Më 10 shtator 2024, Kosova e hapi për herë të parë Ambasadën në Bogota, duke shënuar kësisoj një kapitull të ri në marrëdhëniet diplomatike në mes të dy kombeve.
Në gusht të vitit 2008, vetëm gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kolumbia e njohu Kosovën si shtet, duke u bërë kështu vendi i dytë i Amerikës Jugore që merr këtë vendim – pas Perusë. Nga atëherë, vetëm Surinami dhe Gujana e kanë njohur Kosovën, duke e çuar në katër numrin e njohjeve nga shtetet jugamerikane.
Shtetet e tjera, siç janë: Argjentina, Brazili, Kili, e shumë të tjera, vazhdojnë të përmbahen nga njohja diplomatike e Kosovës dhe akoma nuk kanë krijuar ndonjë marrëdhënie formale bilaterale me të.
Ndonëse hapja e Ambasadës së Kosovës në Bogota, jo domosdoshmërisht është e fokusuar te shtetet mosnjohëse, ajo mund të krijojë efekt zinxhiror në rajon, drejtuar kah shtetet më kryesore. Marrë parasysh lidhjet bilaterale përherë e më të mëdha të Kosovës me Kolumbinë, kjo mund të shënjojë një shteg të ri për marrëdhëniet diplomatike të Kosovës në Amerikën Jugore.
Ndjesia e tillë reflektohet edhe nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, e cila beson se prania diplomatike e Kosovës në Bogota është “mundësi strategjike për të punuar në mënyrë proaktive me shtetet e tjera të rajonit, në vijë me qëllimet më të gjera të Kosovës për përmirësimin e pozitës dhe dukshmërisë në rajon.”
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Bogota të Kolumbisë është fillimi i marrëdhënieve domethënëse në mes të Kosovës dhe Kolumbisë, po edhe tërë kontinentit të Amerikës Jugore. Kjo, Kosovës mund t’i sjellë më shumë sesa vetëm njohje dhe diplomaci formale, duke hapur rrugë për marrëdhënie ekonomike, kulturore dhe politike.
Rëndësia e Kolumbisë në çështjet botërore
Kolumbia është ekonomia e tretë më e madhe në Amerikën Jugore, kurse e katërta në Amerikën Latine (pas Brazilit, Argjentinës dhe Meksikës). Zbulimi i madh i gazit natyror përgjatë bregdetit e vendos atë në pozitë ku mund ta prodhojë vetë energjinë e mjaftueshme për vitet vijuese, gjë që do t’i sjellë rritje ekonomike.
Ndonëse për shkak të kufizimeve gjeografike nuk është anëtare e NATO-s, Kolumbia u bë “partneri i parë global” i Aleancës nga Amerika Latine, që nënkupton se bashkëpunimi i saj me NATO-n është po sikur i një shteti anëtar – vetëm se pa obligime ushtarake.
Ngjashëm, nga anëtarësia e Kolumbisë në organizatat rajonale, siç janë: Aleanca Paqësore dhe OSHA (Organizata e Shteteve Amerikane), Kosova përfiton shumë sa i takon avancimit në forcimin e partneriteteve ekonomike dhe mundësive tregtare me shtetet e tjera të Amerikës Latine.
Kjo, Kosovës ia ofron një mundësi të shkëlqyer për tejkalimin e politikës së saj të qendërzuar në Amerikën Veriore, duke u fokusuar vetëm te Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
“Rolet strategjike të Kolumbisë në këto organizata kanë potencial t’i ofrojnë Kosovës qasje në tregjet latinoamerikane, me lehtësimin e mundësive për tregti, investim dhe shkëmbim kulturor. Gjithashtu, Kolumbia e ka mbështetur integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu, për shembull, FMN (Fondin Monetar Ndërkombëtar) dhe BB (Bankën Botërore),” deklaroi Gashi.
Ngjashmëritë gjeopolitike në mes të Kosovës dhe Kolumbisë
Edhe pse të ndara nga dy kontinente, Kosova dhe Kolumbia ndajnë situata të ngjashme gjeopolitike. Së pari, Kolumbia dhe Kosova gjithashtu ndajnë një sfidë të përbashkët: secila e ka në kufi një shtet – përkatësisht, Serbinë dhe Venezuelën – të afërt me Rusinë, ndërsa edhe Kolumbia, edhe Kosova, i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin kryesor të tyre, gjë që mund të ketë shërbyer si arsyetim për forcimin e lidhjeve.
Regjimet autoritare në Serbi dhe Venezuelë kanë pasur ndikime të rëndësishme, edhe pse të ndryshme, në stabilitetin e brendshëm të Kolumbisë dhe Kosovës. Tensionet me Serbinë vazhdojnë ta pengojnë rrugën e saj drejt demokracisë, me përplasjet e dhunshme në veriun e banuar me shumicë serbe, që kanë qenë ngjarja e vitit, ku ushtarë të NATO-s kanë mbetur të lënduar dhe një polic i Kosovës i vdekur. Ngjashëm, diktatura e Maduros në Venezuelë e ka lënë vendin në kaos, e kësisoj Kolumbia është detyruar ta pranojë një fluks të popullsisë prej përafërsisht 3 milionë venezuelasve.
Të dyja vendet kanë të kaluar të përgjakshme dhe për momentin janë në mes të një procesi të gjatë, që përfshin transformimin pas konfliktit dhe drejtësinë tranzicionale, teksa në të njëjtën kohë, duke luftuar me pengesa, siç janë: korrupsioni dhe jostabiliteti, që shpesh shfaqen me anë të dhunës. Ekziston një vullnet kolektiv për të dalë nga cikli vicioz i formësuar nga historia dhe për t’u përqendruar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.
“Në njëfarë mënyre, të dyja janë shoqëri të dala nga konflikti, por të përfshira në konflikt të brendshëm. Megjithëse lufta ka mbaruar, në Kosovë akoma është një konflikt i heshtur. Të dyja shtetet qeverisen nga parti antikolonialiste të krahut të majtë, Vetëvendosje (Albin Kurti) në Kosovë dhe Pakti Historik (Gustavo Petro) në Kolumbi,” tha akademiku shqiptar Blendi Kajsiu, i cili më parë, për shumë vite, ka punuar në Kolumbi.
Të dala nga konflikti, por akoma në konflikt të brendshëm
Mund të tingëllojë paradoksale, por është e vërtetë: në veri të Kosovës akoma shpërthejnë konflikte, duke lënë të lënduar edhe civilë, edhe ushtarë të NATO-s, kurse në Kolumbi, grupet guerile i vazhdojnë pa u ndalur aksionet e tyre, edhe përkundër marrëveshjeve zyrtare për paqe.
Për më shumë se gjashtë dekada, Kolumbia ka qenë e zhytur në trazira. Kostoja njerëzore është shokuese: mbi 250,000 jetë të humbura dhe shtatë milionë njerëz të zhvendosur. Një pjesë e madhe e këtij shkatërrimi nuk buron vetëm nga konflikti i armatosur, por edhe nga lufta e vazhdueshme ndaj drogës. Bandat e narkotrafikantëve dhe fraksionet guerile kanë bashkëpunuar qe shumë kohë dhe e kanë ushqyer dhunën. Përgjatë sundimit të terrorit të Pablo Escobarit, vrasjet për motive politike dhe bombardimet e avionëve u bënë rutinë tragjike, kurse Kolumbia u bë prodhuesi më i madh në botë i kokainës.
Konflikti në Kolumbi mbetet një ndër krizat më të rënda humanitare në botë. Dhuna vazhdoi edhe pas marrëveshjes për paqe të vitit 2016 në mes të Qeverisë së Kolumbisë dhe grupit kryesor gueril, FARC. Grupet rebele si ELN, përkrah fraksioneve të shkëputura të FARC-ut të demobilizuar, vazhduan sulmet e tyre gjithandej vendit. Vlerësimet variojnë, por shumë burime thonë se numri i të zhdukurve për shkak të konfliktit shkon në më shumë sesa 100,000.
Sfidat e përbashkëta ndaj varfërisë, pabarazisë dhe traumës kolektive, mund t’i shërbejnë bashkimit të dy shoqërive në përpjekjet për t’i tejkaluar këto sfida. Në njëfarë mënyre, këto vështirësi i kanë formësuar identitetet e të dy shteteve, me ngritjen e pyetjeve të rëndësishme se si do të ecin përpara dhe të shërohen nga tmerret e papërshkrueshme të së kaluarës së tyre.
Mbetet të shihet se çka saktësisht do të ofrojë Kolumbia në lidhje me politikën e jashtme aktive të Kosovës. Mbijetesa e saj varet nga njohja dhe aleancat, e Kolumbia mund t’i ndihmojë Kosovës në këtë rrugë, duke ia hapur dyer në një rajon ku Kosova ka mungesë të tregtisë dhe njohjeve.
E pranueshme të thuhet me siguri se mbretëron një klimë pozitive sa i takon pranisë në ardhje të Kosovës në Bogota dhe anasjelltas.