Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ekzistenca si neveri

Ky vend përfundimisht dhe atë pa pikë turpi, ka rënë në duart e kafshëve politike. Nuk ka asnjë dallim mes asnjë subjekti politik. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë deri në eliminimin moral, pa përjashtim, të të gjithë kësaj skene ku prehen vagabondët, të pasjellshmit, debilët dhe idiotët politik. Muti është në modë. Budallallëku është stil. Neveria është ekzistencë. Dhe njerëzit normal, të mjerë. Nuk ka rrugë mbijetese pos rrugës së forcës. Rrugës së pandershme. Militantizmit ekstrem. Shërbimit ndaj një ideologjie të caktuar. Që të gjitha mizore. Që asgjësojnë njeriun normal dhe preokupimet e shëndosha. Dhuna prodhon dhunë. Grushti prodhon grusht. E gjithë skena politike është një fatkeqësi e dukshme. Që legjitimon shëmtinë. Të keqen dhe njeriun e ulët. E gjithë skena politike është një bishë që vepron sipas instinktit të kafshës. Pra në kopshtin zoologjik duhet të kesh egërsi të pashoqe, në mënyrë që t’ia dalësh. Fatkeqësisht si shoqëri kemi arritur në këtë pikë tragjike. Të veprosh sipas ligjit të xhunglës, në një republikë të re. Ku me vite është furnizuar pamëshirshëm e liga. Egërsia dhe injoranca. E gjithë skena politike legjitimon atë që është e ashpër. E ulët. Skandaloze. Pra ka dy lloje politikanësh të ligë. Ata që vuajnë nga dëshira për pushtet dhe ata që vuajnë nga dëshira për të mbetur në pushtet. Të dyjat tragjike. Të kontestuara moralisht. Pa standarde etike. Gjithmonë të gatshëm të arrijnë marrëveshje të ndyra në mes vete, nëse është në pyetje pushteti. Kjo gjë është dëshmuar dhe do të dëshmohet në vazhdimësi. Vështirë të ndryshohet ky avaz i përçudshëm. Personalisht sado që mundohem të jem në rregull nga trutë, më vjen turp që jetoj me ta. Më vjen turp që ndaj të njëjtën kohë me ta. Më vjen turp dhe qaj nga harbutëria e të gjithëve. Nga pafytyrësia e vulgariteti. Nga gatishmëria e tyre për të dekontaminuar shpirtin e ri njerëzor. Nga kafshëria e tyre. Zoti, i bekoftë kafshët. Do të thoshte Jack Micheline.

***

Pra ata që do ta vazhdojnë të ndihen keq padyshim janë sensitivët. Janë ata njerëz që emocionin ende e kanë si cilësi të pranueshme. Në një dimension pakëz më njerëzor, po ta gjykojmë hollë e hollë, del se republika jonë e ka përjashtuar emocionin. Të jesh emocional do të thotë të jesh i dobët. Duhet të kesh arsye, në mënyrë që të bësh keq. Ta arsyetosh të keqen. Ta fuqizosh dhe ta përkrahësh. Nëse nuk je i gatshëm të mendosh keq. Nëse nuk je i gatshëm të bësh keq. Ti duhet ta palosh. Nuk je i vyeshëm. Nuk je i duhuri. Emocionet janë për të dobëtit. Të shtypurit dhe zemërthyerit. Nuk mund ta votoj subjektin politik që përfaqëson një djalosh i dhunës, me pamje engjëllore, në një studio televizioni.

Nuk mund ta votoj subjektin politik të një burri të papjekur që fyen tjetrin, tjetrin e tjetrin, gratë dhe urrejtja i rrjedhë nga sytë. Nuk mund ta votoj subjektin politik të një të padituri, që ka zënë kolltukun. Nuk mund ta votoj subjektin politik të një intelektuali, që dijen e tij e përdorë në mënyrë të gabuar. Nuk mund ta votoj subjektin politik të asnjë akademie inatçore. Pra nuk mund ta votoj asnjë nga subjektet politike, asnjë nga kandidatët asambleistë apo çka dreqin janë. Nuk mund ta fyej veten. Vendin. Nuk mund ta fyejë demokracinë. Nuk mund ta fyej letërsinë. Prindërit e mi. Nuk mund ta fyej të kaluarën time. Nuk mund ta fyej babain tim të vdekur. Nuk mund ta fyej kohën e luftës gjatë së cilësh isha dymbëdhjetë vjeçar. Nuk mund ta fyej djalin tim. Dhe fëmijët e miqve të mi. Vota ime, nëse nuk keqpërdoret, do të jetë në kërkim të një modeli tjetër, do të jetë ende në erë. Në kërkim të një politikani normal. Në kërkim të diçkajes që për ne, është ende e panjohur. Zoti, e bekoftë të panjohurën, Do të thoshte Jack Micheline.

***

Dhe pikërisht për shkak të tyre, bota është një vend mizor, një vend i kalbur.  Zoti e bekoftë, atë që e tha Micheline.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.