Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Universiteti nuk është firm?!

Universiteti nuk është firm?!

Në vazhdën e përpjekjeve për përmirësim të cilësisë, respektivisht të reformimit të UP-së janë dhënë propozime të shumta, përfshirë edhe eksperimente të ndryshme mendore. Sigurisht, një pjesë e këtyre propozimeve janë me qëllime të mira dhe vlen të diskutohen, por ka edhe kritika ndaj UP-së që bëhen vetëm për motive partiako-politike dhe prej inateve personale. Kjo, sidomos kur përgjithësohen kritikat dhe kur çdo gjë paraqitet në skemën bardh e zi.

Meqë, universiteti është i pandarë nga zhvillimet shoqërore e politike dhe kushtet ekonomike në vend, atë duhet kuptuar vetëm në këtë kontekst. Nuk mund të kemi një universitet shumë më ndryshe sesa rrethanat dhe ambienti ku vepron. Aq më shumë nuk mund të presim një universitet shumë më cilësor e të papolitizuar nëse nuk kemi depolitizim e reformim gjithëpërfshirës të sistemit arsimor, që nga niveli parashkollor e deri te arsimi i lartë. Debatet dhe planet për reformim të UP-së kanë filluar që pas rihapjes së saj, shpeshherë zbatimi i procesit të Bolonjës, i filluar nga viti akademik 2001/2002, është paraqitur si vetë procesi reformues. Por, përkundër faktit që Kosova e zbaton sistemin e Bolonjës, ajo nuk është zyrtarisht pjesë e kësaj deklarate dhe së këndejmi nuk përfiton edhe aq nga programet e shkëmbimeve apo programet tjera. Gjithashtu, edhe hartimi i strategjisë për zhvillim të Arsimit të Lartë 2005-2015, nuk solli ndonjë përmirësim domethënës të universitetit. Aq më shumë problemet si ndërhyrjet politike në menaxhmentin e universitetit dhe autonominë akademike u shtuan, mungesa e fondeve hulumtuese dhe publikuese u thelluan, buxheti u shkurtua, ndërsa raporti profesor-studentë u rrit dukshëm.

Sado që situata është mjaft e rëndë në UP, kjo nuk është arsye për të e mbyllur atë, ashtu siç propozon Besnik Pula në shkrimin “Një propozim modest për UP-në.” Jo, pse nuk pajtohem me përshkrimin e gjendjes dhe pasqyrimin e problemeve të shumta. Por që ta krahasosh një institucion edukativ e publik me afërsisht 60.000 studentë me ndonjë firmë kjo është e pak e tepërt. Nuk është habitëse vetë ideja e mbylljes së UP-së dhe e rithemelimit, pasi këtë e kam dëgjuar që nga 2004 disa herë, e nga qarqe të ndryshme. Por, mënyra sesi ajo do të rithemelohej është e çuditshme. Pikësëpari, edhe në rastin më të mirë të mundshëm, nëse ishin pajtuar të gjithë si stafi akademik, administrata, studentët dhe qytetarët për ta rithemeluar atë, ajo çka do të ndodhte ishte se pjesa më e madhe e tyre prapë do të bëheshin pjesë e këtij universiteti të ri. Sepse, procesi i përzgjedhjes, qoftë nga ndërkombëtarët qoftë nga vendorët, nuk do të mund ta bënte përzgjedhjen shumë më të veçantë sesa që ka kapacitete Kosova, dhe jo aq të pavarur nga presionet politike sa do t’i duhej një institucioni akademik e shkencor të nivelit botëror. Studiuesit britanikë Ian Bache dhe Andrew Taylor qysh me 2003 e kishin analizuar këtë dukuri në Kosovë, që ata e quajtën rezistenca ndaj politikave publike (policy resistance). Duke pohuar se reforma, siç e kanë studiuar në rastin e UP-së, është e pazbatueshme nëse vjen e imponuar nga jashtë. Pastaj konkursi ndërkombëtar për staf akademik apo aplikimin e studentëve do të ishte edhe më i pakuptimtë kur dihet fakti se gjuha shqipe nuk është edhe aq e përhapur dhe e njohur në qarqe akademike e shkencore në botë.

Gjithashtu, ideja se çdo mekanizëm apo aktor jashtë Kosovës do të garantonte paanshmërinë dhe cilësinë, nuk më duket fort bindës, duke marrë parasysh përvojën që mund të kemi edhe nga agjensioni për akreditim, që për kohë të gjatë funksion me ekspertë ndërkombëtarë e megjithatë akreditohen programe mjaft të dyshimta. Pastaj çështja e kostos financiare të zbatimit të një plani të tillë, është pothuajse e paarritshme, duke marrë parasysh që edhe këto mjete aktuale nuk janë shpesh të alokuara si e sa duhet. Ndërsa për vullnetin politik për një propozim të tillë ndoshta nuk vlen as të diskutohet.

Prandaj, UP-ja reformohet atëherë kur edhe politika dhe ekonomia zhvillohet, kur edhe nivelet tjera arsimore janë cilësore, kur ekonomia krijon treg konkurrues të punës, kur kultura e media promovojnë vlera të shëndosha dhe kur shoqëria nuk bazohet më në ‘intervenca’. Sepse, UP-ja është pjesë e pandashme e një sistemi arsimor, një sistemi politik dhe e një shoqërie ku interesat politike, ku lidhjet familjare e fisnore janë më të fuqishme sesa strategjitë e planet me qëllim të mirë. Derisa këto nuk ndryshohen çdo universitet (aktual apo i ri) do të na sjellë te e njëjta gjendje dhe me të njëjtat probleme.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.