Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Korrupsioni në bujqësi

“Kush mbjell, korr”- është shprehja për atë që hedh farën e një bime në tokë me qëllimin që t’i japë rendiment. Por shumë zyrtarë publikë në Kosovë korrën pa mbjellë, duke u përfshirë në një skemë të gjerë korrupsioni dhe mashtrimi.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 3 dhjetor 2021 Policia ndërmori një aksion të gjerë për arrestimin e 31 personave, prej tyre 12 zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë. Operacioni u shtri në Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë. Mbi personat e prangosur rëndon dyshimi për veprat penale- “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’ si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

70 për qind zyrtarët, 30 për qind fermerët

Këta nuk ishin të arrestuarit e vetëm. Operacioni me emrin e koduar “Subvencioni” nisi në shkurt të vitit 2021 ku në pranga përfunduan 12 zyrtarë për të vazhduar edhe në qershor me 21 të arrestuar tjerë.

Gjatë bastisjeve, në shtëpitë e të dyshuarve u gjetën rreth 400 mijë euro. Po ashtu u konfiskuan vetura, kompjuterë dhe telefona. Përgjimet telefonike që çuan në zbulimin e skemës korruptive dëshmojnë se si një numër i madh i zyrtarëve kanë kërkuar dhe pranuar para nga fermerët për dhënien e subvencioneve.

Burim: freepik.com

Inspektorët merreshin vesh me fermerët për ndarjen e vlerës së subvencionit e cila në disa raste shkonte deri në 70 për qind për zyrtarët dhe 30 për fermerët. Mashtrimi kishte shkuar aq larg sa ishin përpiluar edhe raporte të rreme. Këtë e ilustron rasti në qytetin e Istogut ku dokumentet përshkruanin se si ishte mbjellë grurë dhe misër në një sipërfaqe të madhe fushore, por që, në fakt, zona ndodhej në pyll. Fryrja e numrit të sipërfaqes me të mbjella, shtimi i numrit të bagëtive apo numrit të bletëve- kanë qenë disa nga metodat që dyshohet se janë përdorur nga inspektorët e ministrisë për të marrë ryshfet.

Gjykimi për keqpërdorimin e 4 milionëve  

Sektori i bujqësisë vazhdon të mbetet ndër vatrat më të mëdha të korrupsionit në Kosovë.

Një proces tjetër gjyqësor është duke vazhduar ku në bankën e të akuzuarve janë ish-ministri i Bujqësisë dhe vartës të tij. Në rastin e njohur si ‘Grantet’, kupola e ministrisë Nenad Rikallo dhe të tjerët akuzohen se gjatë vitit 2018 në mënyrë të kundërligjshme kanë bashkëvepruar në dhënien e granteve. Dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës kap shumën prej 4 milionë eurosh.

Sipas aktakuzës, Ministri ka tejkaluar kompetencat e tij duke hartuar “program të veçantë” për dhënien e granteve, pa pasur buxhet të veçantë dhe në anashkalim të procedurave ligjore.

Skema e instaluar u kishte mundësuar kompanive të ndryshme të përfitonin kundërligjshëm shuma të majme në emër të zhvillimit të zonave rurale.

Aksionet dhe arrestimet e personave të zhytur në korrupsion si ky me subvencionet nuk kanë munguar asnjëherë. Por sfidë mbetet gjykimi i tyre. Përveç stërzgjatjes së proceseve gjyqësore, problematike është mosndëshkimi apo shqiptimi i dënimeve të ulëta.

Parregullsitë në ndarjen e subvencioneve dhe granteve ndër vite i ka konstatuar edhe Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila heton pasqyrat financiare të institucioneve. Por, siç ndodh rëndom, raportet nuk trajtohen tutje nga organet ndjekëse.

Në raportin e fundit (2020) është identifikuar menaxhim jo i mirë i paradhënieve për investimet në infrastrukturën rurale, si dhe është vënë në pah mosplotësimi i kritereve të kërkuara nga përfituesit e subvencioneve.

Auditori nuk ka qenë në gjendje t’i kryejë procedurat e rregullta të auditimit për 12 pagesa në vlerë prej 497 mijë e 577 euro, të ekzekutuara nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve. Kjo për shkak se pagesat ishin në procedurë hetimore nga organet e drejtësisë dhe auditori ka shmangur interferimin në këto raste.

Keqmenaxhimin me paratë e bujqësisë e dëshmon edhe fakti se vlera e obligimeve të papaguara ndaj fermerëve në fund të vitit 2020 ishte mbi 40 milionë euro. Rritja e obligimeve ka ardhur si rezultat i mungesës së mjeteve financiare si dhe menaxhimit jo të mirë në fushën e subvencioneve. Por ministri i Bujqësisë Faton Peci, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar dhjetorin e vitit të kaluar, tha se borxhi është shlyer.

“Gjatë kësaj periudhe kemi arritur të shlyejmë 40 milionë euro obligime financiare të trashëguara e krahas kësaj kemi mundësuar implementimin e Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve 2021 me vlerë prej 28 milionë. Tashmë në kuadër të implementimit të këtij programi kanë filluar edhe pagesat për fermerët përfitues dhe deri më tani janë shtypur 19.000 vendime për pagesë. Përmes këtyre politikave ne kemi bërë të mundur që për herë të parë të fillojmë vitin pa borxhe dhe obligime financiare”, tha ministri.

Por qeveria u ballafaqua me protesta të bujqve shtatorin e vitit të kaluar, të cilët kundërshtuan ashpërsimin e kritereve për marrjen e subvencioneve. Ekzekutivi i arsyetoi veprimet duke thënë se vetëm janë adresuar vërejtjet dhe mangësitë e konstatuara në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Po ashtu gjatë hartimit të tyre janë marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara pas keqpërdorimeve që kanë ndodhur në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Dështimi në luftën kundër korrupsionit

Numri i madh i institucioneve të përfshira në mënyrë direkte ose indirekte në luftën kundër korrupsionit, nuk është përkthyer në efikasitet, gjë që shpesh e bën të vështirë identifikimin e faktorëve që çojnë në ngecjet e sistemit. Në disa raste ka mungesë integrimi mes tyre, kompetencat nuk janë të qarta apo janë kundërthënëse. 

Prandaj lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë vazhdon të mbetet ndër fushat më të kritikuara nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore.

Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, Kosova renditet në mesin e vendeve që janë në fazën e hershme të luftimit të kësaj dukurie. 

“Është shënuar përparim i kufizuar sa i përket gjyqësorit dhe prokurorisë, duke përfshirë funksionimin e gjyqësorit, hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar të nivelit të lartë. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim të pasurisë”, thotë raporti.

Mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit ka ndikuar që besimi në institucionet e Kosovës të jetë i ulët. Marr parasysh këtë, Qeveria në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor e atë Prokurorial dhe institucionet tjera në këtë sektor, por edhe me shoqërinë civile dhe donatorët ndërkombëtarë, vite më parë kanë lansuar Procesin e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit në kuadër të të cilit ka miratuar Strategjinë Për Sundimin e Ligjit 2021-2026.

Synohet që sistemi të forcohet nëpërmjet procesit të vettingut, i cili do të bëjë vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mirëpo, nisma po kundërshtohet brenda vetë sektorit të drejtësisë, derisa mbështetje nuk ka gjetur as tek Bashkimi Evropian. BE-ja ka shprehur shqetësim për tendencën që të futen në rivlerësim të gjithë prokurorët e gjyqtarët, duke rikujtuar se legjislacioni aktual ofron bazë të mjaftueshme për filtrimin e sistemit.

Sektori më i pazhvilluar

Pa zhvillim bujqësor nuk mund të ketë ekonomi të përparuar që do të ndikonte në mirëqenie dhe rritje të punësimit.

Për shkak të keqpërdorimeve, bujqësia vazhdon të mbetet sektori më i pazhvilluar. Për pasojë, Kosova nuk arrin të prodhojë rendiment as për nevojat e tregut të brendshëm.

Një reformë e thellë nëpërmjet eliminimit të keqmenaxhimit të deritashëm dhe fuqizimit të transparencës dhe llogaridhënies është e domosdoshme.

Përfshirja e disa fermerëve në skema korruptive ka dëmtuar ata që refuzojnë të bëhen pjesë e tyre dhe të japin ryshfet. Veprimet e tilla kanë bërë që bujqit të hezitojnë në denoncimin e keqpërdorimeve për shkak të frikës se kjo do të hakmerret dhe nuk do të jenë përfitues në të ardhmen. Prandaj, inkurajimi i tyre në shpërfaqjen e parregullsive dhe një proces i drejtë e meritor në ndarjen e subvencioneve dhe granteve, do të mundësonte zhvillim më të qëndrueshëm në sektorin e bujqësisë.  

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “Bashko pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare ” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.