Ka kohë që thuhet se populizmi është një nga shprehjet politike që e vë demokracinë në rrezik. Po ashtu, është krijuar përshtypja se secili politikan apo secila parti politike në një moment të caktuar mund të kalojë lehtësisht në populizëm, e kjo përshtypje nuk është se nuk qëndron. Kohëve të fundit kemi parë gjithandej nëpër botë fushata elektorale ku ligjërimi populist, ku më pak e ku më shumë, ishte i pranishëm. Mbase edhe BREXIT-i ishte pothuajse kryekëput ligjërim populist. Gjithashtu, rasti me refugjatët nga Siria dhe vendet e tjera që mësyn Europën, alarmi që ndezi e nxori në pah një populizëm që herë-herë kaloi edhe në fashizëm. Kurse, rasti në Amerikë, me Trump-in nxori në pah edhe më brishtësinë e demokracisë, por po ashtu, shpërfaqi edhe vështirësitë nga kampi liberal-demokrat që të gjejnë forcë dhe të ballafaqohen me populizmin që përfaqësonte ai.
Pra, siç edhe kemi vërejtur, këtu kemi të bëjmë me dy mendësi, me dy botëkuptime mbi realitetin. Brenda diskursit liberal-demokratik dominon ligjërimi konkret, pa ngarkesa emocionale, me një rrjedhë sa më normale dhe graduale, dhe po ashtu pa ekzagjerime (në shumicën e rasteve) dhe si i tillë ai nuk provokon tek masat adrenalinë. Ndërsa, tek diskursi populist ligjërimi politik është në shpërputhje me realitetin. Me shumë ngarkesë emocionale, me ofrim të zgjidhjeve (sado të komplikuara) përmes rrugëve të shkurtra, me ekzagjerime, e që synon të ngre adrenalinën tek masat sa më shumë që të jetë e mundur.
Për populistët pothuajse çdo problem është i thjesht, mirëpo, atë e bënë të komplikueshëm mungesa e vullnetit dhe guximit. Thjeshtëzimi është fondamenti diskursiv politik i tyre. Përmes moralizimit të politikës populistët ndërtojnë një gjuhë politike që krijon polarizime të forta në shoqëri dhe ku të mirët dhe të këqijtë tanimë duken sikur në mes të një lëndine. Përmes mbithjeshtëzimit të problemeve dhe moralizimit të veprimeve politike ata ndërtojnë kauza politike të paqena, e ku përmes tyre synojnë jo vetëm pushtetin (atë po se po), por synojnë edhe krijimin e hendekut mes atyre që ata i konsiderojnë të mirë dhe atyre që tanimë i kanë shpallur si e keqja e popullit. Krejt kjo bëhet duke u thirrur në të ashtuquajturin vullnet i popullit. Vullneti i popullit bëhet kolona zanore e kinse legjitimitetit të tyre politik, edhe pse Christopher H. Achen dhe Larry M. Bartels, vullnetin e popullit e identifikojnë me fantazinë.
Gjithashtu, vetë kategorizimi “popull’ është nocion abstrakt, nuk shënjon diçka konkrete, prandaj, Habermas-i mendonte se populli si kategori ekziston vetëm në diversitet. Por, kjo nuk ka rëndësi për populistët, sepse ata kur i referohen popullit apo vullnetit të tij, për adresë kanë grupin e pakënaqur në shoqëri, masat që të mllefosura për shumë arsye identifikohen me ta dhe anasjelltas. Ky totalizim krijon perspektivë interpretimi, duke simuluar kriza të paqena ose ato që janë duke i hiperbolizuar dhe kështu krijojnë një gjendje hiperreale. Kriza ose prodhimi i tyre është markë zjarri populiste dhe nëse e tashmja nuk ju ofron katastrofa të mjaftueshme për t’u shfrytëzuar, atëherë duhet prodhuar katastrofat imagjinare të së ardhmes.
Populizmi është projeksion fatalist. Krejt kjo bëhet duke moralizuar për gjithçka dhe për çdo gjë, e ku populistët e bëjnë mbi bazën e ekskluzivitetit moral. Përveç që besojnë se kanë të vërtetën, ata besojnë se edhe moralisht janë e drejta absolute dhe mbi bazën e kësaj edhe sillen në politikë. “Populizmi, i cili kornizon politikën si një betejë midis njerëzve të zakonshëm dhe elitave të korruptuara”, bën që bazamenti i diskursit populist të jetë morali.
Nëse këtë çka u tha më lartë e zhvendosim në nivelin e politikës kosovare, atëherë vërejmë se ku dhe cila më pak ose më shumë identifikohen me këto shprehje populiste, e sidomos kjo qartësohet edhe më me fushatën elektorale të fundit që u zhvillua. Mbi bazën e një ligjërimi populist që është instaluar nga partitë dhe grupe të ndryshme, është krijuar një polarizim i skajshëm në shoqëri. Mirëpo, ky polarizim nuk vjen si rezultat i ndasive ideologjike, sepse partitë politike tek ne kanë shpërputhje të mëdha në mes të diskursit teorik dhe veprimit politik. Ajo çfarë propagandojnë dhe ajo çka veprojnë pastaj janë të papajtueshme. Prandaj, polarizimi duke mos qenë me bazë ideologjike, është shumë më vulgar, sepse është i shtresëzuar mbi bazën inateve, e të cilat vijnë si pasojë e mospajtimeve në shumicën e rasteve mbi të kaluarën. I gjithë ky mllef u kanalizua nëpër të gjitha partitë politike dhe ku nga aty u plasua përmes ligjërimit populist.
Ndarja në “ata” që identifikohen me defektin në histori, me korrupsionin në qeverisje dhe të keqen në përgjithësi, dhe në “ne” që përfaqësojnë vullnetin e popullit për liri, për demokraci, për pastërti morale e politike, rrjedhimisht të mirën, është kauza politike që i karakterizon të gjitha partite politike në vend. Nisur nga ky simplifikim, atëherë vijmë edhe në përfundimin, siç thotë Jan-Werner Müller: “Ne kemi një publik të gjerë që është shumë injorant në lidhje me çështjet publike dhe shumë i ndjeshëm ndaj parullave thjeshtëzuese”, atëherë krijohen mekanizma të shantazhit moral mbi të cilat u ndërtua ngrehina e të mirëve dhe e të këqinjëve.
Totalizimi se të gjithë që janë në pushtet janë të korruptuar është jo i saktë, sikruse që është e pasaktë përshtypja se ata që nuk kanë qeverisur janë të pastërt, kjo për faktin e vetëm, sepse trajtimi në bllok e zhvleftëson përgjrgjësinë individuale dhe i penalizon edhe ata që ishin/janë të përgjegjshëm. Nëse, qoftë vetëm edhe një zyrtar/politikan nuk ishte/është i/e korruptuar, atëherë e prish rendin e gjërave, sepse siç thoshte Karl Popper-i nëse brenda llojit të pulëbardhave ekziston një pulëbardhë e zezë, atëherë nuk mund të themi se të gjitha pulëbardhat janë të bardha (siç!).
Marrë parasysh se jetojmë në një botë shumë të ndërvarur me të tjerët dhe të digjitalizuar po ashtu, problemet lokale jo çdoherë janë edhe të tilla. Një problem lokal mund të ketë efekte globale dhe anasjelltas. Oferta populiste se kinse ka zgjidhje për gjithçka dhe çdo gjë, nuk është vetëm një mashtrim ordiner, por mund të prodhojë edhe dëme të mëdha. Shpesh mendohet se populizmi është vetëm një irritim momental politik në rendin demokratik dhe se shumë shpejt ai pushon së qeni i pranishëm ndër ne. Përderisa kemi politikanë që veten e projektojnë si pjesë inherente të halleve të popullit, ndërsa kauzën e tyre si domosdoshmëri historike, e kur kemi parasysh se populizmi veprimtarinë e tij e ushtron edhe me metoda demokratike, atëherë është iluzion se ai do të zhduket lehtë.
Ndoshta një sjellje të tillë populiste më s’miri do ta ilustronte derri Skuileri. Kur ata (derrat) gjenden nën akuzat se po merrnin qumështin dhe mollët vetëm për vete, derri Skuileri ju drejtohet kështu shtazëve të fermës: “Shokë, s’besoj t’ju shkojë ndër mend se mos ne, derrat, po e bëjmë këtë duke u nisur nga interesi personal për t’i krijuar vetes privilegje. Ç’është e vërteta, një pjesë e mirë prej nesh nuk i vë në gojë as qumështin dhe as mollët. Por jemi të detyruar t’i marrim me zor dhe me të vetmin synim: ruajtjen e shëndetit.
Siç e ka vërtetuar edhe Shkenca Bashkëkohore, shokë, qumështi dhe mollët përmbajnë substanca absolutisht të domosdoshme për mirëqenien e derrave. Ne, derrat, shokë, bëjmë punë mendore, mbi supet tona ka rënë barra e drejtimit dhe udhëheqjes së jetës së fermës. As gjumi i natës nuk na zë nga meraku që kemi për mbarëvajtjen tuaj. Për ju, dhe vetëm për ju, jemi të detyruar të pimë atë farë qumështi dhe të hamë ato palo mollë. Po a e dini se ç’rrezik na kanoset të gjithëve po të mos na krijohen ne, derrave, lehtësira për të kryer si duhet detyrën? Kthehet Xhonsi. Po, po! Do të kthehet Xhonsi, Pa diskutim, shokë! Nuk ma do mendja të ketë midis jush ndonjë që ka qejf t’i kthehet Xhonsi, apo jo?” (GeorgeOrwell, Ferma e kafshëve).