Sipas raportimeve të fundit në media, Kuvendi i Kosovës ka iniciuar blerjen e skanerëve truporë të cilët identifikojnë imtësisht sendet e bartura në trup. Kësisoj, Kuvendi dhe Qeveria synojnë ta zgjidhin problemin disamujor të futjes së bombolave të gazit lotsjellës. Edhe pse kjo mbase, pjesërisht, do ta pengonte futjen e mundshme të bombolave të gazit në Kuvend, në anën tjetër do të krijonte një tjetër problem i cili jo vetëm që bie ndesh me të drejtat e njeriut, por edhe me aspiratat dhe synimet strategjike të Kosovës.
Skanerët truporë që do të porositen nga Kuvendi, hetojnë objekte që janë në trupin e njeriut duke shfaqur detajisht të gjitha pjesët e trupit, njëjtë sikur personi të qëndronte i zhveshur para oficerit të sigurisë. Përveç që këta skanerë shfaqin detajisht pjesët dhe format e trupit, ata mund të zbulojnë edhe parregullsi mjekësore, implante të ndryshme dhe shenja specifike në lëkurën e njeriut, duke e bërë përdorimin e tyre shqetësim për privatësinë dhe të drejtat e njeriut.
Që prej Platonit, e deri tek Dekarti, trupi dhe lakuriqësia janë parë si shkak i uljes së njeriut tek niveli kafshëror. Kësisoj, rrobat përveç funksionit të tyre mbrojtës, në kontekstin social kanë shërbyer si karakteristika më themelore e dallimit mes njeriut dhe kafshëve. [Për më shumë lexo Susan Bordo, Introduction: Feminism, Western Culture, and the Body, në UNBEARABLE WEIGHT 1, 1–42 (1993)]
Përdorimi i skanerëve truporë, përveç se shkel rëndë privatësinë dhe krijon shqetësim për dhunimin e të drejtave të njeriut, shërben edhe si formë e degradimit njerëzor, i cili bie ndesh me normat e krijuara sociale e kulturore dhe pa asnjë bazë juridike.
Sidoqoftë, kjo masë jo që vetëm nuk e zgjidh konfliktin politik, por e ushqen edhe më shumë atë, përderisa vëzhgimi më shumë kontribuon në riforcimin e marrëdhënieve ekzistente sesa arrin t’i ndryshojë ato.
Përdorimi i këtyre skanerëve në Kuvend implikon shkelje në të drejtën e respektimit të jetës private, të drejtës së lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit, të drejtën e trajtimit të barabartë, dhe të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale, dhe specifikisht bie ndesh me të drejtën e privatësisë të mbrojtur me Nenin 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), Nenin 7 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian (CFREU), Nenin 17 të Kartës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) dhe Nenin 29 të Deklaratës Universale për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (UDHR).
Kështu, këta skanerë mund të detektojnë imtësisht formën dhe madhësinë e organeve seksuale tek meshkujt dhe gjoksit tek gratë, dëshmi për mastektomi, gjymtyrët prostetike ose mbajtësit e implantuar të tyre, dhe informacion tjetër mjekësor, e deri tek detektimi i ciklit menstrual për shkak të përdorimit të tamponëve apo pecetave higjienike.
Vetë privatësia si nocion legal, rrjedhë nga nocioni kantian i dinjitetit njerëzor dhe i autonomisë personale, dhe përdorimi i mjeteve të tilla vë në pikëpyetje dhe dhunon edhe vetë dinjitetin njerëzor. Duke marrë parasysh informacionin mjekësor që skanerët respektivë janë në gjendje të zbulojnë, mbrojtja e të dhënave mjekësore, të konsideruara e të mbrojtura me ligj edhe në Kosovë, sipas ECtHR në Z v. Finlandës, përbën “rëndësi themelore në gëzimin e të drejtës për t’u respektuar jeta private dhe familjare”. Askush nuk ka të drejtë të ketë qasje në informacion të tillë personal përveç në rastet e rregulluara me ligj.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECtHR) nuk e ka kufizuar Nenin 8 për privatësinë, duke i dhënë kështu një interpretim të gjerë, duke deklaruar se koncepti i “jetës private” është term i gjerë dhe jo koncept i shterueshëm, që përfshin integritetin fizik dhe psikologjik dhe përfaqëson aspekte të shumta të identitetit fizik dhe social të personit. (shih: S and Marter v. Mbretërisë së Bashkuar).
Edhe ECtHR edhe Këshilli i OKB’s për të Drejtat e Njeriut kanë theksuar se duhet ndërmarrë përkujdesje rigoroze (Wainwright v. Mbretërisë së Bashkuar) dhe masa efektive (CCPR, GC No. 16) në mbrojtje të personave që janë subjekt i kërkimit trupor, në mënyrë që privatësia e tyre të mos shkelet. (për të dhënat e zbuluara nga procesimi automatik shih: Council of Europe, Convention for the Protection of Individuals with regard to Automatic Processing of Personal Data, Strasbourg, 28 January 1981).
Autoritetet kanë të drejtë të ndërhyjnë në jetën private vetëm në rastet e rregulluara me ligj, dhe sipas të drejtës ndërkombëtare legjislacioni që lejon autoritetet të kufizojnë privatësinë në kuptimin e Nenit 8(2) në rrethana të veçanta dhe kur një gjë e tillë paraqitet si e domosdoshme, duhet të ketë bazë vetëm në situatat e interesit dhe sigurisë kombëtare dhe në rastet e parandalimit të veprës penale apo trazirave që mund të rrezikojnë rendin kushtetues dhe demokracinë, konfirmuar edhe nga ECtHR në paragrafin 48 në çështjen Klass dhe të tjerët v. Gjermanisë.
Të gjitha masat që i japin autoriteteve kompetencë të ndërhyjnë në të drejtën për respektimin e jetës private dhe të dhënave personale duhet të bëhen në bazë të ekzistencës eksplicite dhe të detajuar të normave legale që rregullojnë çështjet lidhur me personin e autorizuar që mund të ketë qasje në informacionin e caktuar, procedurat që duhet të ndiçen dhe natyrën informacionit të marrë, dhe kjo kur këto masa të marra janë të autorizuara dhe përbëjnë shqetësim për sigurinë kombëtare. (shih: ECtHR Rotaru v. Romania)
Aksionet e opozitës në kuvend, deri tani nuk janë klasifikuar as si vepër penale as si rrezikim i rendit kushtetues apo i sigurisë kombëtare, apo nuk krijojnë ndonjë rrethanë që do ta bënte të ligjshme një ndërhyrje të tillë në privatësinë e deputetëve dhe punëtorëve të kuvendit.
Rrjedhimisht, nuk ekziston asnjë bazë legale që do ta bënte të ligjshme vendosjen e skanerëve truporë në kuvend, dhe legjislacioni aktual nuk arrin ta konstituojë një bazë legale për veprime të tilla. Në mungesë të një legjislacioni të tillë, vendosja e këtyre skanerëve do t’i shkelte konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat Kosova i ka pranuar me kushtetutë, dhe të cilat kanë aplikueshmëri direkte në legjislacionin e Kosovës. Në arsyetimin për vendosjen e skanerëve nuk mund të gjendet bazë që do të legjitimonte një derogim të mundshëm sipas Nenit 8(2) ECHR.
Edhe nëse një bazë juridike e tillë do të ekzistonte, në rastin e Kosovës arsyetimi nuk do të përmbushte kriteret që një akt i tillë të jetë në pajtim me Nenin 8 të ECHR. Si shembull kemi çështjen Gillan dhe Quinton v. Mbretërisë së Bashkuar ku gjykata njëzëri konstatoi që Ligji i MB për Terrorizmin, i vitit 2000, është shkelje e Nenit 8 për arsye se principi “në pajtim me ligjin” i këtij neni nuk ishte realizuar. Prandaj, edhe nëse baza legale specifikisht për këtë rast do të ishte evidente ajo do të ishte në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.
Përveç se vendosja e skanerëve truporë, në Kuvend, do të shkelte marrëveshjet ndërkombëtare si dhe standardet e të drejtave të njeriut, një gjest i tillë nuk do të ishte në pajtim me Nenin 22, 23, 26, 36, 38 dhe 51 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Meqë një ndër prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës është anëtarësimi në Këshillin e Europës, një veprim i tillë do të linte pasoja në kuadër të përpjekjeve dhe progresit për anëtarësim.
Bashkimi Europian, e ka ndaluar përdorimin e këtyre skanerëve brenda territorit të saj, në bazë të shqetësimeve për sigurinë dhe shëndetin, përmes rregullores së Komisionit Europian të vitit 2011, në kuadër të mundësisë që ekspozimi i individëve ndaj skanerit të rrisë gjasën e zhvillimit të kancerit të lëkurës.
Duke konsideruar se ndër interesat primarë të Republikës së Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Europian, një hap i tillë do ta stagnonte Kosovën në këtë proces. Gjykata Europiane e Drejtësisë në çështjen Kadi v. Këshillit dhe Komisionit të BE, mori qëndrimin që edhe provizioneve me një bazë sipërfaqësore në të drejtën europiane mund të jenë në kundërshtim me vetë të drejtën europiane, si pasojë e mungesës së kualitetit të ligjit që mund të jetë në kundërshtim me standardet europiane për të drejtat e njeriut. Dhe rrjedhimisht një veprim i tillë i qeverisë dhe i kuvendit që nuk i përmbush kriteret, të jetë “në pajtim me ligjin”, është kundër praktikave dhe normave europiane.
Po ashtu, Neni 6 i Traktatit për Unionin Europian e konsideron Kartën e BE-së për të Drejtat Fundamentale si të barabartë për nga vlera dhe fuqia juridike me Traktet e BE-së.
Kosova si shtet ka për obligim të respektojë, të mbrojë dhe të përmbushë të drejtat e njeriut, obligim i cili është paraparë edhe në preambulën dhe nenet 55 dhe 56 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Kësisoj, vendosja e skanerëve truporë, në Kuvend, nuk përkon me standardet demokratike dhe është në kundërshtim me instrumentet dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e rrjedhimisht edhe me interesat e shtetit të Kosovës.