Për më shumë se dy dekada, 298 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Vetëm në vitin 2024 janë shënuar 12 raste me fatalitet, ndërsa në vitin 2025 janë regjistruar 25 raste.
Ketë vit, vetëm në katër muajt e parë, janë shënuar edhe 11 raste të tjera ku punëtorët kanë humbur jetën në vendin e punës.
Pas rritjes së numrit të rasteve gjatë muajve të parë këtij viti, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, mori vendim për fillimin e një aksioni të jashtëzakonshëm të inspektimeve në të gjithë territorin e Kosovës. Aksioni u fokusua kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë dhe aktivitetet me rrezikshmëri të lartë.
Ky vendim tregon se siguria në punë vazhdon të trajtohet më shumë si reagim pas tragjedive, sesa si politikë parandaluese. Për më tepër, inspektimet janë paralajmëruar publikisht, ndonëse vetë natyra e kontrollit kërkon që ai të jetë i papritur.
Por, këto vendime ad-hoc nuk e ndryshojnë situatën në terren. Vdekja e punëtorëve vazhdon të jetë një realitet që përsëritet çdo vit në Kosovë dhe institucionet nuk e trajnojnë seriozisht këtë problem.
Pas shuarjes së Ministrisë së Punës më 2021, siguria në punë, dialogu social dhe të drejtat e punëtorëve mbetën në plan të dytë.
Si rezultat, politika sociale u trajtua më shumë si shpërndarje e mjeteve financiare, sesa si përpjekje për të parandaluar problemet me të cilat punëtorët përballen çdo ditë. Në vend që fokusi të ishte te parandalimi i aksidenteve, forcimi i inspektimit dhe përmirësimi i kushteve të punës, vëmendja kryesore u përqendrua te masat për ndihmat financiare.
Përveçqë nuk ka trajtim serioz të këtij problemit, nuk ka as kapacitete shtetërore.
Në Kosovë, momentalisht operojnë vetëm 54 inspektorë të punës. Për një shtet me rreth 450 mijë persona të punësuar, ky numër është dukshëm i pamjaftueshëm.
Kjo do të thotë se një inspektor duhet të mbulojë mijëra punëtorë. Në praktikë, kjo nënkupton se shumica e vendeve të punës nuk kontrollohen kurrë, ose kontrollohen rrallëherë.
Në vitin 2021, kryeministri Albin Kurti pati premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve të punës, si një hap kyç për rritjen e sigurisë në vendet e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve. Ky premtim ende mbetet i parealizuar.
Një punëtor duhet ta ndiejë praninë e shtetit dhe të ketë sigurinë se, kur del në punë çdo mëngjes, ekziston një institucion që do ta mbrojë nëse i rrezikohet jeta ose shëndeti. Fatkeqësisht, kjo siguri dhe kjo mbrojtje nuk ekzistojnë.
Situata është aq e përkeqësuar, saqë vetë institucionet nuk i respektojnë rregullat që duhet t’i zbatojnë. Për një kohë të gjatë, Inspektorati i Punës është udhëhequr nga një person, emërimi i të cilit është shpallur i paligjshëm nga gjykatat.
Emërimi i një ushtruesi të detyrës së kryeinspektorit në prill të këtij viti është një hap përpara, por punëtorët presin më shumë sesa ndryshim të emrave. Ata presin institucione që funksionojnë në kohë, zbatojnë ligjin dhe krijojnë ndjenjën se jeta e punëtorit ka vlerë.
Vendimi i Qeverisë më 14 maj 2026 për themelimin e Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë është një hap i mirë dhe i domosdoshëm, sepse mund të krijojë më shumë koordinim, përgjegjësi dhe vëmendje ndaj sigurisë së punëtorëve. Megjithatë, emërimi i ushtruesit të detyrës dhe themelimi i Këshillit nuk mjaftojnë.
Kosova ka nevojë për emërim të një inspektori në bazë të ligjit me mandat të plotë, më shumë inspektorë në terren, për kapacitete më të mëdha logjistike dhe për kontrolle të rregullta e të papritura në sektorët me rrezikshmëri të lartë.
Po aq e rëndësishme është që punëtorët të kenë mekanizma të sigurt për raportimin e shkeljeve dhe që institucionet të jenë më transparente për kushtet e sigurisë në vendet e punës.
Siguria në vendin e punës nuk mund të trajtohet si çështje dytësore, por si një detyrim themelor i çdo punëdhënësi dhe institucioni shtetëror.
Parandalimi i aksidenteve dhe garantimi i kushteve të sigurta të punës duhet të jenë prioritet, jo reagim pas tragjedive.































































