Rikthimi i fruthit në Evropë
Fruthi, një prej sëmundjeve më ngjitëse që ekziston, pas shumë vitesh pothuajse zhdukje totale, me vetëm një apo dy raste në vit, është shfaqur përsëri me të madhe në regjionin e Göteborgut në Suedi. 13 raste të identifikuara vetëm nga mesi i dhjetorit. Nuk dihet ende burimi i sëmundjes, por dihet se një numër prej rreth 97% të qytetarëve suedezë vaksinohen. Gjithashtu dihet se vaksinimi përbën mbrojtje absolute nga fruthi.
Institucionet suedeze nuk kanë informata fare për përqindjen e të vaksinuarëve në mesin e të ardhurve nga vendet e tjera. Gjatë 2017-tës, me dhjetëra mijëra raste të fruthit janë lajmëruar nëpër Europë – vetëm në Itali janë raportuar 4800 raste, kurse në Rumani 7900 raste.
Në spitalin universitar “Sahlgrenska” të Göteborgut është identifikuar edhe një punëtor shëndetësor i cili është infektuar në klinikën e neonatologjisë. Kjo natyrisht ka ndezur alarm në tërë qendrën klinike dhe dyshohet se numër i madh i personelit shëndetësor mund të jetë i pavaksinuar. Punëtorët e pavaksinuar kundër virusit që shkakton fruthin, mund të jenë burim i rrezikshëm i përhapjes së sëmundjes mu aty ku personat janë më të ndjeshmit, në spitale. Qendra Klinike Sahlgrenska ka vendosë që të gjithë punëtorët shëndetësor që nuk janë të vaksinuar ose nuk e dinë se a janë të vaksinuar, të ua ndalojë paraqitjen në vende të punës. Natyrisht me pagesë të plotë.
Pasojat dhe rëndësia e vaksinimit
Fruthi si sëmundje virale është shumë ngjitëse. Ngjitet përmes ajrit gjatë kollitjes, pështymës apo teshtitjeve. Simptomat e parë janë temperatura e nartë, irritim në sy, intolerancë ndaj dritës, ndezje e veshëve, kollitje dhe dhimbje koke në fillim, kurse në fazën ma të vonë edhe “shpërthim” i puqrrave të kuqe ne fytyrë dhe dikur në tërë trupin. Kallje të mushkërive ka po thuajse gjithmonë. Nëse si i rritur infektohesh dhe i ekspozohesh dritës së fortë, mund të kesh pasoja të pariparueshme në të pamur.
Koha e inkubacionit, dmth para lajmërimit të shenjave të para, është prej 7-21 ditë.
Mbrojtja e vetme ndaj kësaj sëmundje është vaksinimi i të gjithë qytetarëve. Sot përafërsisht 80% e të gjithë fëmijëve në botë vaksinohen dhe kjo përqindje është në rritje e sipër. Sidoqoftë, përkundër të gjitha masave, gjatë vitit të kaluar kanë vdekur rreth 100,000 fëmijë nga fruthi.
Në Europë, vaksinimi i fëmijëve kundër fruthit zakonisht fillon në muajin e dymbëdhjetë pas lindjes, kurse në Suedi fillon më vonë, rreth muajit të tetëmbëdhjetë. Arsyeja kryesore pse vaksinimi është i rëndësishëm qëndron në atë se nuk ka ndonjë bari kundër fruthit. Nëse personi nuk është vaksinuar dhe infektimi ka ndodhur, është e domosdoshme të bëhet trajtimi për lehtësimin apo luftimin e simptomave, sepse dëmet mund të jenë fatale.
Në shumë vende të botës vaksinimi i fëmijëve është obligativ. Suedia për shembull preferon që shoqëria të informohet mirë dhe që këshillat dhe argumentet t’i detyrojnë prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Një praktikë e ngjashme nuk kushton shumë dhe do të duhej të ishte përgjegjësi e të gjitha qendrave klinike shtetërore. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti me shumë vende tjera në botë. Në ShBA, madje, e kemi parë që vitet e fundit ka lulëzuar lëvizja kundër vaksinimit, e cila ka pasur pasoja të rënda për fëmijët.
Të gjithë duhet ta dinë që nuk ka prova kundër vaksinimit – por ka shumë prova për rrezikun nga mosvaksinimi. Rreth 90% e atyre që nuk janë të vaksinuar, në kontaktin e parë me virusin e fruthin, infektohen. Ngjashëm ndodhë edhe me shumë sëmundje tjera ngjitëse, për të cilat personat duhet të vaksinohen nga fëmijëria.
Nëse infektohesh si rritur dhe nuk i trajton simptomet, rreziku është shumë i madh që të përfundojë me vdekje, apo dëme të rënda afatgjate. Dhe përpos kësaj, infektimi yt përbën rrezik për të gjithë komunitetin tënd, duke e dëmtuar imunitetin e përgjithshëm, dhe duke i rrezikuar shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.