Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pa e reformuar sektorin publik, rritja e pagave është e pakuptimtë

Qeveria dhe Kuvendi e finalizuan rritjen e pagave për sektorin publik në mesin e përpjekjeve shtazarake të qindra grupeve të interesit për ta përfituar edhe centin e fundit. I gjithë cirku shpërfaqi edhe një herë mendësinë e plaçkitjes që mbretëron në vend tash e sa vite si dhe mungesën e seriozitetit dhe dijes për zgjidhjen e problemeve në sektorin publik.

Politikanët populistë e oportunistë, në përpjekje të mjerë për t’u dukur zemergjerë, së pari krijuan privilegje shtesë për vetveten, e pastaj i hodhën ashtin e fundit grevistëve mësues, mjekë e çkado, të cilët me gjasë vetë i kishin instrumentalizuar për qëllimet e politikës ditore.

Në gjithë këtë katrahurë natyrisht më së paku rëndësi pati çështja se çfarë reformash nevojiten për ta krijuar një sektor publik funksional. Është e qartë që në Kosovë ky sektor vuan nga një mori problemesh strukturale që e pllakojnë atë dhe rezultojnë në një performancë të dobët të tij dhe të gjithë ekonomisë vendore. Qeveria dhe Kuvendi nuk do t’i zgjidhin problemet vetëm duke u hedhur atyre më shumë para pa identifikimin dhe adresimin e drejtpërdrejtë të tyre.

Le ta themi së pari një të vërtetë të thjeshtë: sektori publik jeton mbi kurrizin e atij privat. I gjithë sektori publik financohet nga tatimet që shteti i mbledhë në sektorin privat. Sikur sot të shuhej ky i dyti, me të do të binte edhe i pari. Pse kështu? Sepse vetëm sektori privat prodhon dhe krijon të hyra. Sektori publik vetëm e shpenzon atë që sektori privat e ka krijuar.

Me ta kuptuar këtë duhet shtruar pyetja: a është e arsyeshme që sektori privat ta mbajë mbi supe një barrë kaq të rëndë? Duke filluar nga numri i zëvendësministrave e deri tek të punësuarit me shumicë në PTK, KEK, e institucione tjera publike, në sektorin publik janë të punësuar plot 81,466 persona apo rreth 24% e të gjithë të punësuarve. Kur gati çdo i katërti është i punësuar në shtet, proporcionalisht kjo i bie që Kosova ia vendos mbi supe sektorit privat një peshë më të rëndë se Britania, Kanadaja, Brazili, Australia, etj. Sado që të jetë jopopullor, shkurtimi i sektorit publik duhet të jetë hapi i parë reformues.

Çdo qytetar mund ta dëshmojë nga përvoja e tij që të merresh me sektorin publik është një makth. Mungesa e organizimit dhe e llogaridhënies, papërgjegjësia dhe kaosi mbretërojnë kudo në institucionet publike. Për këtë shkenca e ekonomisë jep një sqarim të thjeshtë: meqë sektori publik i ka të garantuara të ardhurat nëpërmjet konfiskimit nga sektori privat, ai nuk ka nxitje apo vullnet që të jetë efikas. Në esencë, sektori publik është monopol dhe sillet me të njëjtat karakteristika. Efikasiteti paraqitet vetëm kur të ardhurat nuk janë të garantuara por duhet të fitohen duke i bindur konsumatorët, ashtu siç ndodh në sektorin privat.

Kjo nënkupton që për rritje të efikasitetit dhe dinamizim të ekonomisë nevojitet privatizimi (i ndershëm dhe transparent, jo plaçkitës) i ndërmarrjeve shtetërore. Çdo gjë që mund të ofrohet në treg nga kompanitë private në konkurrencë të lirë me njëra-tjetrën do të jetë më efikase se çfarëdo që sektori publik bën.

Faktori njeri është kyç në funksionimin e sistemeve sepse ai i krijon, mirëmban dhe mbikëqyr ato. Kur Qeveria dhe Kuvendi e trajtojnë sektorin publik si mekanizëm të rehatimit social dhe të blerjes së qetësisë qytetare, aty nuk mund të ketë kuadro të mira. Me këtë mendësi sektori publik shndërrohet–ashtu siç ka ngjarë me të vërtetë–në vatër të nepotizmit dhe korrupsionit.

Një sistem nuk mund të funksionojë pa punëtorë profesionistë, të kualifikuar dhe të përkushtuar. Një numër shumë i vogël i punëtorëve në sektorin publik i plotëson këto kritere. Mësuesit që tani përfituan rritje pagash asnjëherë nuk dhanë përgjigje për skandalin e PISA-së, kurse në mesin e mjekëve ka të atillë që nuk paraqiten fare në vendin e punës.

Nuk mund të ketë rritje pagash pa një reciprocitet nga ana e përfituesve të tyre. Sektori publik meriton paga dinjitoze, por vetëm me kusht që të jetë efikas, profesional dhe ndershmërisht në shërbim të qytetarëve sipas përgjegjësive që i përcakton ligji. Për ta bërë një të tillë nevojitet reformimi i tij dhe pa reformim rritja e pagave është e pakuptimtë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.