Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Zgjidhni me kujdes çka quani “fitore”

Ilustrimet: Big Eye

Në Prishtinë, në korrik të vitit 1998, isha rrugës për t’u takuar për kafe me një mik. Atëbotë s’kishim telefona mobilë, prandaj rutina ishte e thjeshtë: e zije një vend në qytet dhe rrije aty derisa të vinte miku. 

Ç’e do fati që miqtë e mi vonoheshin gjithmonë! Kësisoj, teksa rrija në atë vend me diell përcëllues të verës në Prishtinë, gjithnjë e më shumë më rritej nervoza dhe mendoja se si t’ia jepja një mësim mikut tim kur të mbërrinte.

Aty isha dëshmitar i një skene që më ka mbetur në kujtesë me një qartësi të dhimbshme. Rreth 20 metra larg nga vendi ku po qëndroja, një patrullë me policë serbë e ndaloi një djalë të ri shqiptar, i cili ishte dorë për dore me të dashurën e tij. Ia kërkuan letërnjoftimin dhe ai ua dha pa hezituar. Vetëm pak sekonda pas kontrollimit të dokumentit, një nga policët, pothuajse pa e ngritur kokën fare, e qëlloi me shuplakë djalin. Pastaj, e qëlloi sërish. Në atë vend, para të dashurës së tij, e cila shpërtheu në lot nga frika. Isha larg për të dëgjuar se çka po i thoshin, por mjaftueshëm afër sa për të parë poshtërimin që po e përjetonte ky djalë. Në një moment e detyruan të këndonte “Serbia! Serbia!”. Tek atëherë, dy policët e lejuan të shkonte, teksa, të kënaqur me ushtrimin e pushtetit, po shkëmbenin shikime fitimtare dhe përbuzëse.

Sot e asaj dite e kam një ndjenjë turpi që s’e kisha kurajën për të bërë diçka. Çfarëdoqoftë. Jo se mund ta ndryshoja epilogun. Mbase do të qëllohesha edhe unë. Por, për hir të ndërgjegjes sime, do të doja të kisha provuar diçka, në vend se vetëm të shikoja. 

Prej atëherë, më ka ndjekur rëndesa e atij momenti. Në atë kohë isha shumë i ri dhe i paarsimuar për ta parë këtë ndodhi me thjerrëzat e të drejtave dhe lirive të njeriut. Por, ndjesia ime e fuqishme ishte e solidaritetit prej bashkëmoshatari. Një djalë i ri u poshtërua para të dashurës së tij. Krenaria e burrit të poshtëruar dhe pa ndihmë para shtysës instinktive për ta mbrojtur partneren e tij.   

Ndjesia e solidaritetit me bashkëmoshatarin shkon përtej përkatësisë etnike. Në atë moment, “populli” im nuk ishin policët serbë, por djali i ri shqiptar. 

Me kalimin e viteve dhe me ngarkesat që t’i shkakton jeta në Kosovë, e kisha harruar atë incident. Por, para disa muajve, hasa në një dëshmi që më dukej e njohur, por këtë herë nga një djalë serb në veri të Kosovës. Ai shpjegoi se si nga Policia Speciale e Kosovës ishte ndaluar, goditur disa herë dhe detyruar të këndonte “Republika e Kosovës”. 

Kur e lexova atë, nuk dyshova në autenticitetin e saj. Bazuar në përvojën personale, e dija se këto rrëfime ishin shumë të vrazhda dhe poshtëruese për t’u sajuar. Menjëherë m’u kujtua ngjarja e korrikut të 1998-s dhe po hamendësoja nëse kishte ndonjë shqiptar që po ndiente keqardhje për atë djalë serb, ngjashëm siç ndihesha unë kur kjo po bëhej në emër të popullit tim.   

Shikuar nga prizmi i njëjtë, jam i bindur se çka po ndodh sot në veri të Kosovës nuk është fitore për shqiptarët. Kjo, për tri arsye kryesore:

1. Integrimi me forcë i serbëve të Kosovës nuk është zgjidhje

Supozimi se integrimi me forcë i serbëve të Kosovës në sistemin institucional të Kosovës është mënyra e vetme e zgjidhjes së krizës në veri, thjesht nuk është i vërtetë. 

Tashmë, integrimi i serbëve të Kosovës është rezultati i synuar i dialogut Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga BE-ja. Dallimi qëndron se BE-ja parashikon një proces gradual social, ekonomik, politik dhe administrativ, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve pa shkatërruar jetën e përditshme të njerëzve. 

Nuk ka asgjë për të festuar për veprime që e shkatërrojnë infrastrukturën e jetës së përditshme të qytetarëve – pensionistëve, prindërve, qytetarëve me asistencë sociale etj. Kushdo që e sheh këtë si fitore, ka një perspektivë të ngushtë. 

Zgjedhja e qasjes ndaj kësaj çështjeje, e ndërmarrë nga Qeveria në Prishtinë, është e ndotur me interesa partiakë dhe efekti i saj është thellimi i antagonizmave tashmë të papranueshëm midis serbëve dhe shqiptarëve, duke nxitur largimin e serbëve nga Kosova.  

Duke shikuar përtej jotolerancës etnike, revanshit dhe triumfalizmit kalimtar, përherë e më tepër po qartësohet se Kosova është rrugës për t’u etiketuar si shoqëri e paaftë për të ruajtur një multietnicitet të vërtetë. 

2. Metodat e përdorura në veri të Kosovës nuk janë as demokratike, as ligjore 

Serbët e Kosovës në veri kanë qenë dëshmitarë të një vargu të problemeve të derivuara nga zbatimi arbitrar i ligjit, përfshirë këtu konfiskimin ilegal të pronës private, kriminalizimin e protestave politike, prokurimet publike pa proces të tenderimit, e të ngjashme. 

Kjo pandëshkueshmëri mbi baza etnike e minon sundimin bazik të ligjit, duke e kthyer atë për t’u shërbyer interesave të partisë dhe përfitimit politik.

Kjo nuk tregon vetëm zbatimin selektiv të ligjit, por gjithashtu edhe një manipulim të kalkuluar të sistemit juridik dhe institucional për përfitime politike. Ndonjëri mund të thotë se këto taktika makiaveliste janë më pak shqetësuese – mbase edhe të arsyetueshme – sepse po përdoren kundër serbëve.  

Por, realiteti është se këto metoda nuk do të ndalen së përdoruri vetëm ndaj serbëve të Kosovës. Sapo të shihet se këto taktika janë efektive për shtyrjen e agjendave personale ose partiake, caku i radhës do të jenë shqiptarët e Kosovës, të cilët janë kundërshtarë politikë, shoqëria civile, mediat e pavarura dhe zërat e tjerë të papërshtatshëm.

Kur ligjet, në vend se për t’i mbajtur, përdoren si mjete për t’i shmangur vlerat themeltare demokratike, është vetëm çështje kohe para se kushdo që zë udhë të bëhet viktimë.

3. Keqpërdorimi i Policisë për t’i disiplinuar serbët lokalë për përfitime politike krijon precedent të rrezikshëm

Përdorimi i tepërm i forcës dhe abuzimi i autoritetit të policisë janë alarmante. Forcat Speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në veri, jo vetëm për të ruajtur rendin, por për të shtyrë agjenda politike, duke vepruar në mënyrë efektive si zbatues për “disiplinimin” dhe ndëshkimin e serbëve lokalë.

Incidentet e dhunshme nga Policia e Kosovës janë rritur ndjeshëm. Ndër më seriozet janë: një vajzë 16-vjeçare e rrëzuar përtokë, të shtëna pa arsye në drejtim të makinave që qarkullonin, politikanë të arrestuar për protesta me fishkëllima dhe djem të rinj të rrahur rëndë për një ofendim të thjeshtë verbal. Këta individë nuk janë kriminelë, por njerëz të zakonshëm.  

Kjo atmosferë e tensionit etnik ka nxitur një ndjenjë të rrezikshme të pandëshkueshmërisë për ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, për aq kohë sa caku të jenë serbët. Shpesh, ankesat dhe hetimet mbesin pa përgjigje, e kësisoj zyrtarët e përfshirë në këto incidente nuk japin llogari. 

Është kruciale të kuptohet se sa e rrezikshme është kjo situatë për një shoqëri demokratike. Nëse këto veprime vlerësohen si të pranueshme tani, shumë shpejt do të shndërrohen në normë. E, kur të ndodhë kjo, caku do të ndryshojë: nga serbët, te çdokush që guxon të kundërshtojë – kundërshtarët politikë, krerët e sindikatave dhe protestuesit.

Për t’u kthyer te ngjarja e korrikut të vitit 1998… Kur një polic i komunitetit tim abuzonte asisoj, kisha ndjesi të turpit dhe zemërimit. Assesi s’mund ta shihja këtë si fitore të vetes, apo popullit tim.

Shpresoj që sot të ketë shqiptarë të Kosovës, të cilët bashkëndiejnë me mua dhe, më me rëndësi, kanë kurajën që unë s’e kisha për të ngritur zërin dhe për të protestuar kundër kësaj padrejtësie që po u ndodh qytetarëve të rëndomtë në veri të Kosovës. 

Solidariteti midis njerëzve të zakonshëm është ndoshta shpresa e fundit për Kosovën vërtet multietnike. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.