkëpunimit të ndërsjellë.

Dikur Elie Wiesel, që i kishte shpëtuar Holokaustit, thoshte se: “Për të vdekurit dhe të gjallët ne duhet të dëshmojmë”. Andaj, sot, politikanët dhe qytetarët duhet të dëshmojmë se mund t’i tejkalojmë këto ndasi dhe të ecim përpara. Kjo ecje është e mundur vetëm atëherë kur kemi arritur që veten dhe tjetrin ta trajtojmë me sensin më të lartë të sinqeritetit njerëzor.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.