Zbehja e sovranitetit shtetëror: Transatlantizmi shumëpalësh
Sistemi botëror multilateral i referohet bashkimit të shteteve për të krijuar mekanizma për rregullimin e sjelles së shteteve në politikën botërore. Përpjekjet e krijimit të multilateralizmit u përshkuan nga dështimi. Liga e Kombeve e themeluar në vitin 1920, pas Luftës së parë Botërore (LPB) me insistimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ishte organizata e parë serioze shumëpalëshe që tentoi t’i shtonte sistemit ndërkombëtar një burim normash për shtetet. Liga e Kombeve u krijua me shpresën e ndalimit të hovit të ideologjive si komunizmi dhe fashizmi, por misioni i saj dështoi dhe organizata gradualisht u zbeh, derisa u zhbë krejtësisht në vitet 1940.
Regjimi aktual shumëpalësh u themelua në pjesën e dytë të viteve 1940, pas Luftës së Dytë Botërore (LDB). Të shtyrë nga mësimi i hidhur i dështimit të Ligës së Kombeve dhe katastrofës së LDB, të prira nga SHBA, shumica e shteteve të Evropës Perëndimore iu përveshën sistemimit të rendit botëror me institucione dhe organizata, traktate dhe konventa si kundërforcë ndaj paparashikueshmërisë së veprimeve të shteteve. Këta mekanizma synonin të formësonin standarde dhe sanksione eventuale, të pajtuara nga shumica e shteteve të koalicionit. Ky rend shpesh sot referohet si sistemi shumëpalësh (neo)liberal, translatlantik, post-LDB apo rendi perëndimor.
Pionier ishte Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e themeluar në vitin 1945. Me të njëjtën mendësi brenda një kohe të shkurtër u formuan edhe institucioni për Aleanca Veri-Atlantike NATO (1949); institucioni për të drejta të njeriut dhe demokraci Këshilli i Evropës (1949); dhe Marrëveshja për Çelik dhe Qymyr (1952), që nga karakteri ekonomik u zgjerua në mekanizmin shumëpalësh më unik në sistemin ndërkombëtar, i njohur sot si Bashkimi Evropian. Gradualisht ky sistem u shtua me të tjerë organizma.
Themelimi dhe forcimi i rendit shumëpalësh liberal pas LDB prodhoi një veçanti të vërejtshme: dorëzimin e një pjese të sovranitetit shtetëror kundrejt institucioneve shumëpalëshe, apo më saktësisht rregullave dhe standardeve të tyre. Qysh në Traktatin e Vestfalisë në vitin 1648 ishte cekur shprehimisht se sovraniteti i shteteve ishte aspekt kyç i politikës botsërore. Në fillim të shekullit XX do të ishte e pamendueshme se shtetet do të pranonin që sovraniteti/politikat e tyre të brendshme të përcaktoheshin dhe sanksionoheshin nga aktorë shumëpalësh. Gjithashtu, dorëzimi i sovranitetit të tyre të jashtëm apo aspekte të sigurisë ishin dorëzuar vetëm kundrejt shteteve tjera, zakonisht përmes luftërave. Krijimi i rendit shumëpalësh post-LDB, si dorëzim i sovranitetit të brendshëm dhe të jashtëm ndaj mekanizmave shumëpalëshe, me marrëveshje, hapi një trajektore të re në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pa hyrë në debatet ndërmjet shkollave liberale dhe (neo)-realiste mbi pyetjen se a janë shtetet apo organizatat ndërkombëtare aktori kryesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, dy aspekte prej dy anëve mund të ceken. E para është, roli i padiskutueshëm i SHBA si hegjemon, në formën, përmbajtjen dhe natyrën që ky rend reflektoi dhe vazhdon të reflektojë. Përballë kësaj, duhet cekur edhe aspekti rregullativ që institucionet e këtij rendi arritën t’ia sillnin sistemit ndërkombëtar në 70 vitet e fundit, përmes normave të krijuara. Rendi botëror shumëpalësh translatlantik reflektoi shpesh, megjithatë jo gjithherë, interesat e hegjemonit.
Rikthimi tek sovraniteti: Krizat e rendit translatlantik
Rendi shumëpalësh transatlantik, i cili simbolizohet zakonisht me organizata si OKB, NATO, BE dhe Këshilli i Evropës, dominoi plotësisht sistemin ndërkombëtar që nga shembja e sistemit komunist në fillim vitet 1990. Sidoqoftë, në vitet e fundit, veçmas nga viti 2013, ky rend pësoi goditje të mëdha. Të gjitha institucionet u përballën me kriza, duke pësuar kështu dobësim serioz të legjitimitetit në sytë e qeverive, por edhe qytetarëve.
Kriza e BE u manifestua përmes dallimeve të mëdha ndërmjet qëndrimeve të shteteve anëtare për politika dhe vendime. Dhe jo vetëm për ndryshime në qëndrime të shteteve anëtare, por për mosgatishmëri për kompromis, më së vërejtshmi për krizën e refugjatëve. Për herë të parë shtete si Hungaria haptazi refuzuan të zbatonin politikat e BE-së. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE në vitin 2017 prodhoi situatë paqartësie në raport me të ardhmen e institucionit. Lëvizje të ngjashme populiste, nacionaliste dhe euroskeptike si BREXIT u zgjeruan në vende të rëndësishme si Francë, Austri, Holandë dhe Itali. Popullariteti i BE-së nëpër vendet anëtare shënoi rekord të ulët. Në gjithë këtë rrëmujë, BE humbi mbështetjen e aleatit më të madh. Me ardhjen e Trump në krye të SHBA, raporti SHBA-BE ndryshoi. Në sytë e SHBA, BE u shndërrua nga aleat, në barrë ekonomike dhe në vitin 2018 SHBA vendosi tarifa për automjete të BE. Përkrahja e pakushtëzuar e SHBA-ve për projektin evropian pas 70 vitesh u lëkund! Pavarësisht kësaj, BE i mbijetoi krizave, ndërkaq asnjë shtet tjetër nuk e braktisi organizatën dhe Eurobarometri ka prekur pikën më të lartë, por pikëpyetjet mbi funksionimin e saj ende rendin në ajër.
Kriza e NATO-s u vu në vëmendje të publikut me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ku u ngritën pyetje se si do të reagonte organizata në rast të një skenari të njëjtë, në njërin nga vendet e anëtare. Tutje, po si me BE-në, me ardhjen e Trump në krye gjërat ndryshuan. Për herë të parë një President i SHBA kritikoi publikisht funksionimin e NATO-s dhe akuzoi shtetet anëtare se ato nuk kryenin obligimet buxhetore; se SHBA paguante për sigurinë e tyre, por kjo gjë duhej të ndryshonte.
Takimi i vitit 2018 i G8 (G7) solli në pah ndarjet e mëdha ndërmjet shteteve të koalicionit transatlantik, me refuzimin e Presidentit të SHBA për të nënshkruar communiqué-në e përbashkët dhe mbrojtjen e zëshme ndaj tarifave të vendosura ndaj partnerëve, BE-së dhe Kanadasë. Në anën tjetër, në po këtë ngjarje, ndarasi nga të gjitha shtetet tjera, Trump kërkoi riinkuadrimin e Rusisë në G7. Rusia qe suspenduar nga vendet anëtare në vitin 2014, për shkak të aneksimit të Krimesë.
Këshilli i Evropës (KE) si organizata më e vjetër pan-evropiane nuk shpëtoi pa ferrë në këmbë. Me sanksionet ndaj Rusisë përmes ndalimit të votimit në Asamblenë e Përgjithshme, si kundërpërgjigje e aneksimit të Krimesë, Rusia ndaloi financimin për organizatën. Duke qenë grand-payer (një nga pesë shtetet kryesore financuese) akti i Rusisë shkaktoi një krizë serioze buxhetore. Por, kriza e KE është më e gjerë sesa financiare; ajo preku vlerat dhe mekanizmat e reagimit. Në Prill të vitit 2018 lajmi se deputetë të Asamblesë së Përgjithshme kishin pranuar rryshfet, për të mbrojtur regjimin autoritar të Azerbejxhanit nga kritikat e KE, drodhi themelet e organizatës. Tutje, mungesa e mekanizmave për veprim nga KE u vu në pah disa herë kur organizata u tregua e pafuqishme të reagojë ndaj veprimeve të shteteve si Turqia në arrestimin e qytetarëve, akademikëve dhe pjesëtarëve të shoqrisë civile.
Kjo valë i goditi të gjitha institucionet ndërkombëtare përmes krizës së legjitimitetit, financimit dhe funksionimit. Të gjitha këto organizata u përshkuan me ndarje të brendshme dhe fragmentarizim.
Prej arsyeve kryesore, në mos më kryesorja për këtë ndryshim është balanci i ri i fuqisë në sistemin ndërkombëtar. Nga viti 1990 SHBA udhëhoqën në mënyrë të pakontestuar sistemin ndërkombëtar. Rritja ekonomike e Kinës dhe forcimi i Rusisë në vitet e fundit kanë krijuar një situatë të re. Rezistenca ndaj SHBA është bërë përherë e më aktive dhe efektive, gjersa hapësira ekonomike dhe diplomatike e saj ka shkuar duke u tkurrur. Sistemi ndërkombëtar unipolar që vetëm disa vite më parë shihej si i përjetshëm, ka lëvizur sheshazi drejt sistemit multipolar. Tashmë ekzistojnë disa pika tjera pushteti përpos Washingtonit dhe vendeve të fuqishme liberale. Si pasojë e hapësirës së ngushtuar manovrimi në politikën ndërkombëtare, në vitet e fundit SHBA ka zbehur përkrahjen për shumëpalëshet ku ka pasur zërin më të fortë për 70 vjet. Bilanci i ri i fuqisë (i bërë bashkë me kriza të brendshme të vendeve anëtare) vuri pikëpyetje mbi rendin multilateral, si koncept dhe si funksion.
Efekti i krizës multilaterale në axhendën e shtetnjohjes së Kosovës
Kosova mbërriti në komunitetin e shteteve me vonesë, në vitin 2008. Natyrisht, pa anashkaluar lëvizjen 100-vjeçare për secesion nga Serbia të shek. XX, Kosova hyri në sistemin ndërkombëtar parësisht si pasojë e rendit liberal, thënë troç, përkrahjes së shteteve liberale dhe organizmave shumëpalëshe transatlantike. Për këtë arsye, krizat e institucioneve ndërkombëtare të këtij rendi krijuan një situatë të re në rrafshin e axhendës së shtetnjohjes së Kosovës.
Zhvillimet dhe dinamikat e lartpërmendura kanë shkaktuar zbehje të përkrahjes lobuese nga shtetet partnere. Kjo vërehet në numrin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe njohje dypalëshe. Anëtarësimi në Komisionin e Venecias në vitin 2014 llogaritet suksesi i fundit i rëndësishëm shumëpalësh. Kosova dështoi në votim në UNESCO 2015 dhe INTERPOL 2018, gjithashtu duke u tërhequr nga anëtrësimi për INTERPOL në vitin 2017 në mungesë të votave. Nga viti 2015 Kosova ka pranuar vetëm pesë njohje dypalëshe, nga Suriname, Singapori, Bangladeshi, Madakaskari dhe Barbados. Për më shumë, për Suriname dhe Madakaskar ka pasur raportime se e kanë tërhequr njohjen, që është mohuar nga MPJ. Tërheqja e njohjeve është një zhvillim tjetër i ri frenues ndaj agjendës së shtetnjohjes së Kosovës. Në mediat serbe është raportuar se deri tash janë tërhequr rreth 10 njohje edhe pse kjo është mohuar nga MPJ e Kosovës. Një pjesë e stagnimit të integrimit dypalësh dhe shumëpalësh doemos duhet t’i atribuohet zbehjes së përkrahjes së shteteve partnere për Kosovën, përballë sfidave të reja më serioze.
Zhvillimet e fundit të politikës ndërkombëtare kanë shkaktuar divergjenca të theksuara në qëndrimet e vendeve partnere në raport me Kosovën. Diferencat karshi shkëmbimit të territoreve (korrigjimit të kufijve) ndërmjet shteteve partnere të Kosovës ishin publike. Britania e Madhe i Gjermania janë dy shtete partnere që kanë kundërshtuar fuqishëm përfshirjen e territorieve si çelës për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Në anën e kundërt gjenden SAD i Franca. Dallime të këtilla ndërmjet shteteve partnere të Kosovës mbi çështje të rëndësisë kaq të lartë nuk janë hasur më herët.
Në raport me BE-në, problemet me refugjatët, BREXIT dhe sfidat e tjera të brendshme të shteteve anëtare, kanë lënë pas dore çështje që nuk janë parë të rëndësisë së lartë, ku bën pjesë liberalizimi i vizave për Kosovën. Supozohet se 10-12 vende anëtare janë kundër liberalizimit të vizave, një numër që është rritur rishtazi. Për shkak të sfidave tjera, për BE-në liberalizimi i vizave është një proces që nuk paraqet urgjencë. Gjithashtu, rritja e grupeve dhe e partive nacionaliste në disa prej vendeve anëtare të BE ka rritur zërat anti-Kosovë. Kandidatët Presidencialë të vendeve partnere Austrisë (Norbert Hofer) apo Francës (Marine Le Pen) publikisht shfaqën dyshime dhe animozitete për përkrahjen e qeverive të tyre ndaj Kosovës, madje duke diskutuar tërheqjen e njohjes. Tutje, humbja e Britanisë së Madhe në BE, si njëri nga partnerët kryesorë të Kosovës në relacion me integrimin në BE paraqet një sfidë tjetër që nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
Në gjithë këto ndryshime të dinamikave brenda shteteve dhe rrjedhimisht brenda organizatave ndërkombëtare axhenda e shtetnjohjes së Kosovës ka mbetur pezull. Tashmë rruga e vetme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës varet nga nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë.
Por, a ka mundur Kosova t’i përshtatet më mirë ndryshimeve të 5 viteve të fundit në raport me njohjen ndërkombëtare? Në fakt, pas gjithë këtyre ndryshimeve të sistemit ndërkombëtar, krizave të organizatave ndërkombëtare dhe forcimit të sovranitetit të shteteve, Kosova ka qenë e mpirë. Do të thotë ndonjëri se me taksën 100% ndaj Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, – e kundërshtuar nga e BE dhe shtetet partnere, apo me vendoshmërinë për tranzicionin e FSK në ushtri, – Kosova iu bashkua shteteve tjera që u distancuan nga mekanizmat ndërkombëtarë shumëpalësh, në kërkim të forcimit të sovranitetit shtetëror. Mund të thuhet! Por, këto masa nuk kanë të bëjnë me njohje ndërkombëtare. Faktorët kontekstualë sikundër njohja e limituar dhe legjitmiteti i dobët ndërkombëtar, kanë kërkuar reaksion të qartë, në përmasa të një konsensusi nacional në raport me axhendën e shtetnjohjes.
Në relacion me njohjen ndërkombëtare nuk janë vërejtur ndryshime substanciale në strategji. Në integrimin shumëpalësh Kosova rrallë ka hedhur zarin kah rrugët alternative, sikur traktatet dhe konventat ndërkombëtare, të cilat kanë kosto më të ulët në lobim dhe dështim eventual. Kosova ka vazhduar të “luajë ping-pong” mes aplikimit dhe riaplikimit në UNESCO-s dhe INTERPOL; ky risk vetëm sa e ka dobësuar legjitimitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në organizatën ku Kosova ka pasur gjasat më të mira për anëtarësim, Këshilli i Evropës, aplikacioni nuk është dërguar. Befasishëm në vitin 2018 Kosova ka aplikuar si anëtare vëzhguese në Organizatën për Bashkëpunim Islamik dhe bazuar në argumentimin e dobët të institucioneve për këtë hap, është e vështirë të dallohet nëse ky veprim paraqet ndryshim strategjie apo mungesë strategjie. Rishtazi Kosova ka reaguar me kundërofensivë ndaj fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve, përmes themelimit të marrëdhënieve diplomatike dhe hapjes së misioneve diplomatike, një hap pozitiv por i pamjaftueshëm.
Parë nga një lupë tjetër, në pesë vitet e fundit Kosova ka pasur dy palë zgjedhje (në vitin 2014 dhe në vitin 2017). Zgjedhjet e vitit 2014 u pasuan me gjashtë muaj, ndërsa ato të vitit 2017 me tre muaj, pa qeveri. Llogaritur me periudhën e fushatave zgjedhore kjo nënkupton që brenda kësaj periudhe Kosova ka humbur rreth një vit pa qeveri ose me qeveri në ikje. Ndërmjet këtyre dy periudhave, në vitet 2015-2017 Parlamenti i Kosovës qe në bllokadë. Këto zhvillime shpërfaqin përhumbjen e arenës politike kosovare në betejë për pushtet, pa shquar rrezikun nga lëvizjet e paparashikueshme të sistemit ndërkombëtar. Në vitet e stagnimit të njohjes ndërkombëtare, Kosova është shquar për jostabilitet të brendshëm.
Në përgjithësi, përshtatja e Kosovës ndaj ndryshimeve të rendit botëror në relacion me njohjen ndërkombëtare ka qenë minimale. Vitet 2008-2013 ku Kosova kishte ekspansion diplomatik kanë përfunduar. Sikundër për të gjitha shtetet dhe institucionet ndërkombëtare, edhe për Kosovën periudha a situata e re kërkon qasje të re veprimi.