Shtatori i vitit të kaluar kishte risi Kornizën e Kurrikulës së Re, ndërsa ky shtator kishte risi materialet e reja mësimore për nivelin parashkollor dhe klasët 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11. Është i pamohueshëm fakti që tekstet shkollore të përditësura kanë ndikim të drejpërdrejtë në zbatim të suksesshëm të Kurrikulës së re. Edhe “Konkursi për tekstet shkollore dhe materialet mësimore” i shpallur nga MASHT me datën 31 gusht 2018 kërkon që tekstet shkollore të përputhen me Ligjin për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik; Kurrikulat Bërthamë; Kornizën Kurrikulare të Kosovës; Planprogramet lëndore dhe Standardet për tekste shkollore. Nëse analizohen këto dokumente shihet qartë se janë të fuqishme mekanizmat për përzgjedhjen e teksteve të duhura shkollore. E pse kemi qenë të bombarduar që tekstet e reja shkollore nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim evident nga ato të vjetrat dhe shumë prej tyre kanë gabime rrënjësore? Mos kemi të bëjmë prapë me një politikë arsimore të shkruar mirë në letër, por aspak e zbatuar?
Të shkoj me radhë.
Fillimisht, po shkoj nëpër teh me informatat rreth disa dokumenteve që është dashur të vlerësojnë eligjibilitetin e teksteve të reja shkollore. Nga shkrimi i vitit të kaluar rreth Kurrikulës së re, “risia që sjell kjo Kornizë është mësimi i bazuar në parime dhe kompetenca dhe jo në përmbajtje lëndore; pra, arsimi do të jetë i fokusuar në mësim praktik që përshtatet me kërkesat e botës së sotme – kërkesat dhe nevojat e nxënësve do të dirigjojnë orët mësimore dhe plan-programet.” E Kurrikulat Bërthamë përcaktojnë këto parime dhe kompetenca, dhe janë dokumenti bazë që mundësojnë zbatueshmërinë e Kurrikulës së re. Me fjalë tjera, librat e ri shkollor – sipas konkursit të MASHT-it – është dashur të përputhen me parimet dhe kompetencat e mësimnxënies që specifikohen në këto dokumente.
Shembull i dështimit:
Kurrikula Bërthamë për nivelin e mesëm të ulët, si nxënës të suksesshëm dhe kontribuues produktiv të klasës 6 dhe 7 e cilëson atë nxënës që “përdor programet kompjuterike për përgatitjen e materialeve të nevojshme (si: grafikë, ilustrime të nevojshme, dizajnim të ftesave, pamfleteve, njoftimeve apo publikimeve të tjera) për nevoja të klasës dhe të shkollës.” Këto kompetenca nxënësi do të duhej t’i arrijë gjatë orës Teknologji me TIK dhe librave të rinjë të publikuar këtë vit. Pas analizës së Librit të mësimdhënësit, lënda Teknologji me TIK e klasës së 7, fatkeqësisht ende nxënësit tanë po mësohen sesi të hapin dhe të mbyllin ikona në Microsoft Word. Janë gjithsej katër nën-njësi mësimore të parapara në librin e ri Teknologji me TIK që mësojnë si të hapet një dokument Word, si të shkruhet, si të shtohen paragrafa të rinj, dhe si të ruhet ky dokument. Këto njësi mësimore të ofruara në librin e ri nuk përkojnë aspak me rezultatet e kompetencave kryesore që pritet të arrihen nga nxënësit në klasën e 6 dhe shtatë sipas Kurrikulës Bërthamë dhe Kornizës së Kurrikulës. Pyetja retorike: si është aprovuar ky libër?
Së dyti, dokument bazë për përzgjedhjen dhe vlerësimin e librave shkollorë është “Standarde për tekste shkollore”. Ky dokument dikton procesin e vlerësimit të teksteve shkollore. Së pari, ky dokument kërkon që vlerësimi i secilit tekst shkollor të bëhet nga të paktën tre ekspertë të pavarur që kanë fokuse të ndryshme (shkencore, didaktike, aspekte të mësimdhënies). I njëjti dokument përcakton që “ekspertët (veç e veç) e bëjnë vlerësimin e tekstit shkollor sipas 15 standardeve të përgjithshme dhe standardit nr. 16, i cili lidhet me tipin dhe lëndën e veçantë të tekstit shkollor në fjalë.”
Këto standarde janë:
Standardi 1: Përputhshmëria me kurrikulin dhe me tekstet shkollore të së njëjtës lëndë të klasave pararendëse dhe pasuese
Standardi 2: Paraqitja, pamja, qartësia
Standardi 3: Ilustrimet
Standardi 4: Cilësia, relevanca (thelbësorja) dhe aktualiteti në pikëpamje përmbajtësore dhe shkencore
Standardi 5: Përshtatshmëria me moshën e nxënësve/eve
Standardi 6: Përpunimi dhe përpilimi didaktik
Standardi 7: Pyetjet dhe detyrat
Standardi 8: Aspekte gjuhësore
Standardi 9: Lidhjet me realitetin shoqëror, historik dhe politik
Standardi 10: Lidhjet me aspektet Edukim për pjekuri/pavarësi, Edukim për demokraci, Edukim paqësor
Standardi 11: Reflektimi i barazisë gjinore
Standardi 12: Përmbajtja ndërkurrikulare të tjera të rëndësishme
Standardi 13: Doracak për mësimdhënësit/et; përdorshmëria e tij
Standardi 14: Materiale pune (ushtrime etj.) në lidhje me tekstin shkollor
Standardi 15: Sprovimi/testimi praktik, paraprak, i tekstit shkollor
Standardi 16: Standardet e personalizuara për lëndë mësimore
Për secilin standard është i përcaktuar synimi dhe janë të paktën tri pika vlerësuese që duhet të vlerësohen nga të paktën tre ekspertë përkatës. Nëse ka kaq shumë shtresa të vlerësimit të teksteve shkollore, atëherë si ka ndodhë që tekstet e reja shkollore kanë kaq shumë hapësirë për përmirësime?
Si për kuriozitet në fund e që lidhet me vlerësim të teksteve, MASHT ka dërguar 200 ekspertë në Hotel Bonita për të vlerësuar tekstet e reja shkollore për një javë me 12 shkurt 2019, ndërkaq Konkursi për tekstet shkollore dhe materialet mësimore thotë se “afati për dorëzim të dorëshkrimeve fillon me datën e publikimit në gazeta ditore dhe përfundon me 28 shkurt 2019 kur edhe duhet të dorëzohen të gjitha dorëshkrimet në MASHT”. Nuk po mund t’ia gjej fijen se cilat tekste janë vlerësuar kur afati për dorëzim ende nuk ka qenë i mbyllur. Edhe nëse ka pasur material vlerësues, si është bërë ndarja e 200 ekspertëve për vlerësim i cili është bërë për tetë ditë. Edhe nëse ka pasë kohë dhe materiale të mjaftueshme, si asnjë nga tre ekspertët vlerësues për librin “Gjuha Shqipe 6” nuk e kanë dalluar që Borëbardha është bërë Kësulkuqe?