Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Strategjia e njohjes dhe taktika e taksës

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të imponuar taksë, fillimisht, prej 10% e pastaj 100% mbi të gjithë artikujt e prodhuar në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë ishte një përgjigje taktike për fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës. Kjo kampanjë ofensive prodhoi dy rezultate negative për Kosovën. E para, disa shtete të vogla tërhoqën njohjet e tyre për shtetësinë e Kosovës dhe e dyta, përpjekjet e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol ishin të suksesshme. Pas kësaj, Kosova nuk arriti t’i merrte dy të tretat e votave të nevojshme dhe për herë të tretë në dështoi të bëhet anëtare e kësaj organizate. Në kthim, Kosova vendosi që produktet serbe dhe boshnjake t’i taksojë 100%.

Në fillim u mendua se Serbia dhe Kosova thjesht po mundohen që përmes veprimeve të tilla diplomatike të konsolidonin pozicionet e veta gjegjëse në vigjilje të negociatave për arritjen e një marrëveshjeje. Sipas përkrahësve të dialogut kjo marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse do të normalizonte marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Përveç kësaj, arritja e një akordi do të krijonte kushtet që këto dy vende ta kenë të mundur të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në terma afatgjatë si dy fqinjë të mirë. Ataku diplomatik i Serbisë dhe kundërpërgjigja e Kosovës u ideuan si taktika të cilat do të formësonin terrenin negociator që do të favorizonte qëllimet strategjike të të dyja vendeve.

Por aspekti taktik i këtyre veprimeve nuk pati për qëllim vetëm forcimin e pozicionit negociator në nivel të jashtëm dhe shtetëror. Këto veprime synuan të kockëzojnë edhe pozicionet e akterëve politikë karshi njëri-tjetrit në politika të brendshme. Fushata e Serbisë kundër Kosovës në anulim të njohjeve dhe pengimi i saj për t’u anëtarësuar në Interpol u shërbeu udhëheqësve politikë në vend. Përmes agresivitetit kundër Kosovës, lidershipi aktual në Serbi mundohet që të bindë opinionin dhe opozitarët se nuk ka hequr dorë nga Kosova dhe se ata janë politikanët më adekuatë për të mbrojtur interesat serbe në Kosovë.

Manovrimet e tilla taktike ishin sidomos të nevojshme për Qeverinë e Kosovës. Para se të merrte vendimin për të taksuar produktet serbe dhe boshnjake, për shkak të disa skandaleve, Qeveria e Kosovës gëzonte një pranueshmëri shumë të zbehtë qytetare. Lista e fryrë e Veteranëve të Luftës, humbja e 53 milionë eurove ndaj Bechtel Enkas dhe ngritja e pagës së Kryeministrit për vete ishin vetëm disa nga momentet që definuan njëvjeçarin e Qeverisë Haradinaj.

Për më keq, që nga bojkoti i Listës Serbe ky koalicion qeverisës në Kuvend nuk i ka 61 votat e nevojshme për t’i votuar ligjet. Pra bëhet fjalë për një legjitimitet jo shumë solid. Për të avancuar përpara me agjendën e vet, kësaj Qeverie i duhet bashkëpunim me parti opozitare, siç është rasti me PSD-në në votimin e buxhetit. Ligji për Ushtrinë dhe vendimi për taksën i dhanë infuzionin e munguar popullor kësaj Qeverie. Taksa erdhi mu në këtë situatë të pafavorshme për Qeverinë.

Në aspektin diplomatik kjo taktikë i ka ndihmuar Kosovës që të gjejë një përgjigje për ofensivën e Serbisë në rrafshin ndërkombëtar. Ndërkohë që në politikën e brendshme taksa ka shërbyer si stabilizues i Qeverisë. Në këtë nivel, taksa ka gjeneruar disa rezultate të mira. Por Kryeministri Haradinaj po këmbëngul se taksa nuk do të hiqet deri në njohje nga Serbia. Ai është i bindur se taksa është mjaftueshëm e fortë për të ushtruar trysni mbi Serbi. Megjithatë, Serbia ka kapacitete që ta përballojë këtë masë tarifore për shkak që eksportet serbe në Kosovë përbëjnë më pak se 3% të totalit të eskportit të Serbisë. Në matematika të tilla, kalkulimet se taksa mund të sjellë njohje janë shumë pak të gjasshme në terren.

Përveç kësaj, garantuesi i dialogut, ShBA-të, përmes deklaratave dhe dokumenteve të njëpasnjëshme zyrtare po kërkojnë që taksa të pezullohet në mënyrë që t’i jepet rast dialogut me Serbinë. ShBA-të e kanë bërë të ditur se negociatat nuk mund fillojnë pa u suspenduar taksa. Në të njëjtën kohë, ShBA-të e kaë bërë publik qëllimin e tyre strategjik se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është skenari që do t’i jepte fund kontestit mes tyre. Në këtë gjendje, dialogu nuk mund të fillojë, kurse njohja nuk mund të arrihet.

Siç po e shohim, kjo taktikë ka prekur kufijtë e mundësive të veta dhe ka filluar të jetë kundërproduktive. Qëllimi strategjik i njohjes po vështirësohet nga taktika e taksës. Siç e tha ish-diplomati amerikan, James Hooper, Kosova po sakrifikon qëllimet e mëdha strategjike në këmbim të fitoreve të vogla taktike. Sipas tij rreziku strategjik nga kjo taktikë e Haradinaj është i dyfishtë. I pari, njohja bëhet gjithnjë e më distante. Humbja prej 3% e totalit të eksportit nuk është edhe aq masë e vështirë për t’u përballuar nga Serbia. Ajo është përballur edhe me presione më të mëdha dhe nuk ka ndryshuar qëndrim rreth njohjes së Kosovës. Masat koercive si taksa vështirë se mund ta ekstraktojnë një vendim që duhet të jetë i vullnetshëm dhe demokratik.

E dyta, Kosova rrezikon asistencën e amerikanëve. Mungesa e mbështetjes amerikane do të kishte efekte direkte negative në të gjitha nivelet. Dihet se ligji që shndërroi FSK-në në ushtri u bë i mundur nga ShBA-të, përkundër faktit se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s doli kundër. Poashtu, reforma që FSK-në e shndërron në ushtri që zgjatë një dekadë nuk është e mundur pa mbështetjen e ShBA-ve. Vizita e Gjeneralit Christopher Connor e paralajmëruar për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ishte anuluar për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të pezulluar taksën. Ky është një paralajmërim për masa më të rënda. Meqenëse ndihma amerikane për Ushtrinë është edhe financiare dhe materiale, ndërprerja eventuale e saj do të kishte pasoja afatgjate.

ShBA-të e kanë bërë të ditur shumë herë javëve të fundit se dialogu duhet të fillojë. Për herë të parë në shumë vite ShBA-të po flasin në terma eksplicitë diplomatikë, duke thënë se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është interes nacional amerikan. Dështimi i dialogut është dështim i agjendës amerikane dhe cenim i interesave të tyre. Kësisoj, amerikanët janë bërë më agresivë në këmbënguljen e tyre për pezullimin e taksës.

Kosova është 10 vite larg ndërtimit të plotë të ushtrisë dhe ndihma ushtarake amerikane është qenësore. Rrezikimi i marrëdhënieve me ShBA-të do të prodhonte pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Mjafton të pushojë kjo përkrahje dhe Kosova mbetet pa institucionin që do të mund ta mbronte integritetin e vendit në rrethana të agresionit të jashtëm. Mund të themi se amerikanët po dërgojnë sinjale të qarta se nëse nuk pezullohet taksa, pezullohet reforma që e pajis Kosovën me ushtri.

Por masa të tilla nga ShBA-të pritet të afektojnë edhe sektorë të tjerë, siç është ai i drejtësisë dhe i politikës së jashtme. Qasja e tillë e amerikanëve mund ta prekë negativisht aftësinë diplomatike të Kosovës. Afirmimi ndërkombëtar i Kosovës është gati i pamundur pa mbështetjen e ShBA-ve. Pa përkrahjen e amerikanëve Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare. Për më keq, pa lobin amerikan vështirë që Kosova do të mund të merrte ndonjë njohje substanciale nga ndonjë shtet tjetër.

Pa mbështetjen amerikane, relacionet dypalëshe me shtete të tjera dhe anëtarësimi në organizatat shumëpalëshe do të ishte i pamundur. ShBA-të vazhdojnë ta asistojnë Kosovën me kapacitete diplomatike që e bëjnë afirmimin e saj ndërkombëtar më shumë një plan konkret sesa një dëshirë të largët. ShBA-të kanë marrë përsipër këtë punë. Strategjia amerikane që synon të konsolidojë një Kosovë sovrane dhe të pavarur është ende në takt. Çfarë ka ndryshuar është taktika e tyre për përfundimin e një problemi të trashëguar nga katër administrata amerikane. Por për dallim prej taktikës të Qeverisë Kosovës, taktika amerikane është ende në përputhje me strategjinë e tyre të madhe.

Prandaj insistimi i Qeverisë së Kosovës për të refuzuar me çdo kusht pezullimin e taksës duhet të rimendohet. Kërkesa amerikane për pezullim të taksës nuk duhet të shihet si kapitullim para Serbisë, por si hap që mundëson nisjen e një dialogu të udhëhequr nga partneri më i qëndrueshëm i Kosovës, ShBA-të, dhe që me shumë gjasë do të rezultonte me njohje reciproke mes dy vendeve. Ky ka qenë qëllimi i madh strategjik i të gjitha rretheve të dialogut të deritanishëm dhe nuk guxon të ndryshojë. Ndryshe, Kosova rrezikon të përballet me pasoja të paparashikueshme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.