Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Nuk ka Ekonomi pa Politikë

“Ne besojmë në përparim në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, si hap i parë drejt përparimit në procesin e paqes”, kishte thënë John Ullyot, Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i ShBA-ve. Deklarata e Ullyot i referohej pritjeve të Shtëpisë së Bardhë nga takimi i 4 shtatorit në kuadër të dialogut të Kosovës me Serbinë. Kjo deklaratë jehon deklarimet e mëhershme të të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Ambasadorit Richard Grenell, i cili në vazhdimësi deklaronte se synimi i tij ishte zhvilimi ekonomik e jo çështjet politike.

Kjo ndarje mes ekonomisë dhe politikës u përbrendësua me shpejtësi të dritës nga përfaqësues të partive të caktuara politike në Kosovë. “Në Shtëpi të Bardhë do të flasim për ekonomi”, thoshte njëra. “Zhvillimi ekonomik e krijimi i vendeve të punës janë prioritet”, ia priste tjetri. Sakaq, pavëmendshëm, e për më keq në mënyrë jokritike, deputetët tanë u bënë Grenella. Të gjithë u bënë përfaqësues amerikanë. Dhe kështu përfundoi qershori dhe korriku. Tash jemi në gusht. Takimi i shumëpritur në Shtëpinë e Bardhë po afrohet. Dhe tash, pak a shumë 10 ditë para takimit, jemi përmendë që në fakt, dialogun të cilin po e kërkojmë tash e sa kohë është ai për njohje. Pra, po kërkojmë të flasim për çështje politike. Gati se po bëhemi antiamerikanë (smile).

Nuk është se nuk kemi një ecje të vogël përpara. Vetëdijësimi se nuk mund të ketë ekonomi pa politikë është jashtëzakonisht i dobishëm për këtë fazë e jo vetëm për këtë fazë. Ky është parimi bazë i pushtetit, pavarësisht ideologjisë së këtij të fundit. Prej të djathtës e te e majta, këndvështrimi për shoqërinë është i lidhur ngushtë me ekonominë (nganjëherë i determinuar, shpeshherë i kushtëzuar dyanshëm). Ekonomia është e varur kryekëput nga politika (qasja ideologjike e vendimmarrja institucionale) ashtu siç e ndikon skajshëm sistemin politik (përfaqësues të shtresave të ndryshme politike bartin vlera të ndryshme ideologjike varësisht interesave të të përfaqësuarëve).

Në Kosovë shpesh dëgjojmë sesi disa prej gjërave të rëndësisë jetike për vendin nuk duhen politizuar! Madje këtë e dëgjojmë shpesh edhe në Kuvendin e Republikës. Dhe atë nga deputetët! Natyrisht se këtu lehtë mund të themi se deklarimet e tilla janë ‘rrëshqitje gjuhe’. Madje edhe mund ta marrim me nënqeshje. Pra çfarë që mendojnë të thonë ata, të cilët kërkojnë ‘mospolitizim’ është shpeshherë vrojtimi i stërpërdorur në diskursin politik e publik në Kosovë: që partitë politike qëndrimet i bazojnë në interesat e tyre vetanake, herë individuale, herë grupore e klanore, nganjëherë, gjithnjë partiake e elektorale, por asnjëherë në interes të qytetarëve. Nuk është edhe aq e lehtë që këtë ta quajmë qasje të kulluar politike. Sidoqoftë kjo qasje ngërthen në vete probleme dhe kërkon trajtim më të gjatë. Por nuk është objekt i këtij shkrimi.

T’i kthehemi temës: Politizimi i ekonomisë. Filozofi marksist Louis Althusser, e bën një kritikë interesante ndaj ideve revolucionare të cilat barrikadohen në istikame dogmatike, të cilat e humbin vërtetësinë meqë pamundësojnë trajtimin dialektik. Kështu ai thotë se përpjekja revolucionare e përqendruar vetëm te ekonomia e duke e mohuar politikën përfundon në pragmatizëm, ashtu siç përfundon në aventurë ajo që insiston te politikja pa e çarë kokën për ekonominë.

Dialogu me Serbinë është në një fazë tejet të brishtë, me shumë të panjohura (së paku për publikun), por edhe shumë kompleks. Kështu ai në asnjë mënyrë nuk bën të na rrëshqasë në aventurë. Por qe besa edhe pragmatizmi i skajshëm mund ta dëmtojë qëllimin final. Në këtë pikë është e pamundur të flasësh për njërën pa folur për të dyja – marrëdhëniet me Serbinë duhet të jenë edhe politike edhe ekonomike. Sepse problemet që i kemi me Serbinë janë të të dyja natyrave (politike dhe ekonomike) duke anuar rëndë kah ato politike. Është statusi politik i Kosovës në këtë rast ai që e determinon llojin e marrëdhënieve ekonomike, që do t’i ketë Kosova me Serbinë. A do të jenë ato marrëdhënie mes dy vendeve të pavarura sipas parimit të reciprocitetit e fqinjësisë së mirë siç kërkon Kosova, apo marrëdhënie mes Provincës dhe Qendrës siç insiston t’i ndërtojë Serbia? Kjo është pyetje themelore në këtë fazë (në secilën fazë) të dialogut mes dy vendeve. Dhe këtu pragmatizmi i Grenellit (i pranuar nga ne në mënyrë jo kritike) mund të jetë problematik. P.sh. te marrëveshjet për transportin ajror, apo rrugor. Infrastruktura ne vete nuk bart konotacione politike. Rrjedhimisht etablimi i linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, apo ndërtimi i një autoudhe që e lidh Prishtinën me Nishin, duken politikisht neutrale. Dhe natyrisht që janë të dobishme. Por këto megjithatë janë vetëm infrastrukturë. Është naive të mendohet se “Dialogu për marrëdhënie ekonomike” i proklamuar aq shumë përfundon në 3-4 marrëveshje infrastrukturore. “Marrëdhënie ekonomike të përmirësuara” do të nënkuptonte marrëveshje që çojnë kah unifikimi i tregut, që kushtëzon integrim progresiv në zinxhirin e përbashkët të vlerës, e që mirëmbahet nga qarkullimi plotësisht i lirë i mallrave, kapitalit, fuqisë punëtore, teknologjisë e inovacionit. Për më tepër, mes Kosovës dhe Serbisë, duke e pasur parasysh kontestin dhe kontekstin, kjo do të mund të nënkuptonte edhe marrëveshje për përdorim të përbashkët të resurseve natyrore e indrustriale, të cilat të dyja vendet i pretendojnë të tyret. E këtu tashmë po flasim për një kornizë politike brenda së cilës ndodhin këto bashkëpunime ekonomike. Cila është ajo? Këtë do të duhej të na e tregonin krerët institucionalë.

Mospërgatitja për një dialog të tillë (dhe këtu vetëm po supozoj që nuk jemi të përgatitur) ka rrezik të na e shndërrojë dialogun në pragmatizëm avanturistik. Deri tash në publik është përfolur vetëm një ide/kornizë sipas së cilës do të ndërtoheshin “Marrëdhëniet e përmirësuara ekonomike” – ajo e nxjerrë nga një deklaratë e Ambasadorit Grenell, e i cili e propozon modelin e Zonës së Veçantë Ekonomike-ZVE (siç është aplikuar ajo në qytetin Shenzen të Kinës) si kornizë e ndërveprimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë kjo ide mbetet e paqartë sepse e paqartësuar. ZVE karakterizohen me lehtësime të caktuara ekonomike që përdoren si incentiva për kompanitë në mënyrë që këto të fundit ta bartin fizikisht aktivitetin ekonomik brenda zonës. Këto incentiva varirojnë prej lehtësimeve tatimore te kushtet infrastrukturore, prej fuqisë së lirë punëtore e deri te rregullativat e relaksuara mjedisore. Së pari, nëse lëvizet në këtë drejtim, nuk dihet cili do të jetë kufiri gjeografik i këtij qerthulli ekonomik, ose këtyre qerthujve ekonomikë. Pastaj çfarë ndikimi do të kenë këto në shoqërinë tonë? Cila do të jetë cilësia e punës së kërkuar aty? Çfarë kushte do të krijojnë këto për punëtorët?  Cilat do të jenë implikimet mjedisore nga koncentrimi i aktivitetit ekonomik brenda një zone të ngushtë? ZVE është e vërtetë se e ndikojnë hovshëm zhvillimin ekonomik të një vendi. Siç ka ndodhur edhe në Shenzen të Kinës (model pastaj i replikuar edhe në zona tjera brenda Kinës). Por ato njëkohësisht kanë shkaktuar eksploatim të skajshëm të fuqisë punëtore (meqë njëra prej incentivave është fuqia e lirë punëtore me kushte të rënduara të punës e pa organizim sindikal) dhe rritje enorma të emetimit të dioksidkarbonit në ajër (si pasojë e investimeve të mangëta në mbrojtje të mjedisit si dhe si pasojë e koncentrimit të aktivitetit industrial në një zonë të kufizuar gjeografike).

Por problemet e mundshme mund të shkojnë edhe më larg. Cilat do të jenë implikimet politike të një fuqie të tillë ekonomike brenda territoreve të të dyja vendeve (duke supozuar që qerthujt mund të përfshijnë pjesë të territoreve të të dyja vendeve)? Si do të bëhet administrimi politik i këtyre qerthujve mes Kosovës dhe Serbisë? A do të rregullohen ato? Nga kush? Kosova? Serbia? Institucionet e përbashkëta? Cilat janë këto institucione? E kështu me radhë. Këta qerthuj mund të shndërrohen në ‘Zajednica’ të kapitalit. Gjithsesi ky shkrim bazohet në spekulime për shkak të mungesës së informatave. Të mësipërmet janë disa nga pyetjet bazike që lindin në momentin kur dalin në publik ide të tilla. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që dialogu do të shkojë drejt kësaj ideje. E as që bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, për më tepër ai rajonal, është i dëmshëm në vete.

Përkundrazi, ai është i domosdoshëm dhe bart potencial të madh zhvillimi e rritjeje të mirëqenies. Veçanërisht për sigurimin e paqes së qëndrueshme në rajon. Në këtë drejtim Kosova nuk bën të jetë apriori kundër nismave për bashkëpunim. Por nuk duhet të jetë as PËR apriori. Në këtë pikë përgatitja dhe ravijëzimi i qartë i interesave tona, si dhe strategjia se si nismat e tilla mund t’i shërbejnë interesave tona, por edhe të rajoni në përgjithësi – së pari atyre shoqërore e pastaj politike e ekonomike – është gjëja më e rëndësishme. Ne nuk mund të kërcejmë kah bashkëpunimi ekonomik pa i trajtuar çështjet politike, ato të drejtësisë, e pa e arritur një marrëveshje për të kaluarën. Po ashtu pa u siguruar që po merremi vesh për të tashmen, që nënkupton njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia si dhe përfundimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Por edhe për të ardhmen, e që nënkupton llojin e ndërveprimit e bashkëpunimit rajonal (edhe të Kosovës me Serbinë, por jo vetëm të Kosovës me Serbinë).

Në fjalimin kontrovers të tij, të mbajtur në Mitrovicë në shtator të vitit 2018, Presidenti i Serbisë e ka pasur një fjali programatike: “Dhe e kam për qëllim që ky vend [Serbia v.j.] të jetë i madh, jo për shkak se do ta pushtojë Ballkanin ose botën, por për shkak se do ta pushtojë të ardhmen me punë, dije …” Në këtë program të shtetit të Serbisë, shprehur nga Vuqiq në Mitrovicë, shpërfaqet lufta ekonomike për të ardhmen. Dhe në kuadër të kësaj lufte do të ravijëzohen marrëdhëniet tona ekonomike. Pra, ato mund të jenë raporte barazie të interesit të ndërsjellë, ose raporte varësie bazuar në hegjemoni. Kjo mbase është Tema e takimit më 4 shtator.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.