Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Zona e “rehatisë” është kërkimfalja dhe njohja e ndërsjellë

Me këtë kolumnë do t’i përgjigjem shkrimit të Milicës.

E dashur Milica,

Ne të dyja i shohim gjërat ndryshe, në shumë nivele. Kjo nuk ka të bëj me keqkuptim nga ana ime për tezat të cilat ti i parashtron apo faktet të cilat ti i renditë, por në shumë pika kemi këndvështrime të ndryshme.

Ju thoni se jemi futur në fazën finale të procesit të ‘Shkëmbimit të Territorit’ në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo po i bie që ne kemi hyrë në rrugën e trasuar të pakthim për një lëvizje dramatike në Ballkan. Sa i takon kësaj ideje, unë shoh më shumë spekulime dhe kontradikta si te dialoguesit ashtu edhe tek vendimarrësit në komunitetin ndërkombëtar. Gjithsesi, aludimet mbi këtë çështje kanë të bëjnë me veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës në parim, tërësisht ose pjesërisht si ide.

Dëshiroj të ta bëj një pyetje, esencialisht të rëndësishme për serbët e Kosovës.

A do ta pranoje që në emër të pakicës serbe, atyre të veriut, të sakrifikonit pjesën më të madhe të serbëve që jetojnë në pjesën jugore të Kosovës?

Nëse nuk është universal, a është normalizimi i veçantë, siç po preferon ta quash rastin Kosovë-Serbi, sakrifikimi i njerëzve për territor? Apo në fakt do të duhej që normalizimi të jetësohej nëpërmjet një investimi të përbashkët për ta funksionalizuar shtetin multietnik, në bazë të konceptit të Presidentit Marti Ahtisaari, ku serbët e Kosovës gëzojnë më shumë të drejta se secila pakicë tjetër në Ballkan?

Kur flasim për normalizimin, unë e kuptoj shumë qartë kur ti thua që ka shumë dimensione të tij. I kemi parë fytyrat e ndryshme të normalizimit nga politikanët e Kosovës, ata të Serbisë, të Bashkimit Evropian, të SHBA-ve dhe të Rusisë.

Ti e ndave këndvështrimit tënd. Shumica çdoherë ka përgjegjësi ndaj pakicës. Por mua natyrshëm më lind pyetja.

Mirë, e dashur Milica, e kuptoj çfarë ti pret e kërkon për komunitetin serb, por në këtë këndvështrim tëndin rreth normalizimit, a ka ndonjë obligim komuniteti serb ndaj pjesës tjetër të shoqërisë kosovare, shumicës në këtë rast?

Kjo është pyetja e titullit të shkrimit tim të kaluar, që unë ende do doja që në shkrimin final tëndin të më ktheje përgjigje. Për të kuptuar në plotëni qëndrimin tënd.

Ke folur për rolin e komunitetit serb në Kosovë deri në 2008, çështje e cila kërkon një diskutim më vete, të cilin nuk do ta bëj këtu. Por ajo çfarë dua të theksoj është që shifrat për rikthimin e vetëm 5% të të zhvendosurëve nga komuniteti serb dhe komunitetet e tjera jo shumicë, janë shifra të cilat kontestohen nga vet funksionarët serbë, ashtu siç ti kam dëshmuar në shkrimin e mëparshëm. Prandaj dhe si të tilla ngrejnë dyshime lidhur mbi vërtetësinë e tyre.

Më lejo të të citoj një qytetar serb të Kosovës, të cilin e kam ndjekur duke rrëfyer në television kombëtar në Kosovë.

Kosovari nga Brestoviku i Pejës i etnisë serbe, thoshte se ka qenë pikërisht propaganda serbe e Beogradit për sulme të mundshme terroriste nga shqiptarët, që kishte detyruar serbët të mos kthehen në Kosovë. Këto sulme sipas tij nuk kishin qenë një dukuri, përjashto rastet e veçanta, të cilat janë dënuar edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës.

Ndryshe nga vlerësimi yt, Dragmori Dashiq banor serb i këtij fshati, ishte shprehur i çuditur mbi pretendimet e ngritura ndaj Ramush Haradinajt për të cilat ishte ndaluar në Kolemar të Francës, kryeministri aktual, ish komandant i UÇK-së për këtë zonë. Ai deklaroi që nuk kishte dëgjuar për kërcënime e ngacmime ndaj serbëve në kësaj zone as gjatë lufte dhe as pas saj dhe se askush nga UÇK nuk e kishte ngacmuar.

Haradinajt do t’i kthehem më vonë gjithësesi.

Kur flasim për politikanët serbë të Kosovës një gjë duhet pranuar pa dyshim. Politikanë serbë të Kosovës që u zgjodhën drejtpërdrejt nga qytetarët serb ishin aktivë në institucione dhe politikëbërje deri në nisjen e dialogut.

Mendoj se Prishtina zyrtare ka bërë gabim që me lehtësi hoqi dorë nga njerëzit që punonin për interesat e serbëve në kuadër të institucioneve kosovare, për t’ia deleguar këtë fuqi Aleksandar Vuçiqit, i cili me telekomandë vendosë kush duhet t’i përfaqësojë serbët dhe kush jo.

Ti edhe mund të më thuash se nuk janë shqiptarët ata të cilët vendosin kush është serb i mirë e kush jo, por unë po insistoj se shqiptarë e serbë po bënin përpjekje serioze për ta jetësuar bashkëjetesën në një shoqëri multietnike. Me sfida të shumta pa dyshim, por po tentonin.

Por çfarë ndodhi? Erdhi Lista Srpska dhe ndryshoi tërësisht kursin e politikbërjes tek serbët e Kosovës. Ndryshimi nuk doli të jetë i mirë.  Ky grupacion politik shërben si marionetë e dirigjuar nga Beogradi tek sa zyrtarët e kësaj partie janë ekzemplare të bllokimit të gjithçkaje në institucione, në emër të kauzës serbe. Për mendimin tim, ata bëjnë gjithcka tjetër përpos shërbimit ndaj serbëve të Kosovës, gjë të cilën e kemi diskutuar dhe më parë.

Ke parashtruar një tezë se pse komuniteti serb nuk e konsideron vetëm pjesë të shoqërisë kosovare.

Shpjegimi yt për mua nuk paraqet argument bindës, sepse e di që përgjigjja e arsyes së vërtetë është përtej vështrimit të ngushtë të një numri të vogël të njerëzve të cilët janë në pushtet aktualisht në Kosovë. Kjo pasi pikë së pari, bie vet në kundërshtim me argumentin tënd që komuniteti serb ka kontribuar në shoqërinë multietnike në Kosovë dhe ka qenë i përfshirë në institucione qendrore.

E dyta, sepse në këtë tezë përjashtohet komplet roli dhe ndikimi i Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë, i cili është faktori kyç në këtë diskutim. Për më tepër, unë nuk e kam parë që komuniteti serb ta ketë ndjerë veten pjesë të shoqërisë kosovare kur Presidente e Kosovës ishte znj. Atifete Jahjaga, apo kryeministër z. Isa Mustafa, dy politikanë që nuk kanë fare të kaluar me luftën e Kosovës.

Jam dakord me ty se duhet të përdorim standarte të njëjta. A duhet të kërkojmë drejtësi për të gjitha krimet e kryera? Pa asnjë dyshim. Por kjo nuk do të thotë që përgjegjësia mund të barazohet.

Nuk mund të jetë përgjegjësia e agresorit e njëjtë me përgjegjësinë e viktimës.

Slobodan Milosheviq ka qenë i akuzuari kryesor në Gjykatën e Hagës, e cila u themelua për të trajtuar krimet ish Jugosllavisë, ngjashëm me Procesin e Nurembergut që gjykoi krimet e Nazizmit.

Ai ishte i akuzuar ndër të tjera për krime kundër njerëzimit, për gjenocid, për krime lufte në luftërat në 3 shtete në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Pra, bëhet fjalë për miliona njerëz të deportuar, qindra mijëra të vdekur, dhjetëra mijëra të dhunuar, krime çnjerëzore nga më të ndryshmet lista e të cilave duket e pafund.

Në Hagë, për fat të keq, Millosheviqi ka vdekur pa marr gjykim për krimet e tij. Ndërsa Haradinaj është shpallur nga kjo gjykatë i pafajshëm për pretendime e ngritura për krimet e kryera në zonën e Dukagjinit në Kosovë. Në start këtu qëndron një dallim i madh, siç ka ndryshim të madh mbi llojin e krimeve të cilat ata ishin akuzuar se kanë kryer. A i beson këtij vendimi të gjykatës ndërkombetare apo jo, është një çështje tjetër.

Por këto dy elemente janë të pakontestueshme. Prandaj krahasimi me këdo, edhe Millosheviqin, dhe ata që e mbrojtën politikën e Millosheviqit për mua nuk mund të qëndrojë.

Por çfarë të bëjmë me Lubisha Dikoviqin, komandantin e armatës serbe, i cili ka një mal akuzash për krime lufte mbi supe dhe vazhdon të drejtojë Ushtrinë e Serbisë sot e më ditë. Si t’ia bëjmë me Goran Radosavljeviqin-Gurin, i cili qëndroi në krye të kasaphanes së grave e fëmijëve në Prekaz të Skënderajit më 1998 dhe ndaj shumë familjeve kosovare gjatë luftës. Ai ende po qëndron i lirë, edhe pse këtyre ditëve u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përgjegjës për krime janë edhe Dragoljub Ojdaniq, i cili pranoi fajësinë para tribunalit të Hagës, gjë që nuk e bëri Vlastimir Xhorxheviqi, për tu ndëshkuar edhe më shumë nga drejtësia ndërkombëtare. Përgjegjës janë edhe Nebojsha Pavkoviq, Nikolla Shainoviq, Sreten Lukiq, të cilët u dënuan nga Gjykata e Hagës.

Nuk dua të vazhdojë më tutje, sepse do të duhesha të zgjatesha shumë në këtë shkrim.

Të gjithë këta ishin vartës të Millosheviqit dhe të gjithë këta kanë kryer krime në emër të shtetit, kundër shqiptarëve në rastin e Kosovës.

Nga ana tjetër, 15 vjet paslufte, më 2014, pas dy vitesh e gjysëm që kur kishte nisur punën, Prokurori Clint Williamson, në një konferencë për shtyp në Bruksel deklaroi se nuk kishte gjetur prova të cilat vërtetonin se trafikimi i organeve kishte ndodhur në mënyrë sistematike gjatë luftës në Kosovë.

E vërtet, kishte ngritur pretendime për krime të tjera të luftës, të cilat tashmë janë pjesë e Dhomave të Specializuara. Ky institucion u themelua nga Kuvendi i Kosovës po nga një pjesë e liderëve të cilët ti i përmend. Pra ata njerëz votuan një Gjykatë mono-etnike, e pashembullt në Evropë, e cila synon të zbardh krimet e supozuara të pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ti me shumë të drejtë në shkrimin tënd e nënvizove që krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare janë shumëfish më të mëdha. E unë po të them se Kosova ka bërë dhe është duke e bërë pjesën e saj për adresimin e krimeve të luftës.  Këtë e kishte nisur UNMIK-u, pastaj e kishte vazhduar edhe me EULEX-in.

Unë e inkurajoj në fakt Kosovën që të kërkoj drejtësi për të gjitha krimet që u kryen në Kosovë, pasi lufta e saj për liri ishte e drejtë. Pa dyshim se edhe Gjykata Speciale do të ishte më e drejtë po që se ajo do t’i ndiqte të gjitha krimet, jo vetëm të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, çfarë ka bërë Serbia? Pothuajse asgjë.

Ajo çfarë në fakt po shohim nga lidershipi i Serbisë është tendenca për të minimizuar krimet, të cilat u kryen gjatë një dekade luftërash të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Tendenca për ta minimizuar krimin do të thotë mos marrje e përgjegjësisë, që do të thotë synim për rishkrim të histories e si rrjedhojë mohim i saj.

Këtë e ka synuar edhe znj. Brnabiq kur ka dashur të minimizoj atë çfarë ndodhi në Srebrenicë nga një gjenocid në një krim të zakonshëm lufte. Këtë është duke synuar në vazhdimësi ta bëj edhe z. Vuçiq kur ndihet i ‘ofenduar’ kur zyrtarët e lartë evropian bëjnë nderimet e tyre pranë viktimave të rëna në Kosovë si rezultat i agresionit serb. Apo kur edhe në paraqitjen e tij publike flet për vetëm 150 mijë refugjatë shqiptarë, të cilët ishin deportuar, kur ishte pikërisht kriza humanitare e shkaktuar nga ky regjim që solli deri të bombardimet e NATO-s.

Vuçiq dhe Bërnabiq besoj i dijnë historitë e frigoriferëve të cilët u gjetën përplot me trupa të shqiptarëve të pajetë të vendosur njëri mbi tjetrin e që dolën në sipërfaqen e Danubit. Ata e dinë edhe historinë e varrezës masive të Batajnicës, ku janë gjendur mbi 750 trupa prej të cilave mbi shtatëdhjetë e pesë fëmijë. Një regjisor serb ka realizuar edhe një dokumentar për këtë ngjarje.

Sipas të dhënave, shumica e civilëve janë ekzekutuar me plumba në kokë. Me siguri lidershipi serb është në dijeni të tentativave për të fshehur kufomat, raste të cilat u dokumentuan nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Në asnjërin prej këtyre vendeve, ku janë gjetur trupa të pajetë, nuk ka asnjë shenjë të memorializimit.

Historitë e luftës janë histori të rënda dhe lënë një barrë të madhe mbi shoqëritë. Andaj dhe shteti që i ka kryer këto krime, duhet të ketë ndërgjegje për të marr përgjegjësinë, në mënyrë që ketë peshë të mos e lë si barrë mbi popullatën, sidomos të mos jua lë gjeneratave të cilat do të vijnë në të ardhmen.

Këtë e ka bërë Gjermania, të cilën ti e përmend si një ndër kombet liridashëse duke e krahasuar me kombin serb. Gjermania ndëshkoi të gjithë ata që kishin kryer krime, morri përsipër përgjegjësinë dhe paguajti reparacione për dëmet që kishin shkaktuar. Madje ngriti memoriale për të nderuar të gjithë të pafajshmit. Lidershipi gjerman edhe sot kërkon falje për krimet e kryera gjatë luftës së dytë botërore.

Por duket që shteti i Serbisë nuk e ka këtë forcë.

E dashur Milica, unë nuk jam në zonë të rehatisë.

Unë jam një njeri, i cili beson në të drejtat e tij, të cilat janë të drejta fundamentale universale. Të drejta të cilat prej se kur kam lindur më janë mohuar nga Serbia. Edhe tani pas shumë vitesh kur situata është ndryshe, Serbia vazhdon të bëjë përpjekje të mi mohojë të drejtat e mia. Të drejtat e mia nuk janë në kurriz të askujt, prandaj ashtu siç besoj në to, besoj edhe në të drejtat e tua.

Unë nuk flas në emrin tënd, unë të pyes ty. Ti ke preferuar të flasësh në emrin tim kur më ke thënë se unë jam ajo që nuk jam në gjendje të pajtohem me serbët. Kjo nuk është e vërtetë.

Para se të dalësh në këtë konstatim, e para duhet të më pyesësh mua si e shoh unë këtë çështje. Duhet të më pyesësh se çfarë unë nënkuptoj me pajtim? Me paqe?  Më thuaj ti, çfarë nënkupton pajtimi për ty? Po paqja?

Unë kam bërë paqe me veten time shumë kohë më parë. Tek unë urrejtja nuk ka vend. Unë nuk jam në konflikt me serbët.

Ka një ndryshim në atë çfarë unë kam thënë lidhur me shoqërinë e Serbisë në shkrimin tim të kaluar. Të ftoj të lexosh edhe njëherë, në mënyrë që të më citosh drejtë. Ajo çfarë unë kam thënë nuk është ajo çfarë ti po e interpreton. Unë nuk flas për turp, as për shoqëri gjenocidale.

Unë besoj se jam korrekte kur flas për shoqërinë e Serbisë. Gjykoj regjimin e saj gjenocidal të 90-tave, dhe përpjekjet e vonuara qytetare për ta ndaluar këtë regjim.

Besoj e din shumë mirë kur kanë filluar protestat në Serbi dhe kur kanë filluar luftërat në ish-Jugosllavi. Në krye të të cilave ishte Slobodan Milloseviq, shefi i Presidentit aktual serb z. Vuçiq, shefi i Ministrit të Punëve të Jashtme aktual serb z. Daçiq, të cilët ende sot mburren me veprat e bëra dhe mundohen në çdo mënyrë të mohojnë përgjegjësitë e shtetit të Serbisë, duke u shtrirrur edhe si viktimat e vet akteve të tyre.

Do të mund të vazhdoja edhe më tutje, kur do t’i referohesha kriminelit famëkeq Zhelko Razhnatoviq Arkan, i cili sa ishte gjallë le që nuk u ndëshkua, por u shndërrua një hero e një rock star të pashmangshëm mediatik, duke u përqafuar nga politika, media, show bizi e shoqëria serbe.

Shumë vonë ju kujtua elitës në Serbi se Arkani ishte e keqja e madhe për shoqërinë. Ai s’mbijetoi dot, por mos të harrojmë se ishin bashkëpunëtorët e tij si Milorad Ulemek Legija, Frenki Simatoviq e Dushan Spasojeviq që bashkë me Klanin e Zemunit, dolën të jenë instrumental edhe në revolucionin e 5 tetorit, kur u rrëzua Millosheviqi. Fundja, këta ishin të njëjtit njerëz, të cilët pak më vonë e vranë ish kryeministrin serb Zoran Xhinxhiq, apo jo?

Si është duke u përballur me këtë të kaluar shoqëria e Serbisë?

Them se ne në Kosovë megjithatë nuk e kishim fatin e njëjtë. Për fat të mirë.

A janë të ngjashme shoqëritë në përgjithësi? Varet në çfarë prizmi duam ta shtrojmë analizën.  A duam të analizojmë si definohen shoqëritë? Përbërjen e tyre? Apo duam të fokusohemi në kontekstin aktual për të cilin jemi duke dialoguar.

I qëndroj prapa asaj që kam thënë. Shoqëria e Kosovës dhe ajo e Serbisë aktuale nuk janë të ngjashme. A kanë elemente të përbashkëta? Patjetër, siç kanë të gjitha shoqëritë në botë, dhe këtu jemi dakord.

Por kemi një dallim të madh, historia jonë është e ndryshme, siç është e ndryshme eksperienca jonë veçanërisht këto 100 vitet e fundit. Sesa do të jemi të ndryshëm edhe në të ardhmen, kjo varet drejtpërdrejt nga ne.

Ne të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë. Ne mund të kërkojmë përgjegjësi, dhe të insistojmë që të ardhmen të mos na e përcaktojnë të tjerët. Kjo do të thotë marrje e përgjegjësisë për të tashmen e të ardhmen, do të thotë kërkesë për llogaridhënie ndaj të kaluarës.

Vlerësoj se të dyja mund të flasim me ditë të tëra për letërsi, të flasim mbi konceptin e kombit mbi rrymat dhe lëvizjet e ndryshme nga mesjeta e deri në historinë moderne. Mbi atë se çfarë e bën një shoqëri të zhvilluar, e qytetari të respektuar nga institucionet e saj. Unë shpresoj shumë se ne do të arrijmë një ditë në atë pikë dhe që temat tona të diskutimit do të jenë pikërisht mirëqenia, edukimi dhe institucionet demokratike përgjegjëse ndaj qytetarëve.

Shoqëri kosovare do të thotë të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe komunitetin serb. I pranoj qëndrimet nga më të ndryshmet, derisa mbahen në limitet e asaj që të mos cënojnë lirinë e tjetrit e të drejtat e tjetrit. Nëse ti e ndjen veten pjesë të saj apo jo, është çështje tjetër.

Pjesë e cilës shoqëri konsideron se je ti? Pjesë e shoqërisë së Kosovës apo e Serbisë?

—-

Sbunker e boton këtë kolumne të përkthyer dhe të botuar në origjinal nga portali KoSSev. Ky portal, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, nis rubrikën e re Millica dhe Jeta, në kuadër të faqes Dialogu. Aktivistët civile Millica Andriq nga Zubin Potoku dhe Jeta Krasniqi nga Prishtina do të shkëmbejnë qëndrimet rreth çështjeve aktuale të popullit serb dhe shqiptar dhe marrëdhënieve të tyre të ndërsjella në muajt në vijim. Rubrika publikohet në kuadër të projektit “Përkrahja në krijimin e lidhjeve shoqërore dhe mbrojtjes së pakicave në Kosovë”. Mendimet dhe qëndrimet e shprehura paraqesin mendimet e vetë autoreve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e redaksisë së KoSSev-it dhe donatorëve.

Nga gjuha serbe tekstin e përktheu: Bruno Neziraj

“Zona „komfora“ je izvinjenje i uzajamno priznanje?” – https://kossev.info/zona-komfora-je-izvinjenje-i-uzajamno-priznavanje/

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.