Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Universiteti i Prishtinës – institucion i mësimit, jo studimit

Përfundimi i shkollës së mesme është udhëkryqi më i madh kur njeriu fillon të mendojë dhe të vendosë për të ardhmen profesionale. Gjatë kësaj rruge përballesh me shumë përplasje për atë se çka duhet të studiosh, sidomos në Kosovë. Personalisht, për mua ka qenë e vështirë të zgjedh se a duhet të studioj në shkencat natyrore, në shkencat që kam mësuar gjatë shkollimit të mesëm vetëm për shkak se dëshiroja të identifikohem si pjesë e një “elite”, e kështu t’i bëj krenarë prindërit, apo, në shkencat shoqërore, të cilat i kam ndjerë si një pjesë timen por që kanë qenë pothuajse të panjohura për mua.

Këtu, orientimi për aftësitë e nxënësit që në shkollën fillore është i pamundur për shkak të numrit të madh të nxënësve në klasë, ku si pasojë mësimdhënësi/ja e ka të vështirë të arrijë që të njohë çdo nxënës për aftësitë e tij ose të saj. Pengesë tjetër gjatë kësaj rruge është edhe përplasja e prindërve me fëmijët për studimet; të parët dëshirojnë një degë sa më të mirë për fëmijën e tyre e të dytët si rezultat i asaj që u tha më herët, nuk e kanë gjetur ende degën për të cilën kanë pasion.

Duke qenë se prindërit e gjeneratave të reja janë rritur në një sistem si ai i ish-Jugosllavisë, besimi në institucionet publike është i madh. Prandaj, “lufta” e nxënësit për të qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës është edhe më e madhe. Këtu nuk duhet harruar që kontribues i kësaj “lufte” është edhe niveli i dobët i universiteteve private në Kosovë.

Nga jashtë, ky universitet gëzon prestigjin e një universiteti ku çdo student i sapopranuar është i mbushur me lumturi, krenari dhe ambicie. Mirëpo, të gjithë këto emocione pozitive vazhdojnë të zbehen gjatë kohës së kaluar në këtë “institucion të dijes”. Parregullsia, pabarazia, mungesa e profesionalizmit nga pedagogët dhe burokracia e madhe e administratës janë disa nga indikatorët që e bën këtë institucion të tërheqshëm nga jashtë e mashtrues dhe i kapur nga brenda.

Duke qenë institucion i kapur, Universiteti i Prishtinës është bërë fole e mediokritetit. Vendi ku profesori me 26 gabime gramatikore në një paragraf të shkurtër, ligjëron për shkrimin dhe mendimin kritik. I njëjti, shfrytëzon kohën e ligjëratës që të indoktrinojë studentët me ideologji nacionaliste ndaj serbëve, sesi ata e kanë në gjenin e tyre të jenë gjeneratorë të konflikteve në Ballkan. Kështu, gjatë elaborimit të kësaj lënde gjithçka është e mundur të ligjërohet, vetëm shkrim dhe mendim kritik jo.

Në një tjetër fushë, në vend që në qendër të ligjëratave të jenë Noziku, Sandelli e Dworkin, të cilët njihen si kontribues kryesorë në fushën e teorive politike bashkëkohore, flitet për personazhe që vetëm lidhje me teoritë e lartëpërmendura nuk kanë. Po ashtu, ndodh që t’i gjesh në Wikipedia materialet 50 faqëshe të profesorit, profesorë të cilët kishin mbajtur poste të nivelit të lartë në qeverinë e kaluar. E të gjitha këto fatkeqësisht ndodhin për shkak të klaneve ekzistuese politike brenda universitetit, të cilat e kanë bërë UP-në të dirgjet gati në institucion të dështuar për transmetimin e dijes.

Gjatë kohës së studimeve në UP nuk mund të jesh vetëm student, je edhe pjesë e eksperimenteve që bën një grup i disa organizatave studentore të kapura nga pushteti së bashku me disa akademikë, nëse mund t’i quaj të tillë. E interesat personale të këtyre organizatave studentore dhe interferimet nga jashtë bëjnë që në korridore, një ditë para fillimit të kohës së provimeve t’i kuptosh datat e provimeve dhe se në sa provime ke të drejtë të hysh në një afat.

Pra, çka bën UP-ja gjatë gjithë kohës është një lloj afrimi me deduksion i studentit deri te mashtrimi, ku çdo ditë e më shumë viktima e këtij institucioni e kupton sesa i mungon kredibilieti këtij universiteti e që kualiteti është plotësisht inekzistent. Në UP, para së gjithash, po ashtu mësohesh të zgjedhësh të keqen më të vogël, si p. sh. të zgjedhësh një lëndë në mes një akademiku që ka botuar punime shkencore në revista të rrejshme dhe një akademiku që e quan veten dekan. Mirëpo, fatmirësisht ka edhe profesorë të cilët e meritojnë pagën nga taksa e qytetarit të Kosovës për punën që e bëjnë si profesorë në kuadër të univesitetit.

Prandaj, për të gjithë ju që destinacion të studimeve e keni UP-në, duhet që ta dini se të presësh nga UP-ja që të studiosh nuk mjafton, duhet të jesh një person autodidakt, të studiosh më shumë në mënyrë të pavarur. Në rast të mosngulfatjes së kreativitetit, duhet të lexosh e të studiosh jashtë mureve që një profesor i UP-së dëshiron, p.sh. për mënyrën sesi funksionon Bundestagu në Gjermani është më e vlefshme ta shikosh një video në youtube se katër ligjërata të një profesori në UP në lidhje me Bundestagun gjerman – ku për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve në universitet nuk e ke asnjë pamje vizuale në lidhje me temën).

Sot, materialet 50 faqëshe të UP-së, mund t’i zëvendësosh shumë lehtë me metoda më efektive për të studiuar në lidhje me atë se çka të nevojitet ty si individ dhe student, si ligjëratat e Harvardit në rrjetin youtube, kurset online, trajnimet dhe publikimet shkencore.

E gjithë kjo mënyrë e studimit ka bërë që në UP të gjenden dy lloj studentësh. Në njërën anë, janë studentët të cilët mësojnë (lexo: mësojnë) vetëm që të kualifikohen sa më mirë në provime, duke qëndruar brenda kornizave të mendimit të profesorit. E pastaj, në tregun e punës, gjenden në vështirësi për shkak se ato përkufizime e data historike, realisht nuk i nevojiten më dhe tregon performancë të dobët në punë. Në anën tjetër, janë studentët të cilët përdorin literaturë alternativë, mirëpo, guximi që të dalin jashtë përkufizimeve që profesori dëshiron dhe të thellohet në përgjigje, bën që të kualifikohet dobët në provim. Pra, çka pedagogët e UP-së duhet të kuptojnë është se koha e përshtatjes së mendimit të studentit me profesorin ka mbaruar.

Si rezultat i krejt kësaj, gjatë kohës në UP, është e domosdoshme të përdorësh mënyra të tjera të studimit, sepse po prite nga disa “akademikë” të cilët punojnë aty vetëm pse janë militantë të partive të ndryshme, do të dalësh me diturinë e njëjtë që ke hyrë: vetëm se me një letër më shumë në dorë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.