Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Përdorimi i ChatGPT për krijimin e veprave autoriale dhe implikimet etike

ChatGPT (Generative Pre-Training Transformer) paraqet një chatbot gjuhësor të zhvilluar nga OpenAI, me aftësinë për të bashkëvepruar në formë dialogu dhe për të dhënë përgjigje që mund të duken çuditërisht njerëzore.

Për dallim nga asistentët virtualë, si Alexa (Amazon), Siri (Apple) apo Google Assistant, të cilët komunikojnë me njerëzit duke zbatuar komanda, ChatGPT është në gjendje të japë përgjigje më të detajuara dhe komplekse, për shembull të shkruajë një ese.

ChatGPT po përdoret nga njerëz të shumtë për të mësuar më shumë rreth temave të caktuara, për të shkruar fjalime, ese, kontrata, apo për të krijuar vepra siç janë pikturat, mes të tjerash.

Në këtë drejtim, përdorimi i ChatGPT për të krijuar përmbajtje ngre pyetje rreth implikimeve ligjore dhe etike për përdoruesit, siç janë, ta zëmë, të drejtat e autorit.

Të drejtat e autorit

Nëse një program softuerik është në gjendje të shkruajë ese apo të krijojë piktura, një nga pyetjet kryesore që ngrihet është se kush është autori dhe kujt i takojnë të drejtat për veprën e krijuar.

Sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), e drejta e autorit përdoret si term për t’i përshkruar të drejtat që krijuesit kanë përkitazi me veprat e tyre letrare dhe artistike (p.sh., libra, muzikë, piktura, skulptura, filma, programe kompjuterike (softuer), etj.). Këto të drejta janë, mes të tjerash, e drejta për ta shfrytëzuar, riprodhuar dhe shpërndarë veprën letrare apo artistike.

Momentalisht, instrumentet ndërkombëtare dhe ligjet vendore e njohin si autor vetëm personin fizik (njeriun). Megjithëse të drejtat ekonomike mbi veprat e mbrojtura nga të drejtat e autorit mund të transferohen edhe te personat juridikë, autor i veprës konsiderohet gjithmonë vetëm personi fizik.

Te përmbajtjet e gjeneruara nga ChatGPT, çështja e autorësisë bëhet e komplikuar për dy arsye. E para, sepse produkti mbështetet në një korpus të veprave të krijuara dhe as instrumentet ndërkombëtare e as ligjet vendore nuk tregojnë se si duhet trajtuar juridikisht këtë situatë. Dhe e dyta, është diskutabile nëse Inteligjenca Artificiale (AI), në këtë rast ChatGPT, mund të konsiderohet autor i veprës.

Në lidhje me këtë të fundit, legjislacioni vendor për të drejtat e autorit bazohet në atë se mbrojtja e së drejtës së autorit u akordohet vetëm veprave origjinale dhe origjinaliteti duhet ta reflektojë krijimtarinë vetjake të autorit dhe personalitetin e autorit si qenie njerëzore.

Këtë qëndrim e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe vendet e Bashkimit Europian (BE). Rishtazi, Zyra për të Drejta të Autorit e Sh.B.A-së i ka dhënë mbrojtje me të drejtë të autorit një vepre të gjeneruar nga AI.

Në anën tjetër, vendet si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Zelanda e Re dhe Hong Kongu, ia njohin autorësinë përkitazi me veprën e krijuar përmes AI personit i cili i ka bërë aranzhimet e nevojshme për krijimin e veprës. Ka edhe vende të tjera si India, ku AI konsiderohet bashkautor i veprës, së bashku me personin fizik, nëse vepra është krijuar duke përdorur AI me ndërveprim njerëzor.

Diskutimet janë të shumta dhe të ndryshme për sa i përket trajtimit juridik dhe pyetjes nëse duhet t’u akordohet mbrojtje e së drejtës së autorit këtyre veprave të krijuara nga AI.

Ligjet në fushën e PI-së, përfshirë të drejtat e autorit, janë territoriale për nga natyra, gjë që nënkupton se ajo çfarë mbrohet sipas ligjit të shtetit A mund të mos mbrohet sipas ligjit të shtetit B. Me dilemat e krijuara rreth veprave të gjeneruara nga AI, dallimet në mes të legjislacioneve vendore vetëm se po thellohen, prandaj edhe pyetjet e ngritura në lidhje me autorësinë mbeten akoma problematike dhe nuk ka ndonjë rregullim juridik konkret.

Kushtet dhe politikat e përdorimit të ChatGPT

OpenAI i kalon të gjitha të drejtat, titujt dhe interesat në lidhje me përmbajtjen te përdoruesi. Pra, OpenAI nuk pretendon se gëzon të drejta autoriale mbi atë çfarë gjeneron për përdoruesin, pasi këto ia kalon përdoruesit.

Problemi qëndron se inputi që jepet nga përdoruesi mund t’i shkelë të drejtat autoriale të dikujt tjetër. Kur ChatGPT gjeneron output mbi bazën e këtij inputi, ai zakonisht nuk përdor referenca dhe përdoruesi e merr autorësinë mbi atë output.

Këtu mund të shkelen shumë lehtë të drejtat autoriale të palëve të treta, sidomos nëse ChatGPT ka përdorur edhe materiale të tjera në pronësi të palëve të treta për ta gjeneruar atë output.

Në këtë drejtim, një çështje tjetër serioze që ka të bëjë me etikën e AI-së ka të bëjë me ndershmërinë akademike. Prezantimi i një pune si e juaja, ndërkohë që nuk është e juaja, konsiderohet plagjiaturë.

Përderisa ChatGPT mund të përdoret për ta bërë lekturimin e tekstit dhe mund t’ju ndihmojë me formulimin e fjalëve dhe shprehjen e mendimeve, çdo përdorim tjetër për qëllime akademike, pa e shpalosur faktin se është përdorur ChatGPT, nuk është etike.

Në anën tjetër, për momentin nuk ka ndonjë softuer antiplagjiaturë që do të detektonte tekste të gjeneruara nga AI, prandaj është edhe e vështirë të zbulohet nëse një tekst është gjeneruar nga ChatGPT ose është shkruar nga njeriu.

Duke qenë se zhvillimi i produkteve si ChatGPT po shihet si një revolucion teknologjik, kjo po sjell edhe dilema të shumta ligjore dhe etike, si për përdoruesit, ashtu edhe për krijimtarinë dhe vërtetësinë e saj. Prandaj, mbetet të shihet në të ardhmen se sa po mund të arrijnë ligjvënësit, politikëbërësit dhe rregullatorët të jenë në hap me këto zhvillime teknologjike dhe t’u japin përgjigje dhe zgjidhje këtyre dilemave.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.