Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qyteti 15-minutësh

Brenda një udhëtimi 15 minutësh me biçikletë nga shtëpia, një parisien duhet të jetë në gjendje të ketë hapësirë ​​për të mësuar, punuar, të marrë furnizime, të shijojë natyrën, të zhvillohet, të kujdeset për veten e tyre, të shëtitet, të blejë dhe, natyrisht, të hajë mirë.

Skica dhe foto: Paris en Commun. Në të majtë skica për Parisin si qytet 15-minutësh. Në të djathtë kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo

Qyteti 15 minutësh tashmë është një trend në rritje në disa prej qyteteve kryesore të botës. Me pandeminë korona, ky koncept tani ka zënë rrënjë si një mundësi për të adresuar shumë nga problemet e trafikut të qyteteve.

Sot, më shumë se gjysma e popullsisë së botës, 4.2 miliardë njerëz, jetojnë në qytete. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2050, afër 70% e popullsisë së botës, pritet të jetojë në zonat urbane.
Qytetet tona dhe mënyra se si jetojmë në to janë një faktor vendimtar në shumë nga problemet e sotme të mjedisit dhe ngrohjes globale. Prandaj, konceptet e reja të planifikimit urban po bëhen gjithnjë e më aktuale, për të plotësuar nevojat e banorëve për punën, kohën e lirë dhe blerjen në “lagjet e kompletuara”, ku ata i plotësojnë nevojat e tyre të përditshme me përdorim minimal të makinave private.
Bëhet fjalë për krijimin e lagjeve të qyteteve ku gjithçka që u nevojitet banorëve është vetëm brenda një shëtitje të shkurtër, ose udhëtimit me biçikletë jo larg vendbanimit të tyre.
Një trend i tillë i jetës sub-lokale, tashmë ka zënë rrënjë tek shumë njerëz në gjithë botën, sidomos tani në kohë të izolimit dhe mbylljes si pasojë e pandemisë të shkaktuar nga covid-19.

Koncepti i qytetit 15 minutësh është koncept francez që u krijua vitin e kaluar nga profesori i inovacionit dhe sipërmarrjes Carlos Moreno në Universitetin e Sorbonnes në Paris. Ai para së gjithash kërkon nga Komuna e Parisit një riorganizim të kryeqytetit francez në një rrjet të lagjeve të vetë-ushqyeshme. Puna, shtëpia, dyqanet, argëtimi, edukimi dhe kujdesi shëndetësor – sipas vizionit të Moreno, të gjitha këto duhet të jenë në dispozicion brenda të njëjtës kohë kur një udhëtar mund të kishte pritur dikur në një stacion të Autobusave ose në një Stacion të Trenave.

Në një intervistë të dhënë për BBC, Moreno, thotë “Pandemia ka bërë që ne të mendojmë se si të lëvizim ndryshe, të konsumojmë ndryshe, të jetojmë ndryshe. Ne po zbulojmë se duke punuar ndryshe kemi më shumë kohë të lirë, më shumë kohë për të qenë me familjet apo miqtë tanë. Ne po zbulojmë dhe vlerësojmë lagjet tona shumë më tepër. Kjo do të na bëjë të gjithëve banorë më të angazhuar. ”
Moreno pranon se ky tranzicion nuk do të jetë i drejtpërdrejtë – por disa qëllime kryesore në realizimin e këtij koncepti tashmë janë futur në planet e Komunës së Parisit, si psh. çdo rrugë në Paris do të ketë së paku një shteg për ciklista deri në 2024.

“Qyteti 15 minutësh nuk është një plumb argjendi”, thotë ai. “Sot lagjet tona janë të segreguara nga ana ekonomike – të pasura, të varfëra, klasa e mesme, punëtorë, bare, zyra. Ka një segregim të madh. Por ajo që duhet të bëjmë është të përdorim konceptin e qytetit 15 minutësh për t’u përqëndruar në të mirën e përbashkët. Me fonde dhe mbështetje të mjaftueshme, të destinuara në mënyrën e duhur, ne mund të garantojmë se ato janë për njerëzit. ”
Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo tashmë ka filluar me idenë e qytetit 15-minutësh. Kufizimi i trafikut të makinave dhe krijimi i më shumë hapësirave të rezervuara për këmbësorët dhe çiklistë janë masat e para të ndërmarra. Ndryshime të tjera që ekzistojnë në planet e Parisit janë që çatitë/kulmet e objekteve të paarritshme bëhen parqe të hapura. Oborret e shkollave bëhen ambiente të hapura sportive në mbrëmje. Dyqaneve më të vogla dhe të pavarura që nuk janë pjesë e dyqanëve-zinxhirë u jepet përparësi në ato lagje për të stimuluar komunitetin lokal të biznesit.

Në të njejtë linjë është edhe qyteti i Montrealit në Kanada. “Ne duam të inkurajojmë njerëzit të blejnë në vend dhe të harrojnë Amazonën,” shpjegoi Kryetarja e Bashkisë së Montrealit, Valérie Plante. Vetëm gjatë vitit të kaluar, qyteti ndërtoi 300 km shtigje të reja për këmbësorë dhe biçikleta si pjesë e planit 15-minutësh të qytetit kanadez. Ndërkohë nuk u ndërtua asnjë km rrugë për automjete motorike dhe u krijuan shumë barriera fizike për përdorimin e tyre brenda qytetit.

Koncepti i qytetit 15-minutësh, siç thashë, gjatë krizës së vazhdueshme të pandemisë,  është bërë trend i planifikimit urban për një varg të gjatë qytetesh nëpër botë.

Në Barcelonë, pjesët qendrore të së cilës dominohen nga lagjet e quajtura blloqe të mbyllura, puna ka filluar për disa vite për të krijuar të ashtuquajturat super-lagje ku trafiku për makina është i ndaluar midis lagjeve. Plani është që të krijohen deri në 500 super-blloqe në qytetin spanjoll. Deri më tani, janë krijuar pesë super-lagje. Qëllimi është që 70% e rrugëve të Barcelonës të bëhen pa makina. Sipas një studimi të botuar në Environment International, super-lagjet e Barcelonës vlerësohet se shpëtojnë gati 700 jetë çdo vit përmes uljes së emetimeve të gazërave, më pak zhurmë, zvogëlimin e temperaturave, më shumë hapësira të gjelbërta dhe rritjes së aktivitetit fizik të banorëve.

Edhe në qytetet e mëdha të Shteteve të Bashkuara, ideja e qyteteve 15-minutëshe ka filluar të marrë hov. Ashtu si në Portland, Oregon në pjesën veriperëndimore të vendit. Këtu, udhëheqësit e Bashkive kanë përshpejtuar planet e mëparshme që 90% e popullsisë së qytetit para vitit 2030 do të jetojnë në ato që quhen “lagje të kompletuara”, që do të thotë se ata do të kenë qasje në të gjitha shërbimet e nevojshme pa pasur nevojë të hipin në  makinë.

Të njejtin koncept jemi duke e përdorur edhe në komunën ku punoj, në Suedi. Politikanët së bashku me neve, grupin e ekspertëve, kanë vendosur si qëllim që qyteti ynë në një të ardhme të afërt të njihet si qytet i biçiklistave. Qëllimi është që në një afat 5 vjeçar çdo banor i qytetit,  që banon dhe vepron në periferi në një rreze prej 3 km, me bicikletë të arrijë në çdo cep të qytetit brenda 15 minutash

Këtë koncept të planifikimit urban do të ishte mirë që edhe qytetet e mëdha të Kosovës të fillojnë ta aplikojnë. Është momenti i fundit, sidomos në rastin e kryeqendrës të Kosovës, Prishtinës, që të bëjë një zgjidhje të qëndrueshme afatgjate sa i përket ngulfatjes dhe problemit të trafikut brenda qytetit. Koncepti i qytetit 15-minutësh do të ishte një zgjidhje adekuate për shumë lagje të Prishtinës të cilat tashmë veç kanë një infrastrukturë adekuate që mundëson aplikimin e këtij koncepti. Sfidë mbeten shtigjet për këmbësorë dhe më shumë hapsira të gjelbërta. Kjo do të mund të arrihej duke krijuar barriera ekonomike dhe fizike sa i përket automjeteve motorike, të kompletojë ato me aktivitete dhe objekte që ju mungojnë atyre lagjeve  gjatë procesit të hartimit të hartave zonale dhe planeve rregulluese të qytetit.

Burimi: Paris en commun
https://www.bbc.com/worklife/article/20201214-how-15-minute-cities-will-change-the-way-we-socialise
Environment International

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.