Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ngecja katërvjeçare e Qeverisë Kurti në politikën e jashtme

Ilustrimet nga: Big Eye

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një fillim të vështirë në politikën e jashtme, e në vitin e dytë situata u përkeqësua edhe më tej, duke vënë në pah nevojën urgjente për rikalibrim. Që nga viti i tretë, situata u përkeqësua si rezultat i një ministreje të Punëve të Jashtme të pakualifikuar dhe lobistëve të papërvojë të ngarkuar me detyrën e përfaqësimit të interesave të Kosovës jashtë vendit.

Sjellja jodiplomatike ka qenë vazhdimisht një modus operandi nën Qeverinë Kurti. Edhe pse u bë e para që e përmbylli një mandat të plotë katërvjeçar, kjo qeveri ka dështuar të sigurojë ndonjë njohje të re për shtetin, apo ndonjë anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Pra, kjo ishte edhe qeveria më jetëgjatë e Kosovës, edhe e vetmja që s’ka arritur ndonjë përparim në këtë drejtim.

Për të katërtin vit me radhë, sa i takon politikës së jashtme, Qeveria Kurti ka dështuar t’i përmbushë pothuajse të gjitha detyrat, duke shfaqur mungesë të dijes dhe strategjisë, kësisoj duke e lënë vendin në një pozitë të rrezikshme dhe më të izoluar se kurrë më parë.

Rastet e nepotizmit: angazhimi i miqve të papërvojë si lobistë

Qeveria Kurti ka angazhuar disa lobistë për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatët kryesorë të Kosovës, siç janë: SHBA-ja dhe shtetet anëtare të BE-së. Megjithëkëtë, janë ngritur shqetësime rreth procesit të përzgjedhjes së lobistëve dhe kualifikimeve të tyre.

I veçantë është rasti i Gani Jakupit, i cili fitoi kontratë në vlerë prej 90,000 eurosh në vit. Mënyra e angazhimit të Jakupit lë të kuptohet se procesi nuk ishte i hapur dhe konkurrues.

Më 13 qershor 2023, Ministria e Punëve të Jashtme shpalli thirrjen për konsulentë për diplomaci publike dhe kulturore. Gjashtë ditë më vonë, më 19 qershor, ministrja e Punëve të Jashtme, Gërvalla-Schwarz, ia delegoi Ambasadës së Kosovës në Bruksel përgjegjësinë për angazhimin e Jakupit, i cili e nënshkroi marrëveshjen të nesërmen. Afati i shpejtë kohor me të cilin u përmbyll procesi lë të kuptohet se Jakupi mund të jetë përzgjedhur përpara se të fillonte procesi formal.

Duke tentuar ta mbrojë veten, ministrja Gërvalla-Schwarz ka bërë deklarata mashtruese rreth kontratës, duke nënkuptuar se roli i Jakupit përfshin sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën, përgjegjësi kjo që nuk është përmendur në kontratë. Kontrata tregon se puna e Jakupit do të fokusohej në shtetet e Beneluksit dhe Francë, të cilat veçse e kanë njohur Kosovën.

Për më shumë, ajo deklaroi rrejshëm se pagesa ishte bazuar në projekt, e jo në pagë të rregullt. Megjithatë, kontrata tregon se Jakupi i ka pranuar të ardhurat si “konsulent i jashtëm”. Një dokument i publikuar nga Gazeta Express tregon se shpenzimet e tjera të Jakupit, siç janë: udhëtimi, ushqimi dhe akomodimi, janë mbuluar si shpenzim shtesë.

Në SHBA, Qeveria Kurti nënshkroi dy kontrata të majme me dy kompani të themeluara rishtazi e pa ndonjë kontratë paraprake të lobimit të regjistruar sipas Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së.

Kompanitë në fjalë janë Afërdita Rakipi Communications dhe Ambal, kjo e fundit e përfaqësuar nga Avni Mustafaj. Sipas kontratave, të dy këto kompani kanë pranuar veçmas 147,000 euro për një vit për punën e tyre. Në fillim, Qeveria tentoi që këto kontrata t’i mbante të fshehura nga publiku, por ato u bënë publike nga FARA në SHBA.

Asnjëra nga kompanitë nuk kanë uebsajt (faqe interneti) dhe nuk dihet se sa të punësuar kanë. Përveç kësaj, nuk kanë përvojë paraprake në lobim, gjë që nuk e arsyeton shumën kaq të majme të kontratave për këto “kompani”, të cilat udhëhiqen me nga një person. Megjithatë, emëruesi i përbashkët i tyre është se të dyja kompanitë kanë lidhje të ngushta me Qeverinë Kurti.

Megjithëse këto kompani janë angazhuar për aktivitete të lobimit në SHBA, një raport i publikuar së fundmi nga Radio Europa e Lirë tregon se, në gjashtë muajt e parë, shumica e shpenzimeve janë bërë në Kosovë dhe ishin për bileta të fluturimit. Kjo ngre pyetje serioze rreth efikasitetit dhe legjitimitetit të punës së tyre, sikurse edhe rreth keqpërdorimit të mundshëm të fondeve publike.

Qeveria Kurti, e cila veçse është e mangët në sferën e politikës së jashtme, e ka rënduar edhe më tutje situatën me angazhimin e lobistëve të papërvojë. Kjo qasje rrezikon ta minojë suksesin në diplomaci, siç u dëshmua me tendosjen e paprecedentë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe aleatëve të saj.

Marrëdhëniet me aleatët kryesorë kanë prekur pikën më të ulët

Përtej sfidës së vazhdueshme me shtetet mosnjohëse, tani Kosova po ballafaqohet me përkeqësim të theksuar të marrëdhënieve me aleatët kryesorë, duke kërcënuar pozicionin diplomatik dhe stabilitetin afatgjatë.

Kosova mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka pranuar statusin e kandidatit për BE dhe i vetmi shtet i rajonit që ka sanksione nga BE-ja.

Në anën tjetër të Atlantikut, marrëdhëniet bilaterale të Kosovës me aleatin kryesor, SHBA-në, kanë prekur pikën më të ulët ndonjëherë. Administrata e SHBA-së ka ngritur shqetësime rreth cilësisë së partneritetit të saj me Qeverinë e Kosovës, situatë kjo e padëgjuar më parë në Kosovë.

Kryeministri Kurti – me etiketimin e përfaqësuesit të posaçëm, Miroslav Lajçak, si të njëanshëm në krah të Serbisë, si dhe me karakterizimin si naiv të Sekretarit të SHBA-së, Antony Blinken – i ka minuar parimet themelore të diplomacisë.

Për më shumë, ka pretendime se Qeveria Kurti ka përdorur mjete të ndryshme për të shpërndarë dezinformata për të sulmuar karakterin e diplomatëve ndërkombëtarë. Për shembull, një gazetar jo i besueshëm e publikoi një artikull ku pretendonte se ish-përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, ishte pushuar nga pozita e tij.

Escobari u përgjigj dhe deklaroi se thashethemet rreth shkarkimit të tij kishin qarkulluar menjëherë pas komunikimit të tij me Qeverinë e Kosovës, për sa i takon mbarimit të mandatit të tij dhe kalimit në një rol të ri, duke aluduar se informata mund të ketë rrjedhur nga aty.

Kjo qasje joetike dhe jodiplomatike e ka izoluar gjithnjë e më shumë kryeministrin Kurti, i ka shtyrë udhëheqësit botërorë t’i shmangin takimet me të, duke rezultuar me mungesë të takimeve bilaterale mes Kosovës dhe shteteve perëndimore.

S’ka njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Përgjatë katër vjetëve të kaluar, Kosova nuk e ka fituar asnjë njohje të re. Kjo s’duket të jetë prioritet për ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Shchwarz, e cila tha se njohjet nuk janë matës i suksesit në politikën e jashtme.

Ngjashëm, Qeveria Kurti ka dështuar të sigurojë anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Kosova nuk arriti as të anëtarësohej në Kartën e Adriatikut, një asociacion i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe SHBA-së, që ka për qëllim mbështetjen gjatë integrimit në NATO. Kjo është posaçërisht e rëndësishme, sepse anëtarësimi në Kartën e Adriatikut ishte premtim i veçantë i kësaj qeverie në vitin 2021.

Kosova, jo vetëm që dështoi të anëtarësohej në ndonjë organizatë ndërkombëtare, por gjithashtu rrezikoi përjashtimin nga Marrëveshja e Europës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe Procesi i Berlinit, për ndalimin e mallrave të importuara nga Serbia, në qershor të vitit 2023, një shkelje kjo edhe e udhëzimeve të CEFTA-s, edhe e Marrëveshjes së Kosovës për Stabilizim-Asociim. Qeveria e Kosovës e hoqi pjesërisht ndalesën ndaj mallrave serbe, më 8 tetor 2024, në vetëm një pikëkalim kufitar.

Sidoqoftë, pavarësisht nivelit të ulët të udhëheqjes, Kosova kishte mundësi solide të bëhej anëtare e Këshillit të Europës (KiE), organizata më e madhe ndërqeveritare e fokusuar në promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Europë.

Megjithatë, Franca, Gjermania dhe Italia ndërhynë dhe nëpërmjet një letre të përbashkët kërkuan që Kosova t’i zbatojë vendimet e Gjykatës së saj Kushtetuese, e të ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS). Ato nënvizuan se veprimi konkret që duhet të ndërmerret është dorëzimi i draft-statutit të BE-së për AKS-në.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës nuk e mori seriozisht këtë kërkesë. Më 17 maj 2024, në një përpjekje të minutës së fundit për t’i bindur aleatët për ta përfshirë aplikimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së, Gërvalla-Schwarz i dërgoi letër Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, ku i bëri thirrje për ta rishqyrtuar vendosjen e Kosovës në agjendë të Asamblesë së Përgjithshme, me premtimin se Kosova, deri në fund të majit 2024, do ta dërgojë një draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kur mësoi se Kosova nuk ia doli të jetë pjesë e agjendës, Gërvalla-Schwarz deklaroi se letra që ia kishte dërguar Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së e kishte humbur relevancën e saj. Kjo dëshmon mungesë të vizionit në politikën e jashtme. 

Ndërhyrja në zgjedhjet e huaja 

Kryeministri Kurti vazhdimisht ka ndërhyrë në zgjedhjet e huaja. Në Serbi, Kurti e ka mbështetur kandidaturën e Ardita Sinanit, e cila më parë kishte shërbyer si këshilltare në kabinetin e tij, për kryetare të komunës me shumicë shqiptare në Serbi, Preshevës, ku ajo i fitoi zgjedhjet. 

Për më tepër, ai ndërhyri në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku e mbështeti koalicionin VLEN, Aleancën për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari, i cili ishte pritur nga kryeministri Kurti në zyrën e tij, si përpjekje për ta përkrahur fushatën e tij elektorale

Kjo qasje është problematike në katër aspekte. Së pari, mbështetja e një partie politike, koalicioni, ose kandidati, anashkalon parimet themelore të diplomacisë dhe minon sovranitetin e shteteve të tjera. Kur kryeministri Kurti bën thirrje që të mbështetet një parti specifike, koalicion, ose kandidat, ai e bën këtë në cilësinë e kryeministrit, e jo vetëm të udhëheqësit të partisë së tij, Vetëvendosje. Ndërhyrja mund t’i dëmtojë rëndë marrëdhëniet bilaterale me këto shtete. 

Së dyti, me Kushtetutë, Kosova definohet si shtet multietnik, e jo shtet-komb. Prandaj, me rreshtimin përkrah një grupi të caktuar etnik në shtetet fqinje, Kurti duket se po i shpërfill parimet themelore të Kushtetutës së Kosovës. 

Së treti, me këshillimin e minoritetit shqiptar në Ballkanin Perëndimor se cili kandidat, parti, ose koalicion është më i mirë për ta, rrezikon ta rrisë polarizimin brenda komunitetit shqiptar, i cili nuk është monolitik në preferencat e tij politike. 

Gjithashtu, në të shkuarën, Kurti kishte ftuar komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur kandidaturën e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale. Së fundmi, Kurti ka nxitur diasporën e Kosovës në BE për t’i mbështetur socialdemokratët. Kjo lëvizje është gabim strategjik, marrë parasysh rritjen e rëndësishme të partive të djathta dhe të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e fundit në BE, si dhe fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. 

Kjo mungesë e vizionit në politikën e jashtme tregon se kryeministri Kurti e sheh botën në një mënyrë binare (të ndarë në dy blloqe) dhe nuk e ka ndier të nevojshme t’i shfrytëzojë mundësitë për përparim të mundshëm, ose t’i krijojë disa baza me partitë e së djathtës përpara ndryshimeve të pashmangshme në zgjedhjet në Europë dhe në SHBA.   

Qeveria Kurti ka shpërfaqur mungesë të dijes, përvojës dhe profesionalizmit që nevojitet për zhvillimin e një strategjie koherente për politikën e jashtme të Kosovës. Kjo ka rezultuar me gafa diplomatike, shoqëruar me përkeqësimin e marrëdhënieve me aleatët kryesorë, duke e dëmtuar rëndë interesin shtetëror të Kosovës dhe duke penguar përpjekjet për rritjen e legjitimitetit dhe pranisë ndërkombëtare të saj.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.