*Përgatiti: Fitim Gashi
Zgjedhjet e reja, nëse nuk bojkotohen nga serbët në veri të Kosovës, mund të kenë një ndikim të madh në dinamikat politike dhe të sigurisë në atë pjesë, sidomos në kontekstin e vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve që financohen nga Serbia.
Një nga objektivat kryesorë të Qeverisë së Kosovës, që prej marrjes së mandatit para tre vjetësh e gjysmë, me gjithë kritikat e ndërkombëtarëve, ka qenë mbyllja e strukturave paralele që vazhdojnë të funksionojnë në veri dhe të mbështeten nga Beogradi zyrtar. Zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm, fillimisht ato në nivelin qendror, e në fundvit zgjedhjet lokale, do të shërbejnë si test nëse këto struktura do të vazhdojnë të kenë fuqi dhe nëse vendimet e Qeverisë kanë dobësuar ndikimin e tyre. Nëse zgjedhjet organizohen në një atmosferë të qetë dhe me pjesëmarrje të gjerë, ato mund të legjitimojnë autoritetet që funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës në sytë e komunitetit serb, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, duke siguruar një rezistencë më të fortë ndaj çfarëdo forme të strukturave paralele.
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë sfidë edhe për Listën Serbe. Konteksti i ndryshuar, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, mund të krijojë hapësirë për rivalët politikë të këtij subjekti, sidomos nëse partitë opozitare serbe marrin pjesë në zgjedhje. Me mbylljen e strukturave paralele, që në të kaluarën kanë diktuar edhe votën e qytetarëve serbë dhe zbehjen e ndikimit të Beogradit, subjekte të reja, ose ato ekzistuese opozitare, e kanë shansin për ta sfiduar hegjemoninë e Listës Serbe.
Në të kaluarën, ambientin zgjedhor në veri e ka karakterizuar klima e tensionuar dhe shpesh frikësuese për kandidatët që guxuan ta sfidojnë Listën Serbe. Edhe raportet ndërkombëtare kanë evidentuar se zgjedhjet shpesh janë shoqëruar me presione ndaj kundërshtarëve të Listës Serbe, me qytetarë që janë frikësuar të mbështesin partitë e tjera, për shkak të lidhjeve të thella të Listës me autoritetet në Beograd. Lista Serbe, jo vetëm që ka fituar zgjedhjet në komunat në veri dhe jug të vendit, por gjithashtu ka arritur të sigurojë të gjitha ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Kjo i ka dhënë kontroll të fuqishëm mbi përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës, edhe pse gjatë legjislaturës së fundit ata u paraqitën në seanca plenare vetëm kur u duhej rikonfirmimi i mandateve.
Përkrahja e vazhdueshme e Beogradit zyrtar për Listën Serbe që nga krijimi i saj në vitin 2013 ka qenë faktor përcaktues, fillimisht për integrimin e më pas daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Ndër arsyet kryesore të dominimit të saj ishte mbështetja e fuqishme politike dhe financiare nga Serbia, si dhe kontrolli që ajo ushtronte mbi pjesën më të madhe të strukturave serbe në veri.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në epilogun zgjedhor në veri është varësia ekonomike e serbëve prej Beogradit. Pjesa më e madhe e qytetarëve serbë në veri kanë qenë të punësuar nga strukturat shtetërore serbe, çka i bën ata më të ndikuar prej Listës Serbe dhe udhëzimeve që vijnë nga Beogradi.
Në zgjedhjet lokale të 23 prillit të vitit 2023, Lista Serbe, me direktiva nga Beogradi, bojkotoi procesin zgjedhor, e më vonë edhe peticionin për largimin e kryetarëve shqiptarë, vendim që erdhi si reagim ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës në veri. Nga ajo që pasoi më pas, bojkoti ishte një përpjekje e Beogradit për të ruajtur kontrollin mbi strukturat paralele. Mes të tjerash, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vazhdimësi i rikonfirmoi të ashtuquajturat Autoritete të Përkohshme Komunale, megjithëse hapësira e veprimit me kalimin e viteve u është zbehur dukshëm.
Bojkoti i shumicës serbe bëri që për herë të parë në komunat e veriut të zgjidhen kryetarë shqiptarë. Periudha prej majit të 2023-tës ka qenë e mbushur me tensione të larta, ku përleshjet mes protestuesve të dhunshëm dhe trupave të KFOR-it shkaktuan pasoja serioze për stabilitetin në veri. Tensionet kulmuan me sulmin e një grupi të armatosur nga Serbia, që la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Prokuroria Speciale që në shtator ngriti aktakuzën ndaj grupit që udhëhiqej prej ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, dhe veprimin e cilësoi si sulm terrorist, në organizimin e të cilit ka pasur rol edhe shteti i Serbisë.
Pas tensioneve të vazhdueshme dhe bojkotit të serbëve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundi prezantoi disa masa për Kosovën. Mes të tjerash, shtroi kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, që u cilësuan si të domosdoshme për të rikthyer përfaqësimin serb. Ai nuk u mor me pasojat që solli bojkoti gati dyvjeçar për serbët në veri, lëre më të ndihet përgjegjës pse i nxori serbët prej institucioneve të Kosovës.
Por, këtë ia përmendi opozita në Serbi, e cila po bën përpjekje për ta zbehur ndikimin e Vuçiqit në veri.
Në një takim të mbajtur në Beograd, përfaqësues të opozitës dhe politikanë serbë nga Kosova diskutuan krijimin e një fronti të përbashkët kundër Listës Serbe, për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Në takim morën pjesë figura të rëndësishme të opozitës serbe, si Zoran Lutovac, kryetar i Partisë Demokratike, dhe Dragan Gjilas, kryetar i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP).
Serbët nga Kosova u përfaqësuan nga Këshilli Kombëtar Serb i Kosovës, Forumi Kombëtar Serb nga Graçanica dhe Lëvizja Popullore e Serbëve nga Kosova “Atdheu.” Kryetari i Forumit Nacional Serb, Momçilo Trajkoviq, theksoi nevojën për një politikë autentike serbe në Kosovë, përmes ofrimit të një alternative ndaj Listës Serbe. Aty u kritikua edhe politika e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për krijimin e zinxhirit të korrupsionit me Listën Serbe, duke bërë që paratë e dedikuara të mos arrijnë te komuniteti serb.
Mbetet të shihet nëse këto përpjekje janë vetëm një “shfaqje politike” dhe nëse subjektet e tjera politike që vendosin të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme do të jenë vërtet të pavarura nga Beogradi zyrtar, marrë parasysh faktin se opozita në Serbi nuk ndryshon shumë nga Vuçiqi kur bëhet fjalë për Kosovën.
Bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat veriore. Mbajtja e zgjedhjeve në një atmosferë të rregullt dhe demokratike me pjesëmarrjen e shumicës serbe mund të ndryshojë kursin e mbështetjes së munguar ndërkombëtare muajt e fundit për Qeverinë e Kosovës, në përpjekjen për integrimin e veriut, jo vetëm me aksione policore. Zbatimi i njëanshëm i vendimeve dhe mungesa e koordinimit rreth veriut thelluan mospajtimet me partnerët ndërkombëtarë, teksa BE-ja vazhdon t’i mbajë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës.
Zëvendësimi i kryetarëve shqiptarë me përfaqësues të zgjedhur përmes pjesëmarrjes së komunitetit shumicë serb e rrit legjitimitetin e institucioneve të Kosovës në veri dhe është dëshmi se serbët kanë zgjedhur të angazhohen në mënyrë konstruktive brenda jetës institucionale të Kosovës.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”