Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mbi problematizimin e gabuar të dialogut

Taksë apo reciprocitet? Apo ndoshta quhet “tarifë”?! Opinioni publik mësoi dallimin (e saktë) midis taksës dhe tarifës vetëm kur Qeveria e re na tregoi se ata që e vendosën taksën, në fakt nuk e paskan ditur çfarë është ajo. Taksa na u mbledhka kryesisht brenda, kurse tarifa një shprehje nga e drejta tregtare për marrëdhëniet midis shteteve. Më tej, taksa është veprim i njëanshëm, prandaj vështirë i mbrojtshëm, kurse reciprociteti supozon trajtimin e barabartë midis subjekteve. Diskutimet vazhdojnë: “taksa nuk na mbron nga diskutimi për shkëmbim territoresh, janë udhëheqësit e vendit dhe institucionet që e bëjnë”, na tha Kryetarja e Kuvendit. Argumentet për heqjen e taksës kanë filluar t’u ngjajnë argumenteve të pushtetit të kaluar: para ca muajsh thoshte Thaçi, tash po thotë  zv.kryeministri Abazi: “taksa duhet hequr sepse kontrabanda është rritur”. Argumentin e frikës dhe shantazhit e përdori edhe ministrja e Drejtësisë: “mbajtja e taksës rrezikon bojkotimin e punës në veri”, tha ajo. Se taksa do të hiqet, kjo punë duket e kryer. Por, ajo nuk do të hiqet për asnjë nga argumentet e përmendura më lart. Ajo do të hiqet sepse presioni për rifillimin e dialogut nuk mban më.

Reciprociteti në fillim nuk ishte një shenjues me kuptim të fiksuar. Kuptimi i tij disi qarkullues dhe fluid ka dërguar mesazhe në drejtime të ndryshme. Ai ka shërbyer për t’i pasivizuar kundërshtarët, por edhe për t’i kënaqur militantët. Reciprociten disa e kanë kuptuar si rrugëdalje prej taksës, dhe kthim në tavolinën e dialogut. Të tillët e kanë pasur një kuptim tejet “restriktiv” të tij. Në anën tjetër, ata që Kurtin e shohin në konkurrencë plisi me Ramush Haradinajn, nuk e duan këtë interpretim. Për ta, nëse taksa ishte aq radikale sa e pezulloi dialogun, reciprociteti i Kurtit i bie se duhet t’i japë fund përgjithnjë. Por, me kalimin e kohës reciprociteti po merr formë e përmbajtje. Kurti na tregoi se planifikon vazhdimin e dialogut, na tha se nuk e sheh të pamundur një marrëveshje përfundimtare brenda këtij viti. Kur këtë pozicion e vendosim brenda kontekstit, e shohim kryeministrin brenda projektit për një marrëveshje të shpejtë. Shikuar kështu, reciprocitet do të kemi aq sa ky reciprocitet nuk e rrezikon dialogun. Siç duket, shumë pak reciprocitet.

Për ata që u mbetet merak masa e civilizuar e reciprocitetit, përkundër taksës arkaike, na mbetet t’u themi se e keni marrë më seriozisht sesa përfaqësuesit tuaj këtë çështje. Tashmë po zbulohet se reciprociteti nuk paska qenë politikë e mirëmenduar me masa konkrete. Ai po duket si karrem mashtrues ndaj atyre që e kishin mbështetur taksën, dhe heqja e saj do të interpretohej si zmbrapsje e Kurtit karshi Serbisë. Kurti në intervistën e tij të parë na tha se nuk e kanë ende të fiksuar kuptimin e reciprocitetit. Edhe më pak veprimin konkret. Ndërkohë, masa e reciprocitetit na është prezantuar qysh para fushatës zgjedhore si zgjidhja e duhur.

Heqja dorë nga reciprociteti, ose zhvlerësimi përmbajtjesor i tij e nxjerr Kurtin kundërthënës, por problemi është më serioz se kaq. Qasja e politikës kosovare karshi dialogut ka qenë e papërgjegjshme dhe dritëshkurtër. Ajo është karakterizuar nga instrumentalizimi i skajshëm i çështjes për sulme ndaj njëri – tjetrit. Kështu, ajo është maksimalizuar për rezultate elektorale, por secilit fitues i është kthyer bumerang pastaj. Kujtoni këtu protestat masive dhe idiote të udhëhequra nga Kurti kundër Thaçit e Ramës që po e ndajnë Kosovën. Kurti sot nuk duket fare larg këtij skenari. Ai po shkon në dialog në kontekstin dhe skenarin e njëjtë, në mos edhe më të përkeqësuar. Me zhvillimet e fundit, Bashkimi Evropian duket edhe më i defaktorizuar në këtë proces. Ngadalësimi deri në pezullim i procesit të zgjerimit të BE – së drejt vendeve të Ballkanit Perendimor ia ka humbur Bashkimit Evropian levën kryesore të ndikimit. Pa premtimin e të ardhmes evropiane, fuqia imponuese e Unionit për një marrëveshje përfundimtare duke e vogël. Pra, ai do të shkojë me Thaçin në dialog, kurse akterët që kanë dinamizuar dialogun janë po ata: Shtetet e Bashkuara.

Lufta midis taksës dhe reciprocitetit nuk është luftë për pozicionimin e duhur karshi Serbisë. Të gjithë e kanë pranuar se dialogu duhet të vazhdojë. Aq e qartë është kjo punë saqë kundër dialogut nuk reagon kush edhe kur dialogu vazhdon e Kosova nuk merr pjesë fare në të. A nuk ishte kështu me marrëveshjen për linjën ajrore?! Kur Grenell vjen në Kosovë, këtu ka heshtje varri.

Kjo luftë është thjesht çështje e marrëdhënieve me publikun. Ky është edhe problemi kryesor. Askush nuk mendon sot se cila duhet të jetë marrëveshja që më shumë i duhet Kosovës. Veprimet tregojnë se ata po i përgjigjen një pyetjeje tjetër: fillimisht si të dalim me fytyrë nga situata “taksë”, dhe pastaj cila është marrëveshja që shitet më mirë këtu. Kjo mënyrë e të shtruarit të çështjes është e rrezikshme sepse është pragmatike. Për më tepër, mund të përputhet mirë me pragmatizmin e njohur amerikan. Ata duan marrëveshje para shtatorit, ky është fillimi dhe fundi për ta.

Guximi politik sot nuk është rreshtimi për taksën ose reciprocitetin. Ky është më tepër tifozllëk. Kosova duhet të dijë çfarë do nga dialogu. Për bindjen time, zhvillimet e reja gjeopolitike nuk na e japin rehatinë për të thënë se nuk duam marrëveshje dhe kjo gjë mund të shtyhet pa fund. Veç kësaj, shoqërisë kosovare i duhet si ajri një ambient politik ku Serbia nuk është temë e përhershme. Kosova në negociatat e ardhshme sigurisht se duhet kërkuar njohjen e ndërsjellë, por jo vetëm kaq. Asnjë llogari e hapur me Serbinë nuk mund të mbetet. Asnjë. Një marrëveshje e tillë nuk është gjithmonë në përputhje me disponimin e tifozëve në facebook. Gjithë problemi është se në lojë është kryeministri, i cili u ka rënë gjatë daulleve anash. E daullet janë ende aty…

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.