Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Triumfi i së majtës në ShBA dhe rikthimi i kërcënimit të inflacionit

Për pothuajse të gjithë, zgjedhja e Joe Biden-it si President i ShBA-ve nënkuptonte vazhdimësi të Presidencës Obama. Përkundër faktit se ishin produkt i flakës progresive për ndryshim, Obama dhe Biden do të qeverisnin si të moderuar në çështje kulturore dhe si konzervativ fiskal në ekonomi. Në frymë të njejtë, kandidati Biden do të bënte sërish kampanjë – suksesshëm, ashtu siç edhe doli. Mes një përçarësi me gjuhë inflamatore në Presidentin Trump, dhe radikalëve të majtë në figurat Sanders apo Warren, Biden kishte dalë si një zgjidhje e përshtatshme – ndonëse jo ngazëllyese – për popullin Amerikan.

Në këtë kontekst, Presidenti Biden muajin e kaluar i habiti të gjithë duke kaluar në Senat një pako stimuluese të paprecedent e cila kap shifrën marramendëse prej 1.9 trilionë dollarëve, duke treguar kështu se ai është gjithçka çfarë krahu i majtë ekonomik kishte ëndërruar tek një president.

Përmbajtja e pakos fiskale është natyrisht e admirueshme. Nga ndihmat për qytetarë, për ata që humbën punën në pandemi, shtesat për fëmijë, etj., kjo pako ofron lehtësim tejet të nevojshëm për shtresat e prekura nga pandemia dhe kriza ekonomike.

Përtej përmbajtjes, megjithatë, magnituda e kësaj pakoje – e cila është dhe tema qendrore e këtij artikulli – përbën një transformim rrënjësor të ortodoksisë mbizotëruese në mendimin ekonomik.

Për dekada të tëra, prej stagflacionit të 1970-tës, mendimi dominues ekonomik i reflektuar në pajtim bipartizan nga establishmenti i të dy partive kryesore në ShBA, ka qenë i preokupuar kryesisht me minimizimin e rrezikut të inflacionit para uljes së papunësisë dhe qëllimeve të tjera të shtetit.

Me kalimin e kësaj pakoje, e cila vjen pas shpenzimit të mbi 3 trilion dollarëve për ta luftuar rënien ekonomike, dhe në një kohë kur planifikohet të shpenzohen trilionë të tjerë në infrastrukturë dhe fusha të tjera, shqetësimi tradicional rreth borxhit publik dhe inflacionit i ka lëshuar rrugë shqetësimit se ndërhyrja e shtetit do të jetë e pamjaftueshme për të rikthyer ekonominë në shina.

***

Problemi te qasja e Presidentit Biden është se ajo shkon përtej metodave konvencionale për ballafaqim me krizë ekonomike. Përtej luftimit të krizës, magnituda e kësaj pakoje nënkupton transformim rrënjësor të rolit të shtetit në ekonomi. Së pari, situata ekonomike nuk është as për së afërmi e zymtë për të justifikuar këto shpenzime masive. Së dyti, ekziston një nivel i lartë i kërkesës së bllokuar (pent-up demand) që do ta fuqizoj kërkesën ndjeshëm. Së treti, këto shpenzime e tejkalojnë shumëfish hendekun e prodhimit.

Përderisa në vitin 2009 ShBA-ja ishte e zhytur thellë në krizë ekonomike, tani ekonomia është e shëndoshë dhe pritjet për të ardhmen janë tejet pozitive. Në vitin 2009, shkalla e papunësisë në ShBA ishte 8.1%, sistemi financiar botëror kishte kolapsuar, dhe me borxh publik prej 9 trilionëve Senati kishte vendosur të kalonte një pako stimuluese prej 787 miliardë dollarëve. Për dallim, sot, kur të gjithë indikatorët kryesor janë pozitiv – nga shkalla e ulët e papunësisë, gjendja financiare e konsumatorëve, çmimet e aksioneve, etj – dhe kur borxhi publik është 28 trilionë dollarë, Senati ka vendosur të kaloj një pako stimuluese prej 1.9 trilionë dollarëve (mbi trilionët tjerë që veç janë shpenzuar dhe të tjerët që pritet të shpenzohen).

Sipas disa parashikimeve, Amerikanët këtë vit kanë kursyer mbi 1.6 trilionë dollarë më shumë në krahasim me çfarë do të kursenin zakonisht. Kur masat të relaksohen, ata do të fillojnë të shpenzojnë këto kursime, duke e fuqizuar ndjeshëm kërkesën dhe duke e kthyer ekonominë përsëri në shina. Rrjedhimisht, ky nivel i lartë i kërkesës së bllokuar i bën shpenzimet e mëdha të administratës Biden të panevojshme dhe potencialisht me pasoja të dëmshme për ekonominë.

Nga pikëpamja e pastërt makroekonomike, në kriza ekonomike ndërhyrja qeveritare është e domosdoshme për të zvogëluar hendekun e prodhimit dhe për të rikthyer besimin e konsumatorëve. Mirëpo, siç vëren me të drejtë Lawrence D. Summers, ish-Sekretar i Thesarit në Administratën Klinton dhe ish-Drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar në Administratën Obama, shpenzimet e administratës Biden e tejkalojnë shumëfish hendekun e prodhimit. Në krizën financiare të vitit 2009, hapësira mes prodhimit dhe potencialit të prodhimit ishte rreth 80 milardë dollarë në muaj. Për të zbutur këtë boshllëk, pakoja stimuluese atëherë do të injektonte deri në 40 miliardë dollarë në muaj gjatë vitit 2009 – pra, gjysmën e shumës së prodhimit të munguar. Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, vetëm me pakon 900 miliardë dollarëshe, e cila është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, hapësira mes prodhimit dhe potencialit të prodhimit do të ulet nga 50 miliardë dollarë në muaj, në fillim të vitit, në 20 miliardë dollarë në muaj në fund të vitit. Me pakon e re do të injektohen 150 miliardë dollarë në muaj – pra, së paku trefish më shumë se sa shuma e rënies së prodhimit. Pra, përderisa në vitin 2009 stimuluesi ishte sa gjysma e rënies së prodhimit, tash stimuluesi do të jetë trefish më i madh se sa rënia e prodhimit. Në raport me madhësinë e hendekut që adresohet, tash stimuluesi është gjashtëfish më i madh.

Këto argumente tregojnë se pakoja lehtësuese e Presidentit Biden, e destinuar si përgjigje konvencionale ndaj krizës ekonomike, në fakt është një Kalë i Trojës për të ndryshuar rrënjësisht paradigmën ekonomike në ShBA, duke e fuqizuar rolin e shtetit në ekonomi.

***

Se çfarë efekti do të ketë ky intervenim qeveritar në ekonomi mbetet të shihet, mirëpo disa ekonomistë kanë fillur ta ngrejnë alarmin për kërcënimin e inflacionit që mund t’i kanoset ekonomisë Amerikane.

Për Wendy Edelbert nga Brooking Institutions, rreziku i këtyre shpenzimeve është nëse njerëzit do të mendojnë se rritja e çmimeve do të jetë permanente. Në një rast të tillë, do të kemi një profeci vetëpërmbushëse, ku bizneset do të rrisin çmimet dhe punëtorët do të kërkojnë rritje të pagave, duke e lëshuar një spirale inflacionare me trend rritës në ekonomi e cila vështirë se do të mund të kontrollohet pastaj.

Lawrence D. Summers, ish-Sekretar i Thesarit në administratën Klinton, parashikon që kjo qasje ka gjasa një-në-tre të shkaktojë inflacion më të lartë, gjasa një-në-tre të ndikojë që Banka Qendrore (FED) të rrisë normat e interesit për të parandaluar mbinxehjen e ekonomisë dhe kështu të dërgojë ekonominë drejt recesionit, dhe gjasa një-në-tre që gjithçka të shkojë sipas planeve të zyrtarëve të Bankës dhe administratës Biden.

Zyrtarët e Bankës Qendrore, në anën tjetër, i kanë nënvlerësuar shqetësimet e mbinxehjes së ekonomisë dhe inflacionit. Zëvendës-drejtori i Bankës, Richard H. Clarida, ka potencuar se ende janë 9.5 milionë vende të humbura të punës nga pandemia, dhe rrjedhimisht, sipas tij, ekonomia ka ende shumë hapësirë për t’u shëruar para se dikush të fillojë të brengoset për mbinxehje të ekonomisë.

Për administratën Biden, shpenzimet e këtij viti do të shkojnë duke u zvogëluar pasiqë s’janë permanente, dhe kësisoj rritja e çmimeve do të jetë një ngjarje e njëherëshme. Ata parashikojnë se çmimet do t’i kthehen normalitetit dhe që papunësia do të ulet. Rrjedhimisht, sipas parashikimeve të tyre, vitin e ardhshëm ekonomia do të jetë e stabilizuar ndërsa inflacioni në nivel stabil.

***

Me këtë nivel të paprecedent të shpenzimeve qeveritare, është e qartë se tanimë ShBA-të janë duke ecur në territor të pashkelur. Megjithatë, është herët të konkludojmë se shqetësimet rreth inflacionit do të materializohen. Sido që të jetë, në këtë situatë çdo rezultat do të jetë suboptimal për përkrahësit e së djathtës ekonomike. Në rast se inflacioni del jashtë kontrollit, një ngjarje e tillë do të ketë pasoja serioze për ekonominë Amerikane dhe globale. Në rast se Banka Qendrore arrin ta menaxhojë atë – pa e dërguar ekonominë në recesion – e majta do ta konsiderojë pakon fiskale të Presidentit Biden si fitore ideologjike, dhe do të trimërohet për ta vazhduar kryqëzatën e saj për fuqizim gjithnjë e më të madh të rolit të shtetit në ekonomi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.