Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Përfaqësimi i të rinjve/rejave në strukturat udhëheqëse të subjekteve politike

Sipas Patrice Canivez, autor e ligjërues francez në analizat e tij paraqitur në librin “Të edukohet qytetari”, aktiviteti politik ndahet në katër (4) shkallë. Përderisa, në shkallën e katërt, klasifikon “qytetarin aktiv si të tillë që merr përgjegjësi politike në çfardo niveli në hierarkinë e ndonjë partie ose në hierarkinë e funksioneve publike… Qytetari është aq më aktiv, sa më afër qendrës së vendosjes të jetë. Me fjalë të tjera, sa më afër qeverisë që të jetë me veprimtarinë e vet, aq më aktiv është.”

Në këtë fluks mendimi, shtrohet pyetja e adaptimit të një qasjeje të tillë brenda sistemit kosovar politik. Të rinjtë/rejat si qytetarë/e aktiv/e politik/e, a kanë gjetur vend dhe hapësirë përfaqësimi në strukturat udhëheqëse të subjekteve tona politike?

Për arritjen e një përfundimi real përkues me gjendjen apo situatën në të cilët ndodhen të rinjtë/rejat e shtetit tonë na ndihmon analiza që duhet bërë kënaqësisë dhe interesit të kësaj kategorie karshi politikë-bërjes partiake. “Studimi i Rinisë Kosovë 2018/2019”, hulumtim i realizuar nga Friederich Ebert Stiftung – FES, ka gjetur që ka pasur rënie dramatike në interesimin e të rinjve/rejave për ngjarje politike në krahasim me vitin 2012 dhe që të rinjtë/rejat shprehin një interes pak më të madh në qeverisjen lokale. Në anën tjetër, i njëjti hulumtim vë në pah që vetëm 10% e të rinjve/rejave kosovarë/e janë të mendimit se interesat e tyre përfaqësohen “mirë” në politikën kombëtare. Rrjedhimisht, në situata të ndryshme politike të krijuara në vend qoftë kjo në aspekt e në nivel të shtet-ndërtimit apo qeverisjes shtetërore, apo dhe kundërshtimeve opozitare, e madje dhe zgjedhjeve lokale apo qëndrore, jemi përballur me të rinj/reja që janë aktiv/e në shprehjen e tyre të mendimit varësisht situatës, në forma të ndryshme të reagimit publik si përmes rrjeteve sociale (të shumëta) apo dhe organizime e aksioneve të ndryshme simbolike dhe jo simbolike (të pakëta). Mirëpo, përkundër faktit që të rinjtë/rejat përbëjnë masën më të madhe të popullsisë, këto forma është dëshmuar që nuk e vënë të riun/renë në qendër.

Dëshmi fillestare e një keq-menaxhimi përfaqësues rinor, ndoshta mund të jetë fakti që shumica e partive politike në vend këtë përfaqësim e arsyetojnë me themelimet dhe fushëveprimtaritë e forumeve rinore brenda-partiake, të tilla strukturime realisht po na japin vetëm një 10% të mendimit se interesat e rinisë përfaqësohen në politikën kombëtare. Kapërcimi nga një forum rinor i një partie poltike, apo qasja direkte e angazhimit në parti politike, deri në pozicionim në organe më të larta vendim-marrëse brenda-partiake, apo përfaqësuese siç mund të jenë Kuvendet Komunale, apo dhe në Kuvend të Republikës së Kosovës, duket të jetë i vështirë për të rinjtë dhe rejat e Kosovës.  Sipas hulumtimit “Sa miqësore janë partitë politike ndaj të rinjve?” të lansuar rishtazi nga Demokraci për Zhvillim – D4D, – “6% e të rinjve kanë deklaruar që nuk përfshihen fare në diskutime kur merren vendime partiake, gjersa 12% kanë deklaruar që përfshihen vetëm sipërfaqësisht, 50% përfshihen, dhe 33% që përfshihen në të gjitha debatet kur merren vendime partiake”. Kjo e gjetur, është vështirë të matet vetëm nga perspektiva e opinionit të të rinjve/rejave anëtarë/e të një partie poltike, meqenëse dokumentacioni, si procesverbalet e diskutimeve parimisht nuk janë të qasshme në platformat elektronike të këtyre partive. Dhe ndër të tjera, aktivizmi politik lidhet ngushtë dhe me edukimin politik që posedon qytetari/ja në këtë rast i riu/reja. Shpesh, konsiderojmë që standardi ideal për një parti politike ndërtohet vetëm duke lartësuar imazhin e saj publik.

Në anën tjetër, se sa të përfshirë janë të rinjtë/rejat në struktura hierarkike të partive politike, tregohet dhe me një kërkim të thjeshtë të përmbajtjes konstituive të kryesive të partive poltike, ku kryesisht do të gjeni që dominohen nga figura tani të mirëkrijuara politikisht e që zakonisht i përkasin moshave më të vjetra.  Nën këtë mendim, hulumtimi i sipërpërmendur “Sa miqësore janë partitë politike ndaj të rinjve?” ka gjetur poashtu që “Të rinjtë e partive politike kanë mundësi të kufizuara sa i përket përfshirjes së tyre në lista të kandidatëve për të garuar për pozita publike. Kështu, 76% e të rinjve të anketuar kanë deklaruar se nuk kanë garuar asnjëherë në zgjedhje për ndonjë pozitë publike, përderisa vetëm 24% e tyre kanë pasur një mundësi të tillë.” Kjo ndër të tjera dëshmon se mungon besimi dhe hapësira që ju jepet të rinjve/rejave për të fituar pozita përfaqësuese e afër vendim-marrjes. Përkundër faktit që partitë poltike të mëdha kanë paraqitur edhe plane e programe për fuqizim të rinisë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të fundit nacionale në Kosovë (2019), fuqizimi është i mangët fillimisht brenda partive e nuk mund të dëpërtoj tutje pastaj në nivel shteti. Në këtë rast, nëse shikojmë rezultatet e shpallura të zgjedhjeve të vitit 2019 nga Komisioni Qendror Zgjedhor – KQZ, mosha mesatare e deputetëve/eve të zgjedhur/a në Legjistlaturën e Shtatë (VII), është 44 vjeç, e deputetja më e re në moshë është 22 vjeçe.
Që do të thotë, kemi mungesë përfaqësimi rinor, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse sipas Ligji Nr. 03/L-145 Për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, Neni 3, paragrafi 1.1 përcaktohet se: Moshë rinore ose “i ri, e re – grup-mosha e të rinjve prej pesëmbëdhjetë (15) deri njëzetekatër (24) vjeç.

Si përfundim të rinjtë dhe të rejat, që kanë zgjedhur të jenë pjesë e partive të ndryshme politike në vend, si formë aktivizmi politik, pa marrë parasysh interesit, qoftë ai për shkak të ideologjisë partiake, bindjeve politike, programeve partiake, apo për shkak të udhëheqjes meritojnë të ju jepet hapësirë e mjaftueshme përfaqësimi dhe nëse potencialisht vullneti rinor mirëpritet, por konsiderohet i papërshtatshëm, apo i papjekur në marrjen e vendimeve atëherë partitë politike do të duhej të përdorin mekanizma fuqizues dhe jo vetëm. Sipas, hulumtimit “Sa miqësore janë partitë politike ndaj të rinjve?” publikuar nga Demokraci në Zhvillim, tre (3) pengesat më të mëdha në avancim sipas të rinjve/rejave të partive politike janë: Mungesa financiare (28%); Mos-bashkëpunimi në mes të rinjve/rejave (27%) dhe Kufizimi i hapësirës në media dhe me publikun (21%). Prandaj, këto kërkesa duhet të dëgjohen, përfshihen dhe zbatohen në strategji partiake për të siguruar kështu fuqizim dhe përfaqësim të plotë rinor.
Përveç të tjerash, përfaqësimi i të rinjve/rejave në struktura udhëheqëse politike, nuk duhet të shihet vetëm si alternativë, por kusht vendim-marrës brenda-partiak, sepse përndryshe interesimi rinor në politikë-bërje do të bie dhe më shumë, e kjo nuk do t’i kontribuonte aspak demokracisë dhe gjithëpërfshirjes.

—–

Ky editorial është realizuar në kuadër të projektit “Pjesëmarrja politike: Drejt angazhimit efektiv të të rinjve”, që po implementohet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me përkrahje nga National Endowment for Democracy (NED).

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.