Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Zyrtarë serbë pretendojnë pa fakte se protesta në Beograd u nxit nga Prishtina dhe shërbimet e tjera perëndimore

Më 10 gusht 2024, shoqatat mjedisore organizuan protestë në Beograd, për shkak të paralajmërimit për hapjen e minierës së litiumit në luginën e Jadrës. Protesta u organizua nga shoqatat mjedisore nga Serbia, në ditën e skadimit të afatit 40-ditor, të cilin ia kishin caktuar qeverisë serbe për miratimin e një ligji për ndalimin e përhershëm të kërkimeve gjeologjike dhe shfrytëzimit të litiumit dhe borit në Serbi.

Protesta, që  u kualifikua si më e madhja për mbrojtjen e mjedisit, nxori në rrugë rreth 40 mijë serbë. Protesta ishte e fundit në serinë prej 50 tubimesh që filluan në fund të qershorit në Serbi, pas paralajmërimit për hapjen e minierës së litiumit në luginën e Jadrës.

Nën sloganin “Nuk do të ketë miniera” dhe pas fjalimit të organizatorëve, të ndarë në dy kolona, protestuesit kanë shkuar drejt Urës së Gazelës, e më pas drejt stacioneve hekurudhore Prokop dhe Novi Beograd, duke bllokuar kështu hekurudhën në dy pika. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë ka njoftuar se pas përfundimit të protestës në Terazije ka pasur shkelje të rëndë të rendit dhe qetësisë publike dhe shkelje të ligjit, me ç’rast ndaj protestuesve janë ngritur kallëzime penale.

Udhëheqësit më të lartë serbë, me pretendime të paqena, tentuan që fajin për organizimin e protestave ta hedhin drejt Perëndimit.

Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, pa ofruar ndonjë fakt, ka fajësuar Kosovën se ka gisht në organizimin e protestës. Sipas tij, protesta është mbajtur për llogari të interesave  të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. “… Ne nuk do t’ju lejojmë të rrezikoni Serbinë për hir të interesave personalë të mbështetur nga Kurti, ustashët dhe shërbimi i jashtëm”, ka shkruar Vuçeviq në Twitter. Ky pretendim i pambështetur në fakte u shpërnda edhe nga disa mediume serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkoi edhe më larg, duke akuzuar protestuesit se janë pjesë e një lufte “hibride” të mbështetur nga Perëndimi kundër qeverisë së Serbisë. Por, atij i ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), duke thënë se çdo pretendim se Shtetet e Bashkuara mbështesin protestat antiqeveritare në Serbi, “është i rremë”.

Aktivistë të mjedisit dhe ekspertë të minierave në Serbi asnjëherë nuk e kanë përmendur rolin që mund ta ketë pasur dikush prej Kosovës apo shërbimeve të jashtme në organizimin e protestës. Ata kanë theksuar problemet e shumta që sjell hapja e minierave në Serbinë Perëndimore, si ndotje të tokës, ujërave nëntokësore, rrjedhës së lumenjve, puseve. Si shembull tipik negativ e kanë përmendur kompaninë “Rio Tinto”, e cila operon prej vitesh në Serbi.

Dy prej organizatorëve të protestës, Zllatko Kokanoviq dhe Nebojsha Petkoviq, kanë treguar për presionin me të cilin janë ballafaquar para tubimit të 10 gushtit. Ata janë intervistuar edhe prej Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA). Megjithëse janë liruar, sipas tyre, u është dhënë paralajmërimi  se do të përballen me pasoja për shkak të bllokimit të rrugëve.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, më pas njoftoi se janë arrestuar 14 persona dhe se në mesin e të arrestuarve kishte edhe të huaj.

Foto: Protesta në Beograd (burimi i fotografisë: REL)

Pavarësisht qëllimit të protestës që u shpalos nga organizatorët, me akuza në drejtim të Kosovës kanë vazhduar edhe zyrtarë të tjerë serbë. Shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “është plotësisht e qartë se ka lidhje shumë specifike midis organizatorëve të protestave të pretenduara mjedisore në Beograd dhe separatistëve në Prishtinë, dhe se qëllimi i tyre i përbashkët është që të rrëzojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe politikën e tij për zhvillimin e Serbisë”.

As Petkoviqi nuk ka ofruar fakte të cilat mbështesin pretendimin e tij, për kinse përfshirje të elementeve nga Kosova në organizimin e protestës.

Kjo nuk është hera e parë kur zyrtarë serbë tentojnë të implikojnë Qeverinë e Kosovës pa fakte dhe deklaratat e tilla akuzuese janë shpeshtuar muaj e fundit.

Më 19 korrik 2024, në Beograd, në margjinat e Samitit për Lëndët e Para të Qëndrueshme, blloku europian dhe Serbia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndën e parë të qëndrueshme, rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike. Projekti parasheh hapjen e një miniere të litiumit në luginën e Jadrës në Serbi nga gjiganti botëror “Rio Tinto”.

Takimi mes kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, u mbajt pak ditë pasi qeveria e Serbisë e rishikoi projektin Jadar, i cili parasheh hapjen e një miniere të litiumit në luginën e Jadrës.

Grupi “Rio Tinto”, në vitin 2001, themeloi kompaninë “Rio Sava Exploration doo”, për të kryer aktivitete të kërkimit gjeologjik edhe në Serbi. Në dhjetor të vitit 2004, një mineral i ri, i pasur me litium dhe bor, u gjet në luginën e lumit Jadar afër Loznicës.

Litiumi sot është ndër metalet më të kërkuara, i cili përdoret për prodhimin e baterive për pajisjet e teknologjisë informative.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.