Dialogu social është proces me rëndësi për një sistem demokratik të qeverisjes. Në Kosovë, si term, por edhe në politikbërje, dialogu social nuk është shumë i njohur për publikun e gjerë. Kjo ndodh për shkak të një mungese të angazhimit, dhe transparencë minimale, nga institucioni nga i cili varet shumë dialogu social – Këshilli Ekonomik Social (KES).
KES,si mekanizëm që bën bashkë përfaqësuesit e punëdhënësve/eve, punëmarrësve/eve, dhe Qeverisë, ka për detyrë që të sigurojë gjithpërfshirje në dialog, duke ngritur vetëdijen mbi dialogun social dhe nxitjen e të gjithë shoqërisë të jetë pjesë në të, përfshirë këtu rininë.
Ligji për Këshillin Ekonomiko-Social, edhe pse ka 6 vite që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, ende nuk është duke u zbatuar në tërësi. Mungesa e ministrave në takime, mosraportimi për takimet publike, mos publikimi i raporteve të punës si dhe problemet me menaxhimin e buxhetit të Këshillit përbëjnë një pjesë të problemeve të implementimit të ligjit.
Një dialog social i suksesshëm do të ndikonte që të përpilohen politika ekonomike dhe sociale që do të rrisnin mirëqenien e qytetarëve/eve, mirëpo, në Kosovë nuk mund të thuhet se dialogu social ka pasur ndonjëherë ndonjë impakt, e le më madhor.
Dy temat kryesore me të cilat KES-i është marrë, pothuajse që nga themelimi dhe funksionimi, kanë qenë paga minimale, dhe kontratat e përgjithshme kolektive. Paga minimale nuk ka pësuar ndryshim që nga viti 2011 dhe kontrata e përgjitshme kolektive nuk ka gjetur zbatim ndonëse është nënshkruar në 2014-tën. Të dy këto tema janë përshkruar janë përshkruar më në detaje në raportin e FOL-it rreth pagës minimale. Me fjalë të tjera, dy gjëra për të cilat ky Këshill i vlerëson si rrënjësore, nuk është bërë asgjë konkrete.
Gjithëpërfshirja në KES rezulton të jetë inefektive në adresimin e çështjeve që prekin një masë të madhe të njerëzve. KES-i përbëhet nga 15 anëtarë përfaqësues të punëdhënësve/eve, punëmarrësve/eve, dhe Qeverisë. Duhet theksuar se aktualisht mungon përfaqësimi i duhur gjinor në KES, sidomos nga ana e punëmarrësve, ku nga 15 anëtarët të gjithë janë burra. Kriteret aktuale që vendosen për të qenë përfaqësues në KES mund t’i përmbushin vetëm një numër minimal i organizatave. Me ndryshimin e kritereve do të rritej konkurrenca e organizatave për të qenë anëtare të KES-it. Rritja e konkurrencës do të krijonte incentiva për anëtarët/et e Këshillit të punonin drejt qëllimit primar të tyre në mënyrë më efektive.
Numri i vogël i anëtarëve në Këshill nuk lejon për përfaqësim gjithëpërfshirës. Këshilli Ekonomiko-Social i Kosovës ka numrin më të ulët të anëtarëve me gjithsej 15 anëtarë. Momentalisht anëtarë në Këshill është vetëm një organizatë përfaqësuese e punëtorëve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), dhe dy organizata përfaqësuese të punëdhënësve (Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Oda Ekonomike e Kosovës). Nga ana e Qeverisë janë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministri i Shëndetësisë. Rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit, në mënyrë që punëtorët dhe punëdhënësit të përfaqësohen me më shumë organizata në Këshill do ishte pozitive sepse do të kishte përfaqësim më të madh sektorial në Këshill.
Këshilli deri më tani ka pasur problem të madh me transparencën. Nuk dihet kur mbahen takimet, kush merr pjesë, dhe çfarë diskutohet. Në fund, pjesëmarrësit marrin mëditjet për takime dhe pastaj të gjitha këto takime shndërrohen në një raport të punës të Këshillit, e që prapë nuk publikohet diku ku publiku mund të ketë qasje.
Përderisa politikat e propozuara nga Këshilli janë të tilla që prekin një masë të madhe të popullatës, e në veçanti rininë, këta të fundit kanë shumë pak dijeni për punën e këtij institucioni. KES vazhdon të jetë i pakapshëm për të rinjtë, edhe nëse puna e tij përfshin apo targeton pikërisht ata. Për arsyet që u thanë më lart, është e qartë që KES nuk mund të jetë efektiv e funksional, kur përpiqet të hartojë politika për rini – pa rini.
Një numër i madh i shkrimeve e fjalimeve përmbajnë fjalitë kyçe “vendi me papunësinë më të madhe”, “vendi ku nuk shfrytëzohet potenciali i rinisë”, “vendi me rininë më të madhe në Evropë”. Pastaj fjalimet që përmbajnë “sepse rinia është e ardhmja”, dhe ironikisht pastaj vazhdohet me “rinia është e tashmja”. Të rinjtë dhe të rejat janë grumbulluar dhe janë shndërruar në një term pa substancë, duke e zhdukur rolin e rëndësinë e tyre tërësisht.
Këshilli Ekonomik Social nuk mund të synojë reforma dhe ndikim real në sistem, pa e marrë në konsideratë reformën përbrenda vetë institucionit. Vendosja e një rruge komunikimi me grupet shoqërore të cilat KES i targeton, është hapi i parë dhe më i rëndësishëm. Në fund të fundit, institucionet kosovare duhet ta kuptojnë që puna për grupe të caktuara shoqërore, në realitet e përfshin punën me ato grupe, në mënyrë që të ketë efekt.
__________
Ky shkrim është përgatitur në kuadër të kornizës të platformës “FOL Hapur” që mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA. Përmbajtja e këtij shkrimi është krejtësisht përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si diçka që reflekton pozicionin e Zyres Zvicerane për Bashkëpunim ose të Departamentit Zviceran për marëdhënie të jashtme.