Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Opinion

101 sekonda jetë

Ilustrimi nga Big Eye.

Në një videoklip të shkurtë prej 101 sekondash, Gazmend Bajri paraqet, në një formë, tërësinë e realitetit kosovar.

E xhiruar me një pamje të vetme, pa ndërhyrje, pa ngjyra, pa tekst dhe pa tematikë të zakonshme, të strukturuar, prodhimi i Bajrit flet sikur të mos ishte ndalur së foluri që nga viti 1999.

Në të fokusohet një lypëse teksa kërkon lëmoshë në rrugët e kryeqytetit. Protagonisjta, e mbuluar me një shami që në vete ngërthen më shumë traditën sesa religjionin, qëndron pa lëvizur, e gjunjëzuar ani pse jo tekstualisht, teksa pranë saj, me jorelevancë funksionale, kalon i gjithë qyteti, e gjithë shoqëria.

Në mes të kalimtarëve ka të rinj e pleq, burra e gra, të qeshur e të ngrysur, përngutshëm dhe me kohë plot. Secili prej tyre sikur vjen e shkon duke e ndërtuar kështu një fluskë të tyre të realitetit, jetës. Dhe, në një formë, të gjithë ato fluska, sikur krijojnë një fluskë gjigante,  një realitet që e ndajnë të gjithë, ku përfshihen të gjithë. Një realitet shoqëror që vibron jo njëtrajtshëm ku bëjnë pjesë të gjithë… Pos lypëses! Ajo, me qëndrimin e saj pa lëvizje, përfaqëson vrazhdësinë e së vërtetës, shkretëtirën e njëmendtë të realitetit.

Ani pse pamjet e xhiruara nga Bajri nuk janë të reja, pra nuk janë të ditëve të fushatës zgjedhore, ato më së miri e definojnë këtë fushatë. Lëvizjet, vibrimet, funksionet dhe gjithë britmat e klithmat e jetës politike e sociale, nuk mbesin gjë tjetër pos një sferë virtuale, një lojë, një shtierje. Karshi saj mbetet e vërteta, realja pra, e cila nuk lëvizë, nuk vibron. Realja mbetet e shtangur, dhe, për më shumë, të shtangë.

Të tjerët në copëzën vizuele të Bajrit, shtiren se jetojnë. Është lypësja ajo që njëmend jeton, që njëmend përjeton peshën e papërballueshme të jetës së vërtetë në Kosovë, me gjithë identetin e saj gjinor e klasor, gjithë identitetin ontologjik.

                                   

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.