Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Interpretimi dhe mjeshtërimi i kushtetutës

Kushtetuta dhe interpretimi i saj

Kushtetuta është ligji suprem dhe për këtë ajo konsiderohet edhe si feja civile apo ligji i popullit. Miratimi i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1788), paraqet fillimin e epokës së kushtetutave moderne. Por, sfondi ishte i mbushur me përpjekje të shumta për kufizimin e pushtetit, garantimin e të drejtave të njeriut dhe barazinë para ligjit. Keneth C. Wheare argumenton se kushtetutat moderne pa përjashtim hartohen dhe miratohen nga vullneti i popullit për të bërë një fillim të ri të sistemit qeverisës.

Kushtetuta është një dokument unik, i cili nuk mund të përshkruajë apo të përcaktojë të gjitha rregullat të cilat do të jenë të mjaftueshme, për t’ju përgjigjur çdo situate. Nëse kushtetuta do të përmbante saktësisht të gjitha nënndarjet e pushtetit dhe mjetet për ekzekutimin e tyre, atëherë do të ishte një dokument ligjor i zgjatur, që vështirë se do të mund të pranohej nga mendja njerëzore, argumentonte Kryegjyqtari amerikan John Marshall në vitin e largët 1819. Prandaj, në raste të veçanta kushtetuta ka nevojë të interpretohet. Ky interpretim bëhet me qëllim të zbatimit të supremacisë së kushtetutës.

Në të njëjtën kohë me paraqitjen e kushtetutave të shkruara moderne janë modeluar edhe autoritetet kompetente për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe interpretimin përfundimtar të saj. Modeli kryesor padyshim është ai gjyqësor, i cili është zhvilluar në dy forma: (1) i decentralizuar (apo modeli amerikan) në të cilin mbrojtja e kushtetutshmërisë bëhet përmes gjykatave të zakonshme, por rolin kyç e luan Gjykata Supreme dhe (2) i centralizuar (modeli austriak apo evropian), që konsiston në ekzistimin e një gjykate të posaçme kushtetuese të dizajnuar nën ndikimin e teorisë, së juristit të njohur Hans Kelsen.

Interpretimi i kushtetutës është procesi i dhënies së kuptimit të dispozitave specifike kushtetuese. Sepse disa dispozita janë të qarta dhe s’kanë nevojë për interpretim. Por dispozitat e kushtetutës për të cilën luftohet, brenda dhe jashtë gjykatave, nuk janë aq të qarta. Interpretimi i kushtetutës nuk është një proces i thjeshtë dhe Gjykata merr për bazë shumë argumente gjatë interpretimit të një çështjeje kushtetuese si në vijim: (1) teksti i normës; (2) qëllimi i hartimit të saj; (3) zbatimi evolutiv i kushtetutës; (4) doktrina kushtetuese; (5) argumentet strukturore; (6) konsekuenca e vendimeve; (7) argumentet morale; (8 )argumentet sociale dhe (8) praktikat kosmopolitane.

Dilemat e interpretimit: origjinalizmi apo kushtetuta e gjallë

Vendimet që materializon Gjykata në rastet e caktuara kushtetuese, kanë qenë të diskutueshme dhe të tilla do të vijojnë të jenë. Ky debat pro et contra manifestohet shpesh edhe në kuadër të vetë opinioneve të gjyqtarëve të Gjykatës përkatëse, të cilat bëjnë interpretime të ndryshme për rastin e caktuar. Kjo ka ndikuar të afirmohen edhe teoritë e interpretimit, ndër të cilat më të njohura janë: (1) origjinalizmi dhe (2) kushtetuta e gjallë.

Sipas origjinalizmit, interpretimi i kushtetutës duhet të kufizohet me kuptimin e tekstit të kushtetutës apo qëllimit të hartimit të normës dhe gjykata nuk ka mandat të rishkruajë kushtetutën. Gjykatësit nuk duhet t’i imponojnë pikëpamjet e tyre në vendimin kushtetutës, por gjykata duhet të luajë rolin e një historiani të mprehtë dhe të besueshëm. P.sh. Gjyqtari Antonin Scalia, një origjinalist dhe antikozmopolitan i përbetuar, në opinionin mospajtues në rastin Obergefell v. Hodges (2015) duke kritikuar vendimin e shumicës shprehej: “Praktika e rishikimit kushtetues nga një komitet i pazgjedhur prej nëntë gjyqtarësh, i shoqëruar gjithmonë me lavdërime ekstravagante të lirisë, i heq Popullit lirinë më të rëndësishme që ata pohuan në Deklaratën e Pavarësisë dhe fituan në Revolucionin e 1776: lirinë për të qeverisur vetë”.

Nga ana tjetër, sipas teorisë së kushtetutës së gjallë, Gjykata në rastet e caktuara mund të ndërtojë norma apo standarde të cilat nuk janë në tekstin e kushtetutës. Ky interpretim është edhe në funksion të jetëgjatësisë së kushtetutës dhe akomodimit të zhvillimeve të reja. Instrumenti më i përshtatshëm për këtë është jurisprudenca e gjykatës, ndërsa amendamenti kushtetues është përjashtim. Kështu profesor Ronald Dworkin, kundërshtar i denjë i origjinalizmit, thekson se ekuacioni i interpretimit kushtetutës nuk duhet të bëhet sipas kuptimit apo qëllimit origjinal, pasi kushtetuta është një dokument parimesh të cilat formësohen nga Gjykata, të cilën ai e quan si “forum të parimeve”.

Por ajo që i përbashkon palët kundërshtarë është dakordimi se Gjykata ka funksionin dominues interpretimin dhe kuptimin e vërtetë të Kushtetutës. Pavarësisht mjedisit kundërthënës, parimi i sundimit të ligjit, kërkon që vendimet e Gjykatës të respektohen dhe ato nuk u nënshtrohen procedurave të votimit apo apelimit. Nisur nga fakti se Gjykata është institucioni që përcakton kufijtë e autoriteteve të pushtetit dhe vendimet e saj janë të paapelueshme. Gjykata nuk është vetëm gardiani, por në disa raste edhe Mjeshtri i Kushtetutës, ka thënë juristi i famshëm anglez Diacy. Në raste të caktuara, duke interpretuar kushtetutën, Gjykata edhe e mjeshtëron atë.

Mjeshtërimi i kushtetutës, ka një zanafillë të hershme që na kthen prapa në kohë tek rastet e famshme Marbery kundër Medisonit (1803) apo McCulloh kundër Maryland (1819), të Gjykatës Supreme të SHBA-së. Kryegjyqtari Marshall, përmes këtyre vendimeve, vendosi juridiksionin se kushtetuta është ligji themelore dhe aktet tjera të cilat nuk janë ne pajtim me të janë të pazbatuara. Si mjeshtër i madh Marshall gjeti “kompetencat e nënkuptuara” prapa atyre të shkruara në kushtetutë. Këtë veprim ai e mbështeti me deklaratën e tij të famshme se “nuk duhet ta harrojmë kurrë se Kushtetuta është ajo që ne e shpjegojmë”.

Konteksti kosovar i gjyqësisë kushtetuese

Kushtetuta e Kosovës, i takon tipit të kushtetutave liberale. Një nga parimet themelore është kufizimi i pushtetit. Në Nenin 16 (2) përcaktohet se pushteti qeverisës buron nga kushtetuta. Por autoriteti për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe interpretimin përfundimtar të saj është Gjykata Kushtetuese. Ngjashëm si në vendet tjera edhe në Kosovë, disa nga vendimet e kësaj Gjykate vijojnë të jenë të diskutuara me theks të veçantë ato lidhur me themelimin dhe fushëveprimin e institucioneve kryesore të shtetit.

Aktgjykimi i Gjykatës në rastin nr. KO95/20, përmes së cilit u anulua Vendimi i Nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë dërgoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Për më shumë ky vendim nxiti shumë debat për faktin nëse Gjykata ka interpretuar drejt kushtetutën. Thelbi i debatit është se dispozitat ligjore rreth kufizimit të së drejtës për zgjedhje janë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese. Neni 45 (1) i kushtetutës përcakton se e drejta në zgjedhje mund të kufizohet përjashtimisht me vendim gjyqësor. Ndërsa Ligji nr. 03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në nenin 29.1(q) përcakton si kufizim edhe rastin kur një person i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit;

Në praktikën e deritashme, kjo dispozitë ligjore, është konsideruar në kundërshtim me kushtetutën dhe në disa raste konkrete nuk kishte gjetur zbatim. Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Supreme në vendimin AA.-Uzh.nr.16/2017, kishte gjykuar se dispozita përkatëse ligjore nuk është në pajtim me kushtetutën dhe kishte zbatuar dispozitën kushtetuese. Por Gjykata Kushtetuese ka gjykuar ndryshe dhe mes tjerash ka konstatuar se “personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor te formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat te vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, duke i dhënë epërsinë dispozitës ligjore. Duket se argumentet kryesore që ka përdorur Gjykata kushtetuese janë: (1) argumenti strukturor duke interpretuar dispozitat kushtetuese të ndërlidhura njëra me tjetrën; (2) argumentin kozmopolitian duke iu referuar praktikave të shumta ndërkombëtare dhe (3) argumentin moral si rritjen e integritetit të Kuvendit.

Interpretimi strukturor i nenit 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes], nenit 55 [Kufizimi i të drejtave] dhe nenit 71 [Kualifikimet dhe barazia gjinore] konsiderojmë se është mjeshtërimi i kushtetutës. Neni 55 përcakton se të drejtat dhe liritë themelore mund të kufizohen vetëm me ligj, dhe ato kufizime nuk mund të mohojnë esencën e të drejtës së garantuar. Kjo është një normë e përgjithshme dhe i referohet rasteve të paparashikuara që mund të ndodhin (p.sh. ligjin nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19). Por kufizimi i së drejtës së zgjedhjes është i paracaktuar me Nenin 45 dhe duhet të bëhet përjashtimisht me vendim gjyqësor. Është gjykata ajo që duhet t’i vlerësojë faktet dhe rrethanat nga rasti në rast, për të vendosur nëse një individi do t’i kufizohet kjo e drejtë dhe jo dispozita e përgjithshëm ligjore. Kufizimi i tillë gjeneral mund të thuhet se prek esencën e të drejtës së garantuar dhe nuk i shërben qëllimit te kufizimit. Por Gjykata Kushtetuese ka luajtur rolin e forumit të parimeve (pika 2 e Aktgjykimit) dhe dispozitën ligjore e ka bërë parim kushtetues. Debati rreth vendimit do të vijojë por individët dhe institucionet duhet ta zbatojnë.

Krejt në fund, mund të thuhet se gjatë interpretimit, kuptimi i kushtetutës ndryshon. Në rastin e Kosovës, Gjykata Kushtuese vijon të luajë rol thelbësor në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe jo vetëm. Në një mjedis kundërthënës, polarizues dhe mungesë të konsensusit të nevojshëm dhe eskivimeve të pafundme, institucionet publike apo subjektet politike kanë vijuar t’i drejtohen Gjykatës si instancë e fundit. Gjykata në vendimet e saj jo rrallëherë iu ka kthyer përgjigjet, se ju mund të vini deri këtu dhe tani valët tuaja ndërpriten. Kushtetua është ajo që Gjykata thotë se është.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.