Edhe pse po jetojmë në mes të epokës së globalizmit në mentalitetin e shqiptarëve vazhdon të mbizotërojë bindja merkantiliste për sa i përket ekonomisë politike. Shumica dërrmuese e shqiptarëve është e bindur se hapja e plotë ndaj tregtisë së lirë ndërkombëtare e dëmton vendin dhe prandaj duhet bërë çmos me barriera doganore që të zvogëlohet sa më shumë deficiti tregtar. Këtë gjë e ilustroi më së miri popullariteti që pati në Kosovë, Shqipëri dhe mbarë trojet shqiptare, vendimi protekstionist i qeverisë Haradinaj për të vendosur 100% për importet serbe. Gjithashtu po ilustrohet sot me kundërshtimin që po i bëhet nismës rajonale të ashtuquajtur të “minishengenit” me rrezikun se hapja e tregut tonë ndaj një ekonomie me fuqi prodhuese më të madhe do ta dëmtojë rëndë ekonominë tonë. Merkantilizmi apo teoria ekonomike që thotë se një vend pasurohet duke tregtuar me bilanc tregtar pozitiv, pra duke nxitur eksportet e penguara me politika proteksioniste importet, ka qenë dominues në Evropë deri në shekullin e 18-të kur u shemb nga mendimtarë si David Hume e Adam Smith.
Mirëpo fatkeqësisht vazhdon të ketë rudimente e ndjekës edhe në epokën e sotshme. Retorika në rritje për vendosjen e tarifave doganore dhe kufizimin e importit nga vendet e huaja ushqehet sidomos nga fakti se përfitimet e tregtisë ndërkombëtare të lirë janë të shpërndara në qindëra mijëra konsumatorë dhe për rrjedhojë janë të vështira për t’u parë e kuptuar. Ndërsa përfitimet që vijnë prej mbrojtjes nga konkurrenca e huaj e grupeve specifike të interesit apo kompani vendase janë shpesh të menjëhershëm dhe të dukshëm. Këtu duhet theksuar se kjo retorikë inkurajohet nga grupe specifike interesi që kane leverdi që nëpërmjet ndërhyrjes së shtetit të shmangin konkurrencën ndërkombëtare në kurriz të xhepit të konsumatorëve të thjeshtë. Prandaj sa herë që flitet për masa proteksioniste që bëhen “gjasme” për prodhimin vendas, në shumicën e rasteve ka të bëj me grupe interesi që korruptojnë vendim-marrjen për të shmangur konkurrencën e ndershme në vend.
Dëmet e merkantilizmit i ka demaskuar më së miri mendimtari liberal Frederik Bastiat në vitin 1845, kur qeveria franceze vendosi tarifa mbrojtëse doganore për shumë artikuj, nga gjilpëra qepëse deri tek lokomotivat me qëllim të mbrojtjes së industrisë franceze nga kompani jashtë Francës të cilat ia dilnin ti prodhonin më lirë produktet. Për të nxjerrë në pah marrëzinë e këtij veprimi, Bastiat botoi një tekst satirik të titulluar “Peticion i Prodhuesve të Qirinjve” kinse i dërguar ndaj parlamentarëve nga këta prodhues.
Teksti i tij nis “Zotërinj: Ne po vuajmë nga konkurrenca shkatërruese e një “rivali të huaj” që po punon dukshëm në kushte shumë më të mira se tonat për prodhimin e dritës, që ai po përmbyt tregun e brendshëm në një mënyrë të parezistueshme me një çmim shumë të ulët. Ky rival s’është askush tjetër përveçse – diell. Më tutje ai vazhdon me talljen therrëse duke shkruajtur kërkesën absurde: “Ju kërkojmë të jeni aq të mirë sa të kaloni një ligj që të mbyllen të gjitha dritaret, dyert, dritat e qiellit brenda dhe jashtë autobusëve, perdet, dritat e emergjencës dhe të të verbërve; shkurt, të gjitha të hapurat, vrimat, dhe të çarat prej nga mund të hyjë në shtëpi drita e diellit. Kjo dritë e diellit po na e dëmton biznesin neve, prodhuesve të ndershëm të qirinjve.”
Kufizimet që i vihen tregtisë së jashtme faktikisht dëmtojnë pikërisht vetë njerëzit që pretendohet se mbrojnë, pra konsumatorët sepse limitojnë lirinë e zgjedhjes duke minimizuar gamën e produkteve që kanë mundësi të blejnë por edhe rrisin çmimet e gjithçkaje. Thënë ndryshe tarifat doganore të rritura janë një lloj taksimi mbi konsumin që dëmton më së shumti shtresat me të ardhura më të ulëta sepse tarifat rritin çmimin e ushqimit dhe veshjeve, të cilat përbëjnë pjesë më të madhe të buxhetit të një familje me të ardhura të ulëta. Nëpërmjet tregtisë së lirë qytetarët e thjeshtë e të varfër kanë shumë më tepër alterantiva, mund të blejnë produkte me cilësi më të mirë me kosto më të ulët dhe të kursejnë para që mandej mund t’i përdorin për investime, arsim apo konsum të produkteve e shërbimeve të tjera.
Për ta ilustruar gabimin e bindjes që mbizotërn për deficitin tregtar dhe për kinse humbjen që pëson një shtet kur importon nga një shtet tjetër, ekonomistët shpesh përdorin fabulën e bërjes së pazarit në një supermarket. Unë për shembull blej ushqime gjithmonë në të njëjtin supermarket afër apartamentit ku banoj në lagjen Arbëri të Prishtinës ndërkohë që punonjësit e këtij supermarketi nuk blejnë asgjë nga unë që do të thotë se jam në deficit të skajshëm tregtar me ta. Me logjikën e merkantilistëve, do duhej që unë të konsiderohesha si i humburi në këtë marrëdhënie vullnetare. Prandaj ata do të rekomandonin që unë mos të shkoja më në këtë supermarket që ata aty mos të përfitonin më prej meje, por të filloja e të prodhoja vetë të gjitha të mirat që blija aty. Kjo do të thotë që unë do të duhej të filloja të mbillja vetë tokën e të përgatisja bukën, të blija e kullosja një lopë për të pasur qumësht e kos, të mbarështoja pula për të siguruar mish e vezë etj. etj. Për t’i siguruar këto produkte jetike do më duhej që të harxhoja të gjithë kohën time e prapë mos të më mjaftonte e kështu që do të duhej ta braktisja punën time. Pra rekomandimi merkantilist për t’i prodhuar vetë ato që je duke blerë jashtë shtëpise i aplikuar për shtetet, duket edhe më qartë që është qesharak.
Tundimi për të përqafuar idetë merkantiliste dhe promovuar proteksionizmin e prodhimeve vendase, lidhet ngushtë me keqkuptimin që shumë merkantilistë kanë për paratë. Ata mendojnë se merkantilistët se paraja në vetvete është pasuri që do të thotë sipas tyre se po të grumbullohen më shumë do të thotë që je më i pasur dhe po të shpenzosh para do të bëhesh më pak i pasur. Bazuar tek bindja se pasuri do të thotë akumulim parash, ata mbështesin e gëzohen për eksportet (sepse eksportet shiten në këmbim të parave) dhe vajtojnë kur importohet (sepse importet paguhen me para). Kjo disbalancë tregtare është obsesioni i merkantilistëve mirëpo duhet vënë në dukje se paratë janë të vlefshme vetëm sepse ato mund të shkëmbehen për mallra dhe shërbime konkrete përndryshe do ishin copëza letre apo metali. Paraja si send, nuk është pasuri sepse pasuria është mundësia për blerë e për të shijuar mallëra nëpërmjet tyre. Mirëpo merkantilistët mendojnë se para duhet të grumbullohet në sasi sa më të mëdha e të shpenzohet sa më pak që të mundet. Me fjalë të tjera, për merkantilistët, paraja nuk është një mjet që bën të mundur shkëmbimin e disa mallrave apo prodhimeve tona (falë punës sonë) për të shtënë në dorë mallra ose shërbime të tjera që na interesojnë por ëshë qëllim në vetvete pa e vrarë mendjen për funksionet e tjera të parasë.
Suksesi dhe supremacia e tregtisë së lirë ndërkombëtare për shëndetin e një ekonomie, është dëshmuar tashmë katërcipërisht dekadave të fundit e prandaj edhe shtetet e fundit komuniste janë dorëzuar e janë hapur përpara tregtisë. Tashmë pjesa me e madhe e ekonomistëve të botës janë të bindur se tregtia e lirë përmirëson dhe shton inovacionin e ekonomisë së një vendi sepse pa konkurrencën që vjen prej produkteve të importuara , prodhuesit vendas nuk do të kishin asnjë shtyse apo motiv që të bëheshin inovator e të përmirësonin cilësinë apo të ofronin produkte të reja. Me pak fjalë rritja e konkurencës në një treg falë importeve, jo vetëm ul çmimin dhe dhe rrit cilësinë e produkteve por edhe stimulon prodhuesit që të tregohen më inovatorë duke kërkuar mënyra më efikase të prodhimit ose duke shpikur produkte të reja atraktive për tregun. Këtë gjë e vërtetoi edhe analiza e Bankës Qendrore të Kosovës që deklaroi në tetor se pas një viti në fuqi, taksa 100 për mallrat e importuara prej Serbisë e kishte dëmtuar ekonominë e vendit duke rritur çmimet e prodhimeve për konsumatorët e thjeshtë.
Po ashtu tregtia e lirë mundëson shpërndarjen më efikase të burimeve të një vendi duke rritur efikasitetin e ekonomisë. Lidhur me këtë çështje qarkullon edhe një legjendë urbane se importi kinse shton papunësinë sepse kanos prodhuesit vendas. Tregtia e lirë mund të zvogëlojë vendet e punës në industri joefikase, por ajo shton burime për të krijuar vende pune në industri efikase të suksesshme, duke rritur pagat e përgjithshme dhe duke përmirësuar standardet e jetesës. Është tregtia ajo që i detyron vendet që të specializohen në prodhimin e mallrave ku ata kanë një avantazh krahasues e ku mund të jenë konkurrues në tregje ndërkombëtare. Kështu për shembull është absurde që mbi treçereku i tokave që punohen në Kosovë mbillen me drithëra kur dihet që kostoja e prodhimit del shumë më e lartë sesa në ai që mund të importohet. Kjo do të thotë se në kushtet e fragmentimit në ngastra të tokës bujqësore dhe të mungesës së mekanikës bujqësore, pra të bujqësisë intensive, nuk ka kurrsesi mundësi Kosova që të konkurrojë me prodhues të mëdhenj të drithërave si Rusia, SHBA apo Kanadaja. Më e arsyeshme do të ishte ta zëmë që të investohej në serra perimesh, fruti-kulturë, hortikulturë, vreshtari apo bimë eteriko-vajore të cilat kërkojnë më shumë punë intensive (krahun e punës e kemi me bollëk) e jo detyrimisht hapësira të mëdha të tokave (që ne nuk i kemi).
Lista e përfitimeve nga tregtia e lirë është shumë e gjatë e nuk lidhet vetëm me leverdinë ekonomike. Tregtia e lirë ndërkombëtare konsiderohet gjithashtu një faktor vendimtar për të ndërtuar paqe duke shtuar shkëmbimin, bashkëpunimin vullnetar dhe ndërvarësinë mes shteteve të ndryshme. Për këtë arsye Bastiat i sipërpërmendur thoshte “se kufinjtë që kalohen nga tregtarët nuk kanë për t’u kapërcyer nga ushtarët”. Këtë gjë e dëshmon më së miri projekti i suksesshëm i Bashkimit Evropian që ndërtoi një treg të përbashkët mes vendeve që kishin bërë luftëra gjakatare të njëpasnjëshme me njeri tjetrin duke rritur ndërvarësinë mes anëtarëve bazuar në teorinë e quajtur funksionalizëm. Jo më kot BE mori në 2012 çmimin Nobel për paqen për këtë sukses.