Fëmijët, më shumë se një e treta e popullsisë kosovare – përjashtohen nga vendimmarrja dhe ndikimi në zhvillimin urban. Nëse ata do të kishin mundësinë të kontribuojnë me perspektivat e tyre, kjo do të forconte edhe qëndrueshmërinë e qyteteve tona. Njëkohësisht do të përmirësonte të drejtat, shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Sipas një raporti të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës në Republikën e Kosovës (2010), legjislacioni i Republikës së Kosovës ka përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Pavarësisht përfshirjes së Konventës për të Drejtat e Fëmijës në legjislacionin e Republikës së Kosovës, Kosova ende nuk ka metodë të përgjithshme dhe kulturë të përfshirjes që aktivisht mundëson angazhimin konstruktiv të fëmijëve në vendimet për planifikimin urban dhe dizajnimin e qyteteve dhe vendbanimeve.
Në nenin e 12 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, të drejtat e fëmijëve për t’u dëgjuar përshkruhen qartë të gjitha pyetjet që i prekin fëmijët, por ne rrallë i lejojmë pikëpamjet dhe njohuritë e fëmijëve të kenë ndikim real, përveçse si ndonjë lojë. Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së kulturës dhe normave të ngurta sociale që karakterizojnë shoqninë tonë. Këto norma janë më të zbatueshme në praktikë se legjislacioni aktual, dhe pengojn fëmijët në shprehje për zhvillimin urban dhe përhapin paragjykime të përgjithshme se fëmijët nuk mund të posedojnë mendime të rëndësishme dhe legjitime për zhvillimin e qyteteve. Kjo kufizon zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve tanë, pengon interesin e tyre në politikë dhe proceset shoqërore, dhe zvogëlon mundësinë e ndërtimit të qyteteve më të qëndrueshme.
Në Ligjin për Planifikim Hapësinor nr. 04/L-174, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës me 23 gusht 2013, ka nene që përcaktojnë pjesëmarrjen aktive të grupeve të ndryshme të interesit, por kur është fjala për pjesëmarrjen aktive të fëmijëve, fatkeqësisht nuk thuhet asgjë. Sipas shumë studimeve, mjediset e fëmijëve në natyrë në planifikim janë zvogëluar shumë, sidomos pas ndërtimeve të egra pas periudhës së luftës. Përveç kësaj, në bazë të ligjit, përgjegjësia për cilësinë e planifikimit nga shteti u transferua tek komunat dhe ndërtuesit, të cilët filluan të shfrytëzojnë tokën më shumë. Kjo do të thotë që perspektiva e fëmijëve është zhdukur dhe kështu mundësitë e vlefshme për një planifikim më të mirë zhduken. Në vend të kësaj, fëmijët rrezikojnë të rriten në mjedise që dëmtojnë shëndetin e tyre dhe pengojnë zhvillimin normal të tyre. Respekti dhe leja për të ndikuar në ekzistencën e tyre gjithashtu kontribuojnë në fuqizimin e individit.
Pjesëmarrja në zhvillimin urban përgatit fëmijët për qytetari aktive.
Nga një perspektivë më e gjatë, angazhimi i qytetarëve nuk lind vetvetiu, por duhet të mësohet. Pjesëmarrja në zhvillimin urban përgatit fëmijët për qytetari aktive. Nëse fëmijët përfshihen, edukohen dhe merren seriozisht, angazhimi qytetar dhe përgjegjësia mund të vendoset si diçka e natyrshme dhe e dukshme.
Në qytete të ndryshme të botës, si Stokholm në Suedi, Kopenhagë në Danimarkë, Boulder në Kolorado dhe Roterdam në Holandë, ata kanë hedhur tashmë paragjykimet për paaftësinë e fëmijëve dhe në vend të kësaj përqafuan kapacitetin e tyre. Në Kosovë ka iniciativa individuale dhe aktorë që punojnë me të drejtat e fëmijëve, duke përfshirë përfshirë organizatat e ndryshme joqeveritare, por këto iniciativa nuk po gjejn shtrirje të përgjithëshme.
Nëse i lejojmë fëmijët të marrin pjesë në hartimin e jetës së tyre, promovohet edhe e drejta e tyre për të kuptuar kushtet e mjedisit urban, ndërkohë që zhvillimi urban bazohet në një bazë më të mirë të vendimmarrjes. Nëse fëmijët njihen si qytetarë në kontekstin e tyre, demokracia është zgjeruar dhe gjithëpërfshirëse. Është një rast i mirë për institucionet e Kosovës dhe komunat që në procesin e filluar të zonimit të vendbanimeve, hartimit të hartave zonale dhe planeve rregulluese të përfshihen edhe fëmijët. Pse Kosova të mos jetë vend lider i rajonit sa i përket përfshirjes së fëmijëve në dizajnimin e qyteteve tona?!
—
Burimet:
– Convention on the Rights of Children
– Raport mbi zbatimin e Konventës për Të Drejtat e Fëmijës në Republikën e Kosovës