Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kur do të bëhet grevë për kushtet e punës në shkolla?

Ilustrimi: Big Eye

Se pagat e mësimdhënësve meritojnë të jenë shumë herë më të larta sesa janë aktualisht, nuk e vë në pikëpyetje. Njëkohësisht, kontributi i tyre historik në edukimin e brezave në kohë të vështira, është i pazakontë dhe duhet të njihet e të vlerësohet deri në zenit. Po ashtu, respekti për këtë profesion nuk bën të zhbëhet, ashtu siç është duke ndodhur kohët e fundit.

Pas këtyre sqarimeve të shkurta, le të nënvizojmë se edhe ky artikull assesi nuk paraqet asnjë tendencë për të kundërshtuar ndonjërën nga pohimet e mësipërme. Thjesht, qasja ime është që, në procesin e zhvillimit të edukimit në Kosovë dhe përfaqësimit të tij nga sindikatat, mësimdhënësit dhe (në veçanti) nxënësit, të jenë përfitues në versionin më të mirë të mundshëm, pa u dëmtuar asnjëra palë.

Më 16 gusht, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) paralajmëroi greva në institucionet e arsimit në Kosovë. Pakënaqësia e tyre vjen si pasojë e drojës nga moszbatimi i marrëveshjes së Kontratës Kolektive të Arsimit të Kosovës, të cilën e kanë arritur disa muaj më parë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kjo marrëveshje parasheh 3 paga suplementare, 3 paga pas pensionimit dhe pagesën e shujtës e të udhëtimit të mësimdhënësve. Pra, SBASHK-u po kërkon që marrëveshja të zbatohet duke filluar nga shtatori i këtij viti, ose në të kundërtën do të padisin komunat në gjykatë, do të organizojnë grevë, e kështu me radhë.

Natyrisht, marrëveshja është nënshkruar nga Ministria e Arsimit dhe si e tillë duhet medoemos të zbatohet. Në të kundërtën, kredibiliteti i institucioneve të Kosovës do të humbej dhe mosbesimi do të rritej. Kështu, marrëveshjet për tejkalimin e situatave të vështira do të ishin shumë më të vështira në të ardhmen.

Por, a është greva instrumenti  më i mirë për arritjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur? A vjen ky paralajmërim si një kërcënim në prag të zgjedhjeve lokale? A do të ishte më mirë që, SBASHK-u si një institucion apolitik, të gjejë një moment më të përshtatshëm për të ngritur çështje të tilla, kur dihet mirë situata tepër e brishtë politike në vend? Dhe, ajo që ka edhe më shumë rëndësi, çka synohet me këto greva? A janë ato në funksion të ngritjes së kualitetit të arsimit në Kosovë? A do të përmirësohet rezultati në PISA në këtë mënyrë?!

Siç tingëllojnë deklaratat e sindikatës, kërkesat primare të tyre kanë të bëjnë drejtpërdrejt me “fitimet dhe shpenzimet” e mësimdhënësve. Pra, kërkohen paga shtesë, shujta dhe pagesë e pjesshme e shpenzimeve të udhëtimit. Të gjitha këto, mësimdhënësit i meritojnë plotësisht. Por, ajo që është shqetësuese me këtë rast, është neglizhimi i deritashëm i kushteve të punës në shkollat e Kosovës. Thënë ndryshe, pse sindikatat nuk kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës në shkolla?

Si mund të flitet për mësimdhënie cilësore të shkencave natyrore në një shkollë ku ka mungesë totale të laboratorëve? Si mund të flitet për cilësi në mësimdhënien e shkencave sociale në një mjedis ku fëmijët nuk kanë parë kurrë me sy prezantim të mësimit duke përdorur projektorin? Dhe, si mund të ketë cilësi aty ku përballë një mësuesi qëndrojnë mbi 40 nxënës të ngujuar në një hapësirë të vogël?

Në këtë kontekst, vlen të theksohet se në gjithë botën janë të rralla rastet kur mësimdhënësit do të përdornin pagat e tyre (sado të larta) për të blerë projektorë, markera, instrumente laboratorësh e kështu me radhë. Pra, përsa i përket cilësisë së arsimit, kot përmirësohet situata financiare e mësuesve, në rast se paralelisht nuk përmirësohen edhe kushtet e punës për ta.

Pra, edhe njëherë shprehim përkrahjen pa rezervë për kërkesat e mësimdhënësve dhe SBASHK-ut, me kusht që këto kërkesa të ngriten në kohën më të përshtatshme të mundshme, në mënyrë që të mos marrin ngyrime politike. Njëkohësisht, rekomandojmë që kërkesave për përmirësimin e gjendjes financiare të mësimdhënësve t’u shtohen edhe kërkesat për kushte më të mira pune në shkollat e Kosovës. Kjo e dyta, për mendimin tim, do të duhej të ishte shumë më primare dhe do t’i kontribuonte ngritjes së cilësisë së mësimdhënies. Në këtë rast, nga procesi kualitativ mësimor do të përfitonin më së shumti nxënësit, gjë që do ta arsyetonte edhe pagën e mësimdhënësve. Në fund të ditës, vetë ekzistenca e shkollave ka për qëllim kryesor arsimimin sa më kualitativ të nxënësve, e jo pasurimin e mësuesve.

__________

Ky artikull është kontribut ndaj projektit USAID Transformational Leadership Program-Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të USAID TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës, gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.