Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pluralizmi i mediave në Kosovë: shpatë me dy tehe, që formëson demokracinë

Ilustrimi: Big Eye

Vitet e fundit, Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm sa i takon peizazhit mediatik, me përmirësimin e përvitshëm dhe ofrimin e më shumë platformave të informimit për qytetarët, duke lënë pas shumë shtete në rajon dhe botë.

Megjithatë, në maj të vitit 2024, në raportin vjetor të publikuar mbi mediat në botë nga Reporterët Pa Kufij (RPK), Kosova u rendit në vendin e 75-të nga 180 shtete – një rënie e rëndësishme nga vendi i 56-të, ku renditej në vitin 2023. Kjo rënie prej 19 vendesh paraqet uljen më të madhe ndonjëherë për Kosovën sa i takon lirisë së mediave, e kjo ka shumë implikime teksa vendi po futet në periudhë të zgjedhjeve parlamentare.  

Ky regres nxjerr në pah pyetjen: A siguron kjo shumëllojshmëri e mediave zgjedhje të drejta dhe informacione të sakta për qytetarët, apo thjesht e vërshon publikun me zhurmë dhe konfuzitet?

Sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, “zgjedhjet e kaluara parlamentare kishin qenë shumë kaotike, për shkak të shumë debateve, shumë burimeve. Shumë zhurmë. Nuk jam i sigurt nëse mediat u kanë ndihmuar qytetarëve të Kosovës për të marrë informatën e saktë.”

Teksa pluralizmi i mediave dhe shumëllojshmëria e burimeve mediatike shihen si gjëra pozitive në përgjithësi, ato mund të jenë shpata me dy tehe. Marius Dragomir, drejtor i Qendrës për Media, të Dhëna dhe Shoqëri, vëren se “një tepricë e burimeve jo gjithmonë garanton diskurs publik më të shëndetshëm. Përkundrazi, mund të çojë në konfuzitet, keqinformim, apo edhe rritje të zërave më pak kredibilë, çka, po qe se nuk ekuilibrohet me mbikëqyrjen e duhur dhe verifikimin e fakteve, e minon përfundimisht cilësinë e debatit demokratik.”

Pas zgjedhjeve të vitit 2021, duke dashur ta vlerësojmë ndikimin e shumëllojshmërisë së mediave, së bashku me një koleg timin, kemi realizuar një studim, në të cilin kemi analizuar 100 artikuj nga “Telegrafi” dhe “Kallxo”, të përzgjedhur rastësisht e të publikuar midis 3 dhe 12 shkurtit të vitit 2021. Gjetjet zbuluan një mungesë të dukshme të përfaqësimit të shoqërisë civile dhe publikut në mbulimin mediatik të zgjedhjeve.   

Nëse mediat e spikatura, siç janë “Kallxo” dhe “Telegrafi”, dështojnë të prezantojnë perspektiva të ndryshme gjatë zgjedhjeve, është e frikshme të imagjinohet cilësia e mbulimit mediatik të zgjedhjeve në mediat e tjera lokale. 

Brengat e ngjashme i ndajnë edhe qytetarët e huaj në Kosovë. Eksperti holandez i komunikimit, Stefan van Dijk, i cili punon në Kosovë tash e një dekadë, rrëfen: “Teksa i monitoroja në disa portale lajmet rreth zgjedhjeve, ishte e qartë se disa media përpiqeshin qëllimshëm t’i paraqisnin negativisht disa politikanë ose parti politike.”

Ai kujton një artikull me video, që shfaqte disa kandidatë politikë gjatë një tubimi, thjesht duke ecur përkrah njëri-tjetrit. “Artikulli pretendonte se Politikani X e shtyu pas vetes Politikanin Y. E shikova videon disa herë. Ishte e qartë se rruga u ngushtua dhe, rrjedhimisht, disa politikanë duhej të lëviznin pak më mbrapa. Nuk ndodhi absolutisht asgjë e çuditshme, por artikulli e paraqiste asisoj”, deklaroi van Dijk.

Peizazhi mediatik i Kosovës, me theks të veçantë gjatë periudhës së zgjedhjeve, paraqet një ndërthurje të ndërlikuar në mes të proceseve politike dhe ndikimit të mediave. Teksa pluralizmi i mediave shpesh shihet si gurthemel i demokracisë, roli i tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 nënkupton rezultate të përziera. Studimi ynë ka treguar se shumica e mediave u fokusuan te konfliktet – shkeljet e fushatës, sulmet personale – në vend se të fokusoheshin te çështjet thelbësore politike, ose te përfshirja e zërave nga shoqëria civile.   

Kjo tendencë minon aftësinë e publikut për të ndërmarrë vendime të arsyeshme dhe shënjon sfida më të thella në zhvillimin demokratik të Kosovës. Allen Meta, nga Demokracia për Zhvillim, potencon se “kalimi drejt raportimit të orientuar kah konflikti, bashkë me rritjen e lajmeve të rreme dhe retorikës mizogjene, mund të jetë rezultat i rritjes së përdorimit të rrjeteve sociale gjatë pandemisë COVID-19. Në mungesë të ngjarjeve të fushatës me pjesëmarrje fizike, si partitë politike, ashtu edhe mediat, u kthyen kah platformat online, ku shpesh sensacionalizmi mposht diskursin e ekuilibruar.”

Në anën tjetër, ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka një qëndrim më optimist dhe argumenton se shumica e mediave në Kosovë kontribuuan në drejtësinë e zgjedhjeve të vitit 2021. Sipas saj, “teksa disa media shfaqën anime politike, shumica nga to ofruan mbulim të qartë dhe të barabartë të ngjarjeve.”

Këto pikëpamje kundërthënëse të zyrtarëve publikë dhe shoqërisë civile theksojnë debatin e vazhdueshëm rreth rolit të mediave në zhvillimin demokratik të Kosovës. Shtrohet pyetja: A do të evoluojë marrëdhënia e mediave me sistemin politik në një dinamikë të përbashkët fitimprurëse që nxit transparencën, apo do të vazhdojë ta pengojë përparimin demokratik?

Me Vetëvendosjen që synon ta mbajë pushtetin në zgjedhjet parlamentare në shkurt të vitit 2025 dhe paralajmërimin e Reporterëve Pa Kufij (RPK) për rënien e lirisë së shtypit, peizazhi mediatik i Kosovës mund të ketë pasoja serioze. Përkeqësimi i lirisë së mediave qytetarëve mund t’ua bllokojë qasjen në informacione të sakta, si gjatë fushatës, ashtu edhe gjatë zgjedhjeve. 

Teksa, në shikim të parë, pluralizmi i mediave në Kosovë mund të duket si zhvillim pozitiv, kur analizohet më thellë, vërehen disa sfida. Mbizotërimi i gazetarisë “copy-paste” dhe standardet e ulëta të edukimit të gazetarëve, edhe më tej janë kërcënime për cilësinë e raportimit transparent. Këto çështje e minojnë aftësinë e votuesve për të krijuar opinione të arsyeshme përpara zgjedhjeve të ardhshme. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.