Më lejo të kontrolloj paratë e një vendi dhe nuk më intereson kush i bën ligjet e tij
Kur njerëzit e zbuluan zjarrin 1.7 milion vite më parë, ata u tmerruan nga ai, sepse nuk e kuptonin çfarë ishte ajo krijesë e rrezikshme. Vetëm gradualisht, me kalimin e kohës, u shua frika dhe zjarri filloi të vihej në shërbim të tyre, që përbën një kthesë historike në evoluimin e njerëzimit.
Sot në vitin 2017, i njëjti panik po vërehet me një tjetër zjarr: monedhës virtuale bitcoin. Një sërë njerëzish të botës së financës, përfshirë ata më të kaliturit, janë shprehur në favor të ndalimit të saj. Arsyet e shprehura janë një vorbull e pëshpëritjeve të paqarta dhe aspak bindëse, të cilat shpërfaqin një injorancë të skajshme mbi natyrën dhe funksionimin e këtij produkti kreativ teknologjik.
Para se të lëshohemi në akuzat e linçuesve duhet të thuhet e vërteta më e rëndësishme: bitcoin nuk mund të ndalohet sepse është dizajnuar pikërisht ashtu! Bitcoin është një sistem i decentralizuar, i mirëmbajtur nga qindra-mijëra përdorues. Fakti që bitcoin nuk mund të kontrollohet nga një entitet i vetëm përbën njërën nga arsyet kryesore pse është aq i dëshiruar! Ta ndalosh bitcoinin është, pak a shumë, si të ndalosh një mendim apo informacion në mendjen e një populli të tërë.
Ekonomisti Joseph Stiglitz ishte në mesin e më të paartikuluarve, i cili në tentim për ta diskredituar bitcoin-in tregoi vjetërsinë e sistemit të tij softuerik. Ai tha që bitcoini duhet të ndalohet sepse “është një fluskë”.* Mbi çfarë baze? Rritjen e shpejtë të vlerës së tij? Është e vërtetë që një numër i madh i njerëzve kanë blerë bitcoin thjesht sepse kanë pritur që vlera e tij të rritet, duke e përmbushur profecinë, e cila pastaj ka nxitur blerës të tjerë dhe kështu ka rimbështetur ciklin. Por kjo dëshmon vetëm që bitcoin mund të jetë i mbivlerësuar, jo që është një fluskë. Fakti që investitorët rrezikohen nga një korrigjim në vlerën e bitcoinit nuk e dallon atë nga asnjë aset tjetër.
Stiglitz gjithashtu tha që bitcoini “nuk përmbush asnjë funksion social”. Kjo është e pavërtetë. Bitcoin luan të njëjtin rol social si euro, dollari e valutat tjera, përveç më mirë! Bitcoin nuk është pre e tekave të politikës monetare të bankave qendrore dhe pranueshmëria e tij si mjet i këmbimit është gjithmonë në rritje. Pse frikësohet Stiglitz kaq shumë nga një aset, në të cilin nuk e ka të investuar as edhe një cent? Nëse sistemi aktual i dollarit si valutë me dekret (ang. fiat money) është alternativë kaq e mrekullueshme, sigurisht njerëzit do ta preferojnë atë në afat të gjatë!
Edhe më qesharake janë krahasimet e bitcoin me maninë e tulipanëve, siç shkruan perceptivisht entuziasti Ferdinando M. Ametrano: “Mjaft më me këtë krahasim të falsifikuar me maninë e tulipanëve. Të krahasosh një fluskë ekonomike 6-mujore të vitit 1637 në Holandë me një inovacion përçarës global 9-vjeçar në vitin 2017 është intelektualisht e turpshme. Bitcoin mund të dështojë, por nuk është një fluskë”.
Injorancë të ngjashme kanë treguar edhe disa prijës fetarë në vendet myslimane, të cilët kanë thënë se bitcoin nuk është hallall, duke mos e kuptuar që bitcoini nuk bie në kundërshtim me parimet islamike kundër kamatës sepse nuk është aset kreditor.
Ndaj bitcoin-it është hedhur edhe akuza e zakonshme që spekulimi financiar i trazon tregjet dhe nuk ka dobi reale ekonomike. Spekulimi është një term magjepsës për një aktivitet krejtësisht normal dhe legjitim: tregtinë. “Spekulatorët” nuk janë demonë që shkatërrojnë tregje; janë blerës që kërkojnë të blejnë asete të nënvlerësuara me synimin që të përfitojnë kur të rritet vlera e tyre. Spekulimi në fakt luan një rol të rëndësishëm social. Një spekulator që e blen $100 një aset që mendon se do të vlerësohet $110 ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimit. Në këtë formë ai i përditëson dhe i korrigjon çmimet e tregut. Nëse parashikimi i tij është i saktë, ai përfiton, por nëse del të jetë i pasaktë ai e paguan çmimin me humbje. Prandaj spekulatorët i rrezikojnë paratë e tyre në kërkim të fitimit si çdo investitor tjetër në treg, por në proces e përmbushin një funksion të dobishëm ekonomik.
Një gjë tjetër që kritikët e bitcoinit nuk e kuptojnë, është që bitcoini nuk është thjesht një modë, pa ndonjë vlerë reale teknologjike. Bitcoini përdor një krijim jashtëzakonisht të dobishëm teknologjik që quhet blockchain, të cilin e kam shpjeguar para 5 muajve në këtë shkrim. Blockchaini është sistem që garanton vërtetësinë e informacionit dhe mund të gjejë aplikim edhe në fusha tjera. Për shembull, ai mund të shërbejë edhe në ruajtjen e identitetit digjital, i cili është problem i madh që i shkakton industrive humbje $18.5 miliardë çdo vit. Kompanitë sulmohen nga hakerët dhe identiteti i klientëve, i përdoruesve dhe i punëtorëve (së bashku me të dhëna të tjera të ndjeshme) vidhen. Blockchaini ndihmon në verifikimin e identitetit në një mënyrë të sigurt.
Një aplikim tjetër interesant janë “kontratat e mençura”. Këto janë si kontratat (marrëveshjet) e zakonshme, por që nuk kanë nevojë të mbikëqyren nga një autoritet i vetëm qendror për t’u ekzekutuar. Dy akterë mund të pajtohen të këmbejnë para (apo çfarëdo) në një të ardhme nëse disa parakushte plotësohen dhe sistemi automatikisht e autorizon këmbimin. Bizneset mund t’i paguajnë furnitorët në momentin që sistemi verifikon që një vlerë e caktuar e shitjeve është bërë. Kjo i mënjanon keqpërdorimet si dhe i zvogëlon kostot dhe kohën e veprimit manual.
Votimi digjital nuk përdoret shumë pikërisht për shkak të sigurisë, por blockchaini e mundëson dikë të votojë online, konfirmojë votën dhe të ruajë privatësinë. Kurse elementi i “vulës kohore” (ang. timestamp) në blockchain nëpërmes kodimit me hash e konfirmon ekzistencën e diçkaje në një kohë të caktuar. Kjo e mundëson digjitalizimin e noterisë dhe verifikimin e dokumenteve online.
Pra, prapa bitcoinit qëndron një teknologji me dobi ekonomike reale dhe të prekshme. Bitcoini është strehë për investitorët, ngjashëm si ari, kur valutat e shteteve lëvizin vrullshëm. Ai e rritë privatësinë, i zvogëlon kostot e transaksionit dhe mundëson pagesat online. Bitcoini ka përfitime konkrete, rast me të cilin njerëzit e kanë blerë dhe përdorur shumë kohë para se vlera e tij të fillojë të rritej shpejt.
Se investitorët duhet të marrin edukim financiar dhe të gjykojnë a është e dobishme të investohet në bitcoin është krejtësisht normale dhe e këshillueshme. Është gjithashtu normale që institucionet shtetërore të dalin publikisht me thirrje që njerëzit të kenë kujdes me një aset kaq volatil që rritet 900% vetëm brenda një viti.
Por vendimi final për të investuar është i secilit individ, i cili bart mbi vete rreziqet e humbjes eventuale. Intervenimi i dhunshëm duke tentuar të pamundurën e ndalimit të bitcoinit për t’i mbrojtur njerëzit nga vetvetja është arrogant dhe joproduktiv.
____
* Fluskë ekonomike është tregtia me një aset në çmime të jashtëzakonshme, që tejkalojnë vlerën e rendimentit të tij.
___________
Më shumë rreth kriptomonedhave në sbunker:
Bardhyl Salihu – Bitcoini
Dite Gashi – Kriptomonedhat dhe ICO: Një prezantim i shkurtër