Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova heq regjimin e vizave për qytetarët boshnjakë: A do të veprojë njësoj edhe Bosnja?

Këtë vit, në Samitin e Berlinit, që u mbajt në tetor në Berlin, kryeministri Albin Kurti njoftoi se do të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, duke i lejuar të hyjnë në Kosovë pa vizë.  

Edhe pse në vitin 2022 e kishte nënshkruar Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes me letërnjoftim në Ballkanin Perëndimor, Bosnjë-Hercegovina ka refuzuar implementimin e saj. Ajo e ka ndaluar hyrjen pa viza për qytetarët e Kosovës, që nga pavarësia, teksa Kosova e ka bërë të njëjtën gjë nga viti 2014 e deri kur Kurti, së fundmi, mori vendim për të hequr regjimin e vizave njëanshëm. 

Vendimi i kryeministrit Kurti mund të shihet si hap përparimtar ndaj lejimit të qytetarëve për të udhëtuar lirshëm dhe nxitjes së stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, dhe potencialisht mund ta inkurajojë Bosnjë-Hercegovinën të veprojë njësoj. Megjithëkëtë, kjo mund të shihet edhe si lëvizje strategjike e Kurtit, nëpërmjet së cilës mund të ushtrojë presion te BE-ja për ta shtyrë Bosnjën drejt pajtimit.   

Përveç kësaj, vendimi i njëanshëm i Kurtit për heqjen e regjimit të vizave me Bosnjë-Hercegovinën mund të interpretohet si shenjë dashamirësie dhe përpjekje diplomatike për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me Gjermaninë. 

Së fundmi, Kurti u përplas me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili paralajmëroi se Procesi i Berlinit dhe CEFTA mund të vazhdojnë pa Kosovën, po qe se qeveria nuk ndryshon qëndrim për ndalimin e importimit të produkteve serbe. Përfundimisht, Kosova pjesërisht e revokoi ndalesën dhe u ftua t’i bashkohet Samitit të Berlinit. 

Qeveria e Kosovës ka qenë e izoluar nga aleatët për shkak të disa vendimeve të njëanshme të saj në veri të vendit, të cilat i kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet me aleatët kryesorë. 

Vitet e humbura për shkak të barrierave të panevojshme

Për vite me radhë, boshnjakët dhe kosovarët, kur kanë dashur ta vizitojnë familjen përtej kufijve, janë përballur me pengesa të tmerrshme, si pasojë e politikave kufizuese të vizave dhe procedurave të ndërlikuara burokratike. 

Procesi i kushtueshëm në para dhe kohë pothuajse e ka pamundësuar udhëtimin për shumëkënd, me aplikimet që kërkojnë të miratohen nga disa ministri të Punëve të Jashtme dhe duhet të dorëzohen nëpërmjet ambasadave në vendet fqinje. 

Nga këto sfida janë prekur familjet me lidhje të ngushta në të dyja anët, të cilat janë detyruar të durojnë pritjen e tejzgjatur dhe të pasigurt vetëm e vetëm që të ribashkohen me të dashurit e tyre.

Sipas Prishtina Insight, për ta vizituar Bosnjë-Hercegovinën, vizat për kosovarët “lëshohen në raste të veçanta dhe kërkojnë miratimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit, kurse aplikacionet duhet të dorëzohen në ambasadat e vendeve rajonale.”

Nuk është ndonjë detyrë e vështirë shpjegimi i trajtimit të kosovarëve nga Bosnjë-Hercegovina, por është gati se e pashpjegueshme pse, pavarësisht politikës së pandryshuar të Bosnjës-Hercegovinës për fqinjësinë rajonale, Kurti dhe mbështetësit e tij këtë vendim e quajnë si “sukses” për Kosovën.  

Të hedhësh topin në fushën e tjetrit 

Vendimi i njëanshëm i Kurtit për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës vjen edhe pse ai është i vetëdijshëm që, për shkak të pengesave të paraqitura nga Dodiku dhe Vuçiqi, Bosnjë-Hercegovina nuk pritet të veprojë njësoj këto kohë. 

Ky vendim u shërben dy qëllimeve: së pari, është gjest bujarie, kurse së dyti, i bën presion Bosnjë-Hercegovinës të veprojë ngjashëm, teksa gjithashtu e detyron BE-në ta trajtojë këtë çështje. 

Teksa Kurti e kupton se Bosnjë-Hercegovina nuk mund të veprojë njësoj në plan afatshkurtër, zgjedhja e tij mbetet legjitime. Nëse BE-ja nuk vepron njësoj, kjo do ta nxjerrë në pah paaftësinë e BE-së për të shënuar përparim në kuadër të Procesit të Berlinit. 

Me këtë veprim, Kurti zbulon ndikimin e kufizuar të BE-së mbi ndasitë e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë dhe thekson nevojën për një strategji rajonale më konkrete.

Padyshim, nuk pritet ndonjë përgjigje, as nga BE-ja, as nga Bosnjë-Hercegovina. Sidoqoftë, me veprimet e Kosovës, siç janë revokimi i pjesshëm i ndalesës për importimin e mallrave serbe dhe heqja e vizave për qytetarët e Bosnjës, Kurti tregon se lëvizja e radhës duhet të vijë nga pala tjetër.  

Çka pas kësaj?

Si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Kurtit për heqjen e vizave për qytetarët boshnjakë, presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, e përsëriti mosnjohjen e Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina, me qëllim të arsyetimit për ndalimin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. 

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili më parë ishte përplasur me Kurtin, tani e ka paralajmëruar Dodikun, duke deklaruar se për sa kohë që e bllokon hyrjen e qytetarëve të Kosovës, ai nuk duhet të presë asgjë në këmbim. 

Heqja e vizave për qytetarët e Kosovës mund të përshpejtojë përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, me rritjen e fluksit të vizitorëve dhe krijimin e mundësive për bashkëpunim kulturor dhe ekonomik. Nga ana tjetër, kjo mund të krijojë momentumin për përparim në frontin politik. 

Për të ndodhur kjo, kërkohet përfshirja proaktive e BE-së dhe Gjermanisë. I takon BE-së – dhe posaçërisht Gjermanisë – për të ndërmarrë veprime vendimtare dhe për të krijuar një momentum që e rrit stabilitetin rajonal të këtij rajoni që aspiron t’i bashkohet BE-së.  

Kurti e ka bërë lëvizjen e tij. Radhën e kanë Bosnjë-Hercegovina dhe BE-ja për ta bërë të tyren.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.