Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Drejtësia e Specializuar

Periudha pas konfliktit për një vend është shumë komplekse. Kjo paraqet një fazë pastranzicionale ku e gjithë popullsia ka kaluar në një situatë jonormale, dhe shumica kanë përjetuar dhunë, apo kanë humbur më të afërmit. Në këto rrethana është i vështirë definimi i veprimeve ligjore dhe joligjore, të cilat kanë ndodhur gjatë konfliktit. Trajtimi i rasteve të krimeve të luftës është një ndër testet më kritike si për besueshmërinë ashtu edhe për kompetencën e sistemit të drejtësisë. Kjo është pjesërisht për shkak të faktit se krimet e luftës, nga vetë natyra e tyre, janë të ndërlikuara dhe të vështira për t’u adresuar plotësisht.

Që nga mbarimi i konfliktit në Kosovë 1998-1999, gjykatat hibride e kishin rolin kryesor për gjykimin e krimeve të kryera gjatë konfliktit. Pas dështimit të UNMIK-ut dhe EULEX-it për trajtimin e rasteve të krimit të kryera gjatë konfliktit, bashkësia ndërkombëtare luajti me kartën e fundit për vendosjen e drejtësisë për viktimat e krimit (dhe pse ky qëllim nga bashkësia ndërkombëtare mbetet diskutabil). Pas presionit të ushtruar mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special (Gjykata Speciale) u bë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Ekzistimi i Gjykatës Speciale është çështje faktike, ky mekanizëm special ekziston e pranuam ne ose jo, dhe është pjesë e fatit kolektiv të shoqërisë kosovare.

Me ligjin për Gjykatën Speciale nuk është i përcaktuar mandati definitiv i kësaj gjykate, por nëse e ndërlidhim fillimin e mandatit të gjykatës speciale me fillimin e funksionalizimit mund të konkludojmë se mandati i saj ka filluar në vitin 2017 kur ka hyrë në fuqi Rregullorja për Prova dhe Procedura, dhe jo me miratimin në Kuvend të Republikës së Kosovës më 2015, dhe ky mandat do të vazhdojë deri në vitin 2023.

Vullnet i brendshëm apo Imponim nga jashtë?

Gjatë konfliktit në Kosovë, përveç krimeve të kryera në territorin e Kosovës të serbëve ndaj shqiptarëve, Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, dhe Human Rights Watch  raportuan incidente dhune ndaj serbeve dhe shqiptarëve nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pretendimet e ngritura në këto Raporte ishin hetuar dhe raportuar nga gazetarët që nga viti 1999. Pretendimet për vrasje, rrëmbim dhe trafikim organesh iu paraqitën UNMIK-ut në 2003, dhe më pas edhe Tribunalit të Hagës për krime në ish-Jugosllavi, Prokurori i kësaj të fundit pohonte se nuk kishte asnjë çështje për ndjekje penale për shkak të mungesës së provave dhe shkatërroi çfarëdo prove që mblidhej në Shqipëri.  Të njëjtat akuza penale që Tribunali i Hagës kishte hedhur poshtë për mungesë provash u rishfaqën në Raport të Dick Marty-it në vitin 2011.

Disa muaj pas pavarësisë së Kosovës, ish-Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Carla del Ponte pretendonte për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas saj Tribunali i Hagës dhe UNMIK-u kanë dështuar të merren me këto krime për shkak se nuk kanë qenë në gjendje t’i sigurojnë provat e mjaftueshme. Duke u bazuar në librin e saj i cili nuk ishte dokument zyrtar por shkrim gazetaresk, Këshilli i Evropës e caktoi Dick Martin të merret me këto pretendime, të cilat rezultuan me publikimin e raportit për krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që njihet si raporti i Dick Marty-t. Edhe pse raporti i Marty-t nuk rekomandonte formimin e një gjykate speciale por vetëm forcimin e rolit të EULEX-t nga ana e autoriteteve kosovare, Bashkimi Evropian e inicoi idenë e formimit të një mekanizmi special që do t’i adresonte akuzat në raportin e Marty-t dhe rekomandimet e dala nga hulumtimi i Task Forcës Hetimore.

Vendimi i bashkësisë ndërkombatare ishte se do të formohej një gjykatë me ligje të Kosovës, ose do të formohej një gjykatë ndërkombëtare në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë rast nuk ka pasur mundësi kompromisi, për këtë arsye formimi i gjykatës speciale ka qenë imponim nga jashtë, dhe assesi vullnet i brendshëm nga institucionet e Kosovës, apo deputetet e Kuvendit të Kosovës.

Nëse deputetët e legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës nuk do të pranonin formimin e një gjykate në kuadër të ligjeve të Kosovës, Organizata e Kombeve të Bashkuara do ta formonte në kuadër të Këshillit të Sigurimit, formimi i një gjykate të tillë do të dobësonte subjektivitetin e shtetit, kjo pasi Kosova do të paraqitej në arenën ndërkombëtare si një shtet jo i aftë për t’u ballafaquar me të kaluarën, dhe për t’i marrë përsipër përgjegjësitë për veprat e kryera. Por, Kosova e dëshmoi të kundërtën duke e formuar këtë mekanizëm special në kuadër të vetë sistemit të drejtësisë. Megjithëse Serbia do të kishte preferuar  një gjykatë speciale të administruar nga OKB, zyrtarët në Beograd haptazi kanë pohuar se ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të ndëshkuar kriminelët, pasi kjo është në interesin tonë. Formimi i Dhomave të Specializuara nga ana e Kosovës e tregon gatishmërinë e institucioneve kosovare në ballafaqimin me të kaluarën, drejtësinë, dhe pasigurinë për vlerat, në të cilat është thirrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pas konfirmimit të aktakuzave të udhëheqësve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, Kosovës i është shtuar një njollë në imazhin ndërkombëtar duke u paraqitur si vend që është udhëhequr nga persona që kanë kryer krime, kjo mund të ketë pasoja në ndaljen e njohjeve të mëtejme të shtetit të Kosovës nga vendet e reja, poashtu shteti serb ka tendenca t’i përdorë këto konfirmime të aktakuzave si arsye për fushatën e çnjohjeve të Kosovës nga vendet që e kanë njohur tanimë, gjithashtu mund të ndikojë në pakësimin e investimeve të huaja në Kosovë. Por, përgjigjja pozitive e krerëve të UÇK-së ftesave të gjykatës speciale dhe gatishmëria e tyre për t’u përballur me drejtësinë paraqet një tregues që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është një Ndërrmarrje e Përbashkët Kriminale siç po e quajnë prokurorët e Gjykatës Speciale. Dhe kur do të dalin (nëse) të pafajshëm nga gjykata speciale të gjitha pasojat e larpërmendura do të shndërrohen në pikët më të forta për Kosovën duke e forcuar subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare.

Gjykata speciale e Kosovës nuk është e vetme e këtij lloji, pasi edhe Timori Lindor, Sierra Leone dhe shumë vende tjera në periudhën paskonfliktuoze i kanë formuar gjykatat speciale për gjykimin e krimeve që kanë ndodhur gjatë konflikit. Megjithatë, gjykatës speciale të Kovovës për t’iu larguar epiteti mono-etnike duhet ta zgjerojë mandatin dhe territorialitetin në mënyrë që t’i ndjekë penalisht krimet që kanë ndodhur gjatë konfliktit nga forcat serbe; për ta arritur këtë qëllim mund ta ndryshojë statutin e saj, nga një gjykatë e ‘Kosovës’ në gjykatë ndërkombëtare duke e vendosur kështu jo një drejtësi speciale, por një drejtësi të përgjithshme, siç ka ndodhur rasti me Tribunalin e Hagës për Krime në ish-Jugosllavi që në fillim ishte gjykatë e përkohshme, por për shkak të krimeve që kanë ndodhur në Bosnje e Hercegovinë ka kaluar në gjykatë ndërkombëtare.

Gjasat që gjykata speciale të fitojë legjitimitet në Kosovë janë të mëdha duke e marrë parasysh qëllimin fisnik të gjithë atyre që luftuan për hir të fitimit të lirisë së Kosovës. Një fakt tjetër është edhe dëshmia e secilit prej ushtarëve, pjesëmarrësve e krerëve të UÇK-së që kjo nismë nuk i ngjan as për së afërmi një ndërrmarrjeje kriminale, por një ndërmarrje krenarie me të cilën u hodhën bazat e shtetësisë së Kosovës. Po ashtu, në këtë rast, shërbejnë edhe përvojat e dështuara të UNMIK-ut, EULEX-it e Hagës në tentativë për të fajësuar UÇK-në.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.