Komuna e Prishtinës ka vendosë me vu kamera nëpër shkolla të Prishtinës. Sipas drejtoreshës së arsimit në komunën e Prishtinës, zonjës Nagavci, vendosja e kamerave po bahet “për me e rritë sigurinë në shkolla; me e parandalue dhunën; me ua mësue respektimin e rendit dhe rregullit në institucionet edukative arsimore dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor” (çkado që nënkupton kjo e fundit). Ndoshta duhet me i tregue dikush drejtorisë së arsimit në komunën e Prishtinës, veçanërisht zonjës Nagavci, që shkollat e Prishtinës nuk janë burgu i Gërdovcit dhe nxanësit nuk janë kriminelë. Pse ky dënim ndaj qenies së tyne?
Kamerat nuk kanë me parandalue dhunën në shkolla, por eventualisht kanë me i “ndalue” konfliktet mes fëmijëve, pa të cilat fëmijët nuk munden me mësue prej përvojës së ndërveprimit emocional me të tjerët tue qenë se konfliktet çdo herë janë emocionale; atyne, nëse u ndalohen konfliktet, nuk kanë me iu zbulue kufijtë personalë; nuk kanë me mësue qysh me u ballafaque me konflikte gjatë jetës; dhe nuk kanë me mësue qysh me i zgjidhë ato.
Konfliktet në shkolla mes fëmijëve janë përvojë shumë e randësishme në zhvillimin e tyne. Vygotsky ka besue se ato e përforcojnë individin me funksionue ma mirë në kontekste sociale. Piaget gjithashtu ka mendue që konfliktet mes fëmijëve janë të shëndetshme dhe nëse punohet qysh duhet me këto përvoja të fëmijëve, kjo kishte me i ndihmue fëmijët me zhvillue aftësinë e empatisë dhe që ata me i tejkalue modelet egocentrike të të menduemit dhe gjykuemit.
Vëzhgimi me kamera në shkolla nuk ka me parandalue dhunën. Sepse, dhuna në shkolla si fenomen nuk asht e njejtë në çdo shkollë, nuk asht e njejtë në çdo lagje dhe kushtimisht nuk mundet me ekzistue NJI zgjidhje për këtë problem. Çfarë hulumtimi ka ba komuna e Prishtinës para se me lejue vendosjen e kamerave në shkolla të saj, si masë parandalimi të dhunës? Në bazë të të cilave studimeve po bazohen që po e argumentojnë si investim të duhun nji vendim të tillë? Cilat janë format e dhunës të cilat po synohet me u parandalue me kamera? Cila asht shpeshtësia e tyne dhe a ka matje statistikore të faktorëve që po ushqejnë këto forma të dhunës? A janë faktorë të personalitetit dhe/apo zhvillimore të fëmisë apo faktorë të rrethit dhe ambientit ku jeton fëmija përfshirë këtu familjen, apo janë faktorë të ambientit shkollor përshirë këtu procesin mësimor? Sepse, momentalisht të vetmet studime që ekzistojnë se thonë padyshim se kamerat e parandalojnë dhunën në shkolla, janë ato të kompanive të sigurimeve dhe të shitësve të kamerave. Të gjitha të tjerat potencojnë dukshëm që duhet të ekzistojnë programe të veçanta që kanë studiue ma së pari natyrën e dhunës në shkolla dhe të cilat i përshtaten asaj natyre, e kamerat nuk janë përgjigjja ma e duhun për këtë, sepse kamerat nuk kanë tru. Ato munden në raste ekstreme, ku ndër dhunë në shkolla konsiderohen klanet e armatosuna; shit-blerja e drogës, sikur kena mujtë veç me i pa nëpër filma amerikanë, me ndihmue, por edhe në raste të tilla vetëm si parandalim i shpejtë i rrezikut e jo si parandalim i dhunës si fenomen. Kamerat, varësisht prej natyrës së dhunës vetëm çka munden me i nxitë fëmijët, “dhunën” me e bartë në skuta ku syni i kamerave nuk i sheh, rrjedhimisht tue i mësue fëmijët që dhuna asht e keqe sepse dënohesh kur të nxihesh, por nuk e edukon fëminë që në vend të dhunës me gjetë metoda tjera komunikimi për me zgjidhë konflikte. E konfliket mes nxanësve kurrë s’kanë me u parandalue, sepse asht në natyrën e njeriut dhe rendit shoqnor që njerëzit me pasë konflikte dhe në fakt këto konflikte janë të randësishme për zhvillimin e fëmijës. Përmes përvojave me konflikte të ndryshme fëmija krijon vetëbesimin apo sfidon e atë; mëson autonominë e tij dhe formon ngadalë identitetin e tij. Konfliktet mes fëmijëve jo të gjitha duhet përfundojnë në dhunë, por unë dyshoj që kamerat këtë kanë me e ba këtë dallim, njejtë sikur njerëzit që kanë me qëndrue para ekranit. Disa prej këtyne njerëzve, drejtorë të shkollave sot po i gëzohen kamerave, për asnji arsye tjetër pos se ato po ua rikthejnë ndjesinë e kontrollës, që e kanë hupë pas luftës kur “të huejt” erdhën e u thanë që fëmijët s’ban me i rrehë se ata kanë të drejta. Në vend të kamerave unë besoj ma e mençme asht me investue në edukim të matejshëm profesional të mësimdhanësve, e këtyne drejtorëve të shkollave që me i mësue me punue “me sjelljen e keqe të nxanësve” tue e pa si mundësi të randësishme që mundet me e ndikue pozitivisht shëndetin dhe zhvillimin e tyne. Ide ma e mençme mendoj unë asht me punësue psikologë të kualifikuem në të gjitha shkollat; me bashkëpunue me prindër, pasi që jo rrallë artikulimet agresive të nji fëmije janë mënyrë e fëmisë me e komunikue nji shqetësim apo vuejtje psikologjike të brendshme ndoshta nga përvoja e nji keqtrajtimi në shkollë; shtëpi apo rrethana tjera stresuese e traumatike për të.
Më trishton fakti që në mesin gjithë atyne që merren me të drejtat e fëmijëve, organizatave joqeveritare, kualicioneve për të drejta të fëmijëve, askush nuk po e sheh të arsyeshme me e kundërshtue në bërthamë idenë e “parandalimit të dhunës në shkolla përmes vëzhgimit me kamera.” Çdo këshill i prindërve, çdo organizatë, çdo njeri normal duhet me u çue në mbrojtje të fëmijëve me e kundërshtue këtë ide, sa idiotike aq të rrezikshme për mirëqenien dhe zhvillimin e shëndoshë të fëmijëve të Kosovës.
Dhuna ma e madhe në shkollat tona ndodh momentalisht në klasa, në orë mësimore, aty ku mësimdhanësi di aq pak për zhvillimin e fëmijëve sa asht mjerim, kur e mendon që fëmijët janë në mëshirë të tij. Aty ku mësuesja qetësinë absolute në klasë e konsideron arsye mjaft të mirë për me korrë ndoj lavdatë se sa e respektueshme qenka prej nxanësve dhe ndihet e fortë profesionalisht, kur fëmijët i frikësohen; aty ku fëmija që nuk di me u përgjegjë në nji pyetjet quhet budallë; e fëmijët që dijnë mjaftojnë me i mësue përmendsh tekstet e librave edhe me i recitue për me marrë nota të mira. Krejt kjo tue u promovue si “mësimnxanie”. Nëse di me mësue përmendsh, mundësisht shpejt hala sa asht “tue shpjegue” mësuesi/ja dhe nëse di me recitue, atëherë ti ke mësue – kjo asht çka mësojnë fëmijët tanë në shkolla. Në njifarë mënyrë plagjiaturën.
Kamerat jo veç që rrezikojnë mirëqenien e fëmiëjve tue i dërgue atyne nji mesazh negativ e nënçmues, ato edhe rrezikojnë mirëqenien e tyne tue e dijtë që në kohën e sotme kur hakerat janë në gjendje me penetrue sisteme ma të ndërlikueme të agjensioneve të inteligjencës botnore, ato inçizime mujnë lehtë me ra në dorë të internetit. Paramendojeni jetën në mënyrën ma të keqe të mundshme tue iu vërsulë nji fëmije që bahet “hit” në internet, sepse në oborr të shkollës, e ka ba nji gjest “të pahijshëm” tue mendue që nuk e sheh kurrkush (se ka harrue që janë kamerat) e tash e sheh krejt bota.
I lus prindërit, me mendue çka po lejojnë me ba të tjerët me fëmiëjt e tyne, sepse edhe nëse ata nuk e kanë dhanë lejën direkt për këtë vendim të komunës, ata tue mos kundërshtue e tue heshtë po e pranojnë nji gja të tillë dhe sipas meje, kjo i ban barabar fajtorë. Oh, dhe kur them nji gjest të pahijshëm, mos paramedoni kurrgja të madhe, jo mjafton nji nxerrje qyrri prej hunde; nji kruemje bythe, mjafton nji artikulim gjestik me nxerrje të gjuhës, mjafton çkado që nji fëmi mundet me e ba në natyrën e tij prej njeriu, kur mendon që nuk po sheh kurrkush dhe mjafton kjo me u shkepë në internet për me e dërgue ndoj fëmi këtu a aty ndoshta edhe në skaj të shkambit. Presioni psikologjik mundet me qenë i hatashëm, e njerëzit kanë ba vetëvrasje edhe për arsye ma të vogla se aq. Ndoshta drejtoria komunale e arsimit, e ministria e arsimit e kushdo që ka marrë vendim për këtë, mundohet me iu bindë që ato inçizime do të ruhen mirë, me vigjilencë të naltë e diskrecion profesional. Përgjigjja jeme ndaj tyne asht: mos rreni, sepse nji garancion të tillë s’mudeni me e dhanë.
Pastaj konsideroni aspektet tjera të damshe që do të ketë vëzhgimi me kamera nëpër shkolla. Konsideroni presionin psikologjik, ku çdo lëvizje e fëmisë asht nën monitorim direkt prej nji autoriteti që ma shumë se githçka atë e konsideron të padenjë për me e pyetë për mendim; e konsideron të paditun për me e lejue me marrë vendime dhe thjesht të vogël për me e lanë me gëzue respekt të barabartë me të.
Me vite të tana, ky vend nuk ka ba kurrgja që me dëshmue nji fije respekti për fëmijët e këtij vendi. Dha tani dikush e patë idenë “gjeniale” me i vëzhgue ata me kamera për me ua mësue respektin, rregullat, disiplinën, për me i mbrojtë prej dhunës. Oh, sa tragjike. Për aq sa vlen, Skenderaji e ka ba këtë gja koxha nji kohë para Prishtinës, bile ata kanë mendue ma tutje, edhe në klasë kanë vendosë kamera. Jam kureshtare me e ditë se sa dhunë ma pak ka në shkolla të Skenderajit, e sa ma pak proces të natyrshëm e zhvillim të natyrshëm të fëmijëve ka në oborre, korridore e klasë të shkollave të tyne për shkak të këtij vëzhgimi? Edhe mësimdhanësit fundi i fundit, nuk mujnë me punue e me u sjellë natyrshëm tue e ditë që çdo lëvizje e tyne asht tue “u pa” prej nji kamere. Por, sot nuk due me folë as nji fjalë ma shumë në mbrojtje të mësimdhanësve, sepse nuk mendoj që e meritojnë. Kur asht fjala për me ua rritë rrogat, me kërkue prej shtetit me ua pague drekat, shpenzimet e udhëtimit shpi-punë-shpi, ata po dinë shumë mirë me i dalë vetes në krahë, me organizue greva e hala asnjiherë nuk dëgjova për nji grevë të mësimdhanësve në mbrojtje të fëmijëve, të cilët ky popull ua beson. Pse po shuejnë mësimdhanësit e po i pranojnë kamerat?
Sot due me folë veç për fëmijët. Fëmijët e këtij vendi meritojnë me i mbrojtë, sepse deri sot atyne kurrkush nuk ua dha nji shansë me u ba njerëz. Vendi që nji ditë ka me iu trashëgue atyne, çdo ditë e ma shumë po degradohet në një vend të shkatrruem moralisht e të bastarduem intelektualisht, ku universitetet prodhojnë mësimdhanës që janë ba mësimdhanës “se asht ma lehtë me u krye”. Në vend të kamerave për me parandalue dhunën nëpër shkolla, për me ndihmue zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve ishim dashtë me ndërtue parqe ma shumë, p. sh. me prue nji ligj që thotë se çdo oborr shkolle në 70% të hapësinës së tij me qenë gjelbrim; me zbatue ligjin kundër duhanit e sidomos ata që pijnë duhan në prani të fëmijëve: prindërit, mësimdhanësit (edhe brenda objektit të shkollës) me i dënue nëse asht nevoja; më krijue mundësi për aktivitete sportive e rekreacioni në nivel shkolle dhe në komunitet; me ofrue ma shumë aktivitete artistike në nivele shkolle dhe në komunitet; me financue projekte vetëdijësimi për fëmijët ku ata munden me mësue çka asht “bullizmi” (si forma ma e shpeshtë e dhunës së fëmijëve ndaj fëmijëve në shkolla, veçanërisht kështu dhuna verbale); me i mësue për konsekuencat e veprimeve të tyne, jo tue i ndëshkue por tue i përkrahë me kuptue se si ndikon dhuna e tyne tek viktima etj., e pastaj me i përkrahë që ata vetë me udhëheqë fushata me prindër, mësimdhanës, nxanës të tjerë tue e ba nji çashtje që u përket atyne si mision i veti. Me e ndalue dhunën ndaj tyne në shtëpi; në shkollë ku hala ushqehet bindja që “dajaku ka dalë prej xheneti”.
A doni me ua mësue fëmijëve respektin? Filloni tue i respektue si njerëz; filloni me qenë model për ta tue e ndërtue nji vend që respekton ekzistencën e tyne. Shikoni përreth, nuk ka trotuar që asht mjaft i sigurtë për ta, nuk ka park ku ata mujnë me luejtë, nuk ka oborr shkolle ku ata mujnë me qenë fëmijë, në të gjitha anët asfalt, beton dhe mure. Doni me ia mësue fëmijëve respektin? Filloni me ata prindër që i trajtojnë si pronë e të cilët rrezikojnë fëmijët tue i ulë përpara në kerr, të palidhun të pasiguruem para syve të shtetit, para syve të shoqnisë, pa asnji ndëshkim. Po deshët me ua mësue fëmijëve respektin, filloni me mësimdhanësit që po i dhunojnë ata intelektualisht çdo ditë me mosdije dhe arrogancë. Filloni me librat e tyne shkollore që ua përdhunojnë trunin me bërllog. Në kuptimin e plotë të fjalës, bërllog. Po deshët me të vërtetë me i mësue fëmijët çka asht respekti, filloni me veten; jepni dorëheqje prej pozitave ku s’jeni të ditun e as të zotë mjaft për me ba ndoj punë të hajrit. Po deshët me ua mësue fëmijëve respektin, bahuni trima e hiqni dorë prej ndërmarrjeve tueja politike për cilat nuk jeni të gatuem as të ditun as të lexuem mjaft. Nëse doni me i respektue fëmijët, kthehuni vetë në shkolla edhe nji herë, e kësaj radhe mos synoni diploma, certifikata por lexoni libra dhe mësohuni ma së pari me dashtë veten e tani këtë vend, dashnia për fëmijët e këtij vendi ka me iu ardhë atëherë natyrshëm.
Ma shumë se çkado tjetër, gjatë gjithë këtyne viteve ndër të cilat qyteti jem i lindjes, prej nji dashnije më asht shndrrue në makth; në nji qytet që nuk e njoh ma, në heshtje më ka tmerrue ideja që nji ditë dikush ka me mendue se asht boll i mençëm, e ka me u çue me ba diçka për këtë vend, e ma keq se mos me ba kurrgja, ky dikush ka me ba diçka aq gabim saqë pasojat kanë me i ngja nji gjenocidi psikologjik për gjenerata të tana.
Kamerat nuk kanë me parandalue dhunën në shkolla, as nuk kanë me ua mësue rendin e rregullin fëmijëve; ato kanë me qenë veç nji tullë tjetër në murin që po i rrethon; ato kanë me i mësue fëmijët me dashtë me ikë sa ma shpejt prej aty, sikur nji i burgosun që e andrron lirinë; ato kanë me i mësue fëmijët tanë, që kjo shoqni ata në radhë të parë i sheh si kriminelë potencialë; ato kanë me i mësue fëmijët tanë që edhe në mungesë të dëshmive ata dënohen arbitrarisht përmes kontrollës mbi ta, sepse ata janë të vegjël e të rritunit edhe kur s’kanë të drejtë, mujnë.
Përgjigjja ndaj dhunës dhe zgjidhja e vetme për parandalimin e saj në shkolla asht edukimi. Edukimi, jo kamerat!