Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Abdikimi i së majtës

Ndërsa bota po shkundet nga tronditja Brexit, për ekonomistët dhe politikbërësit po bëhet më se evidente se e kanë nënvlerësuar shumë brishtësinë politike të formës aktuale të globalizimit. Revolta popullore që duket se po ndodh po merr forma të shumëllojshme dhe të mbivendosura: ritheksimi i identiteteve lokale dhe kombëtare, kërkesa për kontroll më të madh demokratik dhe llogaridhënie, refuzimi i partive politike të qendrës, dhe mosbesimi ndaj elitave dhe ekspertëve.

Kjo kundërpërplasje ka qenë e parashikueshme. Disa ekonomistë, përfshirë mua, kanë paralajmëruar për pasojat e shtyrjes së globalizimit ekonomik përtej kufijve të institucioneve, të cilët rregullojnë, stabilizojnë dhe legjitimojnë tregjet. Hiperglobalizimi në tregti dhe financa, me qëllimin për të krijuar tregje botërore të integruara në mënyrë harmonike, i ka gërryer nga brenda shoqëritë e vendeve të veçanta.

Befasia më e madhe është zhvendosja vendimtare kah e djathta që ka marrë ky reagim politik. Në Evropë, janë kryesisht popullistët nacionalistë dhe autoktonistë ata rëndësia e të cilëve është rritur, ndërsa e majta po avancon vetëm në pak vende, si Greqia dhe Spanja. Në Shtetet e Bashkuara, demagogu i djathtë Donald Trump ka arritur të zhvendosë sistemin e etabluar republikan, ndërsa majtisti Bernie Sanders ka qenë në gjendje që të arrijë ta zë në befasi centristen Hillary Clinton.

Siç po pranohet pa qejf si pjesë e një konsensusi të ri të sistemit të etabluar, globalizimi thekson ndarjet klasore mes atyre që kanë shkathtësi dhe resurse për të përfituar nga tregjet globale dhe atyre që nuk i kanë ato. Ndasitë në të ardhura dhe ato klasore, krejt ndryshe nga ndasitë e identitetit të bazuara në racë, etni apo fe, tradicionalisht kanë forcuar të majtën politike. Pse, atëherë, e majta nuk ka arritur të sfidojë dukshëm politikisht globalizimin?

Një përgjigje është se imigrimi ka lënë nën hije ‘tronditjet’ e tjera të globalizimit. Kërcënimi i perceptuar i vërshimit, në përmasa masive, të emigrantëve dhe refugjatëve nga vende të varfra me tradita shumë të ndryshme kulturore rëndon ndasitë e identitetit të cilat politikanët e ekstremit të djathtë gjenden në pozitë jashtëzakonisht të mirë që t’i shfrytëzojnë. Prandaj nuk është befasi që politikanë djathtistë nga Trump e deri te Marine Le Pen gërshetojnë mesazhin e tyre të ritheksimit të kombit me një dozë të pasur të simbolizmit anti-mysliman.

Demokracitë e Amerikës Latine japin një kontrast që tregon shumë. Këto vende e kanë përjetuar globalizimin kryesisht si tronditje nga tregtia dhe investimet e jashtme, jo tronditje nga imigrimi. Globalizimi është bërë sinonim me të ashtuquajturat politika të Konsensusit të Washingtonit dhe hapjes financare. Imigrimi nga Lindja e Mesme ose Afrika ka mbetur i kufizuar dhe i spikatur pak politikisht. Prandaj kundërpërplasja populliste në Amerikën Latine – në Brazil, Bolivi, Ekuador, dhe, më shkatërrimtarja, në Venezuelë – ka marrë një formë të majtë.

I ngjashëm është tregimi në dy rastet kryesore që bëjnë përjashtim nga ringjallja e së djathtës në Evropë – atë të Greqisë dhe Spanjës. Në Greqi, vijën kryesore ndarëse politike kanë bërë politikat shtrënguese të imponuara nga ana e institucioneve evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në Spanjë, shumica e imigrantëve deri kohët e fundit kanë ardhur nga vendet kulturalisht të ngjashme të Amerikës Latine. Në të dy këto vende, të djathtës ekstreme i ka munguar ai terren i përshtatshëm që e ka pasur gjetkë.

Por, përvoja në Amerikën Latine dhe Evropën jugore tregon mbase një dobësi më të madhe të së majtës: mungesën e një programi të qartë për të riformësuar kapitalizmin dhe globalizimin për shekullin e njëzetenjëtë. Nga Syriza e Greqisë deri te Partia e Punëtorëve e Brazilit, e majta nuk ka arritur të dalë me ide që janë ekonomikisht të shëndosha dhe politikisht me përkrahje popullore, përtej politikave korrigjuese si transferimi i të ardhurave.

Ekonomistë dhe teknokratë të së majtës mbajnë një pjesë të madhe të fajit. Në vend që të kontribuojnë në një program të tillë, ata kanë abdikuar shumë lehtësisht para fundamentalizmit të kanë dalë në mbështetje të parimeve qendrore të tij. Ç’është akoma më keq, ata kanë çuar kah lëvizja e hiperglobalizimit në momente kritike.

Vënia në fron e mobilitetit të lirë të kapitalit – në veçanti të llojit afatshkurtër të tij – si normë politikash nga Bashkimi Evropian, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, dhe FMN ka qenë mbase vendimi më fatal për ekonominë globale në dekadat e fundit. Siç ka treguar profesori i Shkollës së Harvardit për Biznes Rawi Abdelal, kjo përpjekje, është udhëhequr në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990, jo nga ideologë të tregut të lirë, por nga teknokratë francezë si Jacques Delors (në Komisionin Evropian) dhe Henri Chavranski (në OBEZh), të cilët ishin të lidhur ngushtë me Partinë Socialiste në Francë. Ngjashëm, në ShBA janë teknokratët e lidhur me Partinë Demokratike më kejnsiane, si Lawrence Summers, ata të cilët kanë udhëhequr shtytjen drejt derregullimit financiar.

Teknokratët socialistë francezë duket se, nga eksperimenti i dështuar i Mitterrandit me kejnsianizëm, në fillim të viteve 1980, kanë ardhur në përfundimin se menaxhimi ekonomik brenda vendit më nuk ishte i mundur, dhe se nuk kishte alternativë reale ndaj globalizimit financiar. Më e mira që mund të bëhej ishte nxjerrja e rregullave në mbarë Evropën dhe atyre globale në vend se të lejoheshin vendet e fuqishme si Gjermania apo ShBA që të impononin rregullat e tyre.

Lajmi i mirë është se vakuumi intelektual brenda së majtës është duke u mbushur, dhe nuk ka më asnjë arsye të besohet në tiraninë ‘nuk ka alternativa’. Politikanët e së majtës kanë gjithnjë e më pak arsye që në ekonomi të mos mbështeten më në fuqinë e akademikëve ‘të respektuar’.

Kini parasysh vetëm disa shembuj: Anat Admati i Simon Johnson kanë avokuar për reforma radikale bankareë Thomas Piketty dhe Tony Atkinson kanë propozuar një listë të gjatë politikash për të trajtuar pabarazinë në nivel nacional; Mariana Mazzucato dhe Ha-Joon Chang kanë shkruar me mendjehollësi mbi atë se si të shfrytëzohet sektori publik për të nxitur inovacionin përfshirës; Joseph Stiglitz i José Antonio Ocampo kanë propozuar reforma globale; Brad DeLongJeffrey Sachs, dhe Lawrence Summers (po i njëjti!) kanë dalë me argumente pro investimeve publike afatgjata në infrastrukturë dhe ekonominë e gjelbër. Kemi mjaft elementë për të ndërtuar një përgjigje ekonomike programatike nga e majta.

Një dallim kyç mes të djathtës dhe të majtës është se e djathta lulëzon në ndarjet në thellim e sipër në shoqëri – ‘ne’ kundrejt ‘atyre’ – ndërsa e majta, në ato raste kur ka sukses, i kapërcen këto ndasi përmes reformave që i tejkalojnë ato. Së këndejmi paradoksi sipas të cilit valët e mëparshme të reformave nga e majta – kejnsianizmi, demokracia sociale, shteti i mirëqenies – e kanë mbrojtur kapitalizmin nga vetvetja dhe gjithashtu e kanë bërë veten të panevojshme. Edhe në këtë pikë, në mungesë të një përgjigjeje të tillë, hapësira do të mbetet e hapur për populistë dhe grupe të ekstremit të djathtë, të cilët do të çojnë botën – siç kanë bërë çdoherë – drejt ndarjeve më të thella dhe konflikteve më të shpeshta.

Artikulli origjinal nga Project Syndicate ©

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.