Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gruaja si replikë e nënës

Nuk është i rastësishëm ngatërrimi i Ditës Ndërkombëtare të Gruas-8 Marsit me Ditën e Nënës. Ky gabim që ndërkohë ka marrë konotacion ngatërrimi është shtresuar, ndaj prej vjetësh mesazhi në këtë ditë të grave i adresohet nënave.

Por, ky gabim, rezulton të jetë bërë nga vetëdija, respektivisht nga mendësia e shoqërisë, e cila në përpjekje për ta njohur subjektin grua vë një paravan të veçantë, atë të nënës.

Madje, jo rastësisht për ta pozicionuar gruan në role kufizuese, të cilat e prangosin lirinë e saj e që projektojnë lirinë e saj vetëm në kuadër të këtij roli. Jo, ngaqë kjo shoqëri di ta respektoj pozitën e nënës, por vendosja sipërore e këtij roli është përgjegjësi ndaj të tjerëve, teksa ajo nuk arriti të njoh veten, si dimensioni më i lartë i vetëdijes.

Megjithëse në përplasje të fuqishme, gjërat kanë lëvizur, por jo në mënyrë substanciale, ndaj ekziston një frikë e pakapërcyeshme- ajo e emancipimit të grave dhe liria e tyre.

Duke qenë ky shtet – burrë absolut,  ai shndërrohet në mekanizëm kontrolli nga frika, e cila qon në disiplinim dhe asaj i njihet vetëm pozita e të qenit nënë.

Gratë në Kosovë frymojnë në heshtje me një diskriminim që ndihet e përjetohet pandalshëm, pa i përmendur ato që tashmë janë të njohura si dhuna apo ngacmimet seksuale. Kësisoj, subjekti i gruas vazhdon të jetë i mbështjellë me konfuzion, nga fakti se që nga lindja ajo jeton me pozicionin e ambiguitetit. Duke e parë gruan vetëm në rolin e nënës, subjekti jashtë saj është i rrezikshëm, tjetri, i huaj dhe dekonstruktiv. Por, ky rol i paracaktuar është i vështirë për t`u definuar, sepse aq shumë është shenjtëruar me qëllim, saqë sot, çdo grua që bënë një përpjekje për të ridimensionuar këtë rol, demonizohet deri në stigmatizim e përjashtim shoqëror. Prandaj, nuk është e rastësishme kur kreu i pushtetit legjislativ përpiqet që gabimin e tij ta riparoj me kërkimfalje “nënave” e “motrave”, sepse këto subjekte kanë dalë jashtë rolit të paracaktuar nga shoqëria. Për këtë shkak, pendimi nuk i drejtohet pozitës së saj zyrtare, si deputete, porse rolit të saj tradicional të përcaktuar nga normat morale të shoqërisë kosovare. Kjo për faktin se ‘nëna’ ka shërbyer si mjet për të bërë dallimin me kategorinë e grave, si dhe grave nga burrat.

Praktikat sociale kanë qenë të mobilizuara në mënyra të ndryshme për të bërë dallimin ndërmjet të denjës e të padenjës, një status strikt i nënave, perspektiva e të cilave ka determinuar dallimin në mes nënave dhe jo nënave. Të dyja këto në bashkëveprim midis të drejtave dhe detyrimeve, mbështetjes publike dhe përgjegjësisë private dhe në konflikt të vazhdueshëm me njëra tjetrën.

Në këtë mënyrë, “amësia”, e ka përcaktuar atë si personin e ngarkuar me kryerjen e një sërë funksionesh sociale, të cilat shkrihen në një shprehje të vetme.

Prandaj, koncepti “nënë”, kërkon një rikonceptim, me të cilin vihen në pikëpyetje skemat konvencionale diskursive.

Natalia Mitsyuk thotë se “Kulti i ‘amësisë ideale’, është propaganduar në mënyrë aktive nga komuniteti i ekspertëve të përbërë nga mjekë, shkrimtarë, mësues e psikologë për të ndaluar procesin e emancipimit të gruas dhe kthimin e saj në gjirin familjar.
Kjo qasje inkurajon nënat t`i përkushtohen rritjes së fëmijëve, teksa dekurajohen për angazhim në fusha të tjera të veprimtarisë. Çdo refuzim i apo rezistencë me standardet e “amësisë ideale”, cilësohet si një devijim nga instinkti i vërtetë i të qenit nënë. Nëna, si e tillë, u bë një rregullator i imponuar kulturor. Termet femër dhe femërore janë të lidhura ngushtë me amësinë, gjë e cila ka pasur ndikim të rëndësishëm në relacionet gjinore në shoqëri.

E, kjo grua-nënë ka nevojë për një rikonceptim, në mënyrë që roli i saj të mos vazhdojë të trajtohet i veçantë, sepse duke u trajtuar si e tillë ajo vazhdon të veçohet deri në shenjtërim. Asaj nuk i duhet veçim, por trajtim i barabartë në kuadër të një shoqërie me standarde ku fillimisht gruaja njihet si subjekt, e më pas rolet që ajo përzgjedh. Ajo s`duhet të jetë mjet në duar të politikës apo akterëve të ndryshëm shoqëror, të cilët me gruan shtyjnë përpara koncepte apo ideologji çfarëdoqofshin ato. Gruaja mund të mos jetë nëna, ndaj çfarëdo tendence për barasvlerësim të këtyre dy nocioneve është përpjekje për moralizim dhe simptomë patriarkale për ta veshur atë me atributin tradicional të reprodukueses.

Pikërisht duke bërë përpjekje për të identifikuar subjektin grua me rolin e të qenurit nënë, ekuilibri midis dy identiteteve është i brishtë dhe i pastabilizuar. Të dyja u konceptuan dhe u projektuan sipas standardit fallocentrik, me të cilin në këto sprova konfliktuale, gruaja dhe nëna të ndihen të humbura dhe humbëse.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.