Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Si të përmirësohet programi qeveritar pa kosto shtesë (pjesa III): Qeverisja dhe komunat

Në shkrimin paraprak u fokusova në fusha specifike ku mund të përmirësohet programi qeveritar duke përmendur politika konkrete me fokus në ekonomi dhe zhvillim. Aty u ndala në fusha si pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike, politikat fiskale, investimet kapitale për zhvillim, dhe teknologjia e bujqësia. Në shkrimin e mëhershëm kam folur për mënyrat se si mund të përmirësohet programi qeveritar pa shtuar kostot. Aty thashë se mënyra kryesore si të përmirësohet programi është përmës ndërthurjes dhe integrimit (mainstreaming) të gjashtë fushave në sa më shumë sektorë të politikëbërjes:

Të mirat publike, Industrializimi, prodhimi dhe eksporti, Meritokracia, Diaspora, Bashkëpunimi me Shqipërinë, dhe Interneti. Gjithashtu theksova se duhet njohur fakti se disa fusha ndërlidhen ngushtë me njëra tjetrën duke krijuar nyje (neksuse) të politikave publike siç është vetë ballafaqimi me pandeminë. Përsëri, këtu do të flasë për disa politika konkrete në fusha të ndryshme që lidhen me qeverisjen e mirë dhe qeverisjen lokale që mund të ndryshohen pa kosto (e ku disa mund të kenë kosto të vogla e disa tjera mund të jenë edhe dobiprurëse).

Qeverisja e mirë

Lidhje me pikat ku flitet për modernizimin e administratës publike, dhe ku thuhet do të reformojmë administratën e sistemit të drejtësisë, duhet që vlerësimi i performancës të bazohet në lakore e jo në modelin që ka ekzistuar deri më tash që është treguar joefektiv. Te pika mbi avancimin e luftës kundër korrupsionit, duhet të konsiderohet dhënia e fuqive prokuroriale Agjencisë Anti-Korrupsion. Kjo do ta korrektonte gjendjen aktuale ku hallka mes Agjencisë dhe prokurorisë nuk funksionon, sepse dosjet që përgatiten nga Agjencia përfundojnë në prokurori pa u proceduar më tutje. Një Agjenci me mandat më të fortë, sipas modelit të Singaporit, do të ishte më efektive në luftën kundër korrupsionit.

Qeverisja Lokale 

Duhet të draftohet Ligji për qytetet që u ndihmon komunave urbane të ofrojnë shërbime më të mira. Kjo ndërlidhet me Grantin e Katërt për komuna, i cili pjesërisht mund të rezervohet për investime në transport publik dhe gjelbërim. Gjithashtu ligji për qytetet ndihmon edhe në pikën: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve, ku mund të forcohet kohezion social duke hapur rrugën që të formohen qytete që kanë më shumë se një komunë, si për shembull Qyteti i Mitrovicës që i sjellë bashkë dy komunat ekzistuese.

Por këtë model mund ta përdorin edhe qytete tjera për të sjellë bashkë komunat e reja me komunat amë si psh Viti-Kllokot, Kamenice-Ranillug etj. Natyrisht këtu përfshihet edhe Qyteti i Prishtinës që mund të përfshijë komunat e lidhura ngushtë me komunën e Prishtinës si Fushë Kosova, Obiliqi e Graçanica. Kjo pra e ndihmon edhe pikën: Përmirësimi i bashkëpunimit ndër-komunal dhe ndërkufitar. Ky ligj hapë rrugë edhe për diplomacinë e qyteteve që do të ishte një aset për Kosovën, e cila është vazhdimisht në kërkim të afirmimit diplomatik.

Mund të draftohet një ligj i veçantë për asociacionet e komunave, i cili do t’i inkorporonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe provizionet e tanishme në ligjet ekzistuese që flasin për asociacione. Ky ligj do të hapte rrugë që agjencitë zhvillimore rajonale (RDA, regional development agencies) të konvertohen në shtatë asociacione rajonale që e mundëson funksionimin e tyre edhe pas përfundimit të financimit nga jashtë. Gjithashtu do të mund të krijoheshin asociacione të komunave rurale dhe urbane.

Gjithashtu, mund të draftohet një ligj për euroregjionet i cili hapë rrugë për bashkëpunim ndërkomunal ndërkufitar. Kjo do ta mundësonte menaxhimin dhe shfrytëzimin më të lehtë të resurseve turistike që shtrihen në disa shtete siç janë për shembull Alpet Shqiptare. Kjo gjithashtu do të hapte rrugë që Kosova të propozojë përfshirjen e komunave shqiptare në Serbi, dhe komunave serbe në Kosovë në një euroregjion të përbashkët ku do të mund të ngritnin çështje që kanë të bëjnë me qeverisje komunale dhe të drejtat e pakicave.

Konsiderata shtesë

Përveç këtyre më lartë, duhet planifikim për kontingjenca dhe studim të politikave të mundshme të reja. Qeveria duhet të financojë një studim mbi mësimet e pandemisë. Kjo për të kuptuar se si mund të jemi të përgatitur për pandemi tjera, si ndikon pandemia në arritjen e synimeve të qeverisë (instalim të shtetit zhvillimor, reforma në arsim etj), dhe si mund t’i shfrytëzojmë përvojat e pandemisë për të përmirësuar politikëbërjen.

Për shembull, si mund të shfrytëzohet përvoja me mësimin onlinë për të përmirësuar qasjen në shkollim për fëmijet me aftësi të kufizuara dhe fëmijët në diasporë. Gjithashtu qeveria duhet të studiojë politika tjera potenciale që do të mund të ndikonin në ulje të kostove dhe në ekonomi, si për shembull përdorimi i softuerit të lirë (open source), dhe legalizimi i rritjes dhe eksportit të kanabisit medicinal për shtetet ku ai tashmë është legalizuar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.