Në Kosovë është rikthyer një valë mesazhesh mashtruese që po qarkullojnë përmes SMS-ve, ku qytetarëve, në emër të Policisë së Kosovës u thuhet rrejshëm se kanë gjoba të papaguara trafiku. Mesazhet përmbajnë linqe të dyshimta me kërkesën për qasje në to, duke synuar marrjen e të dhënave personale dhe bankare. Lidhur me këtë dukuri, ka njoftuar edhe Policia e Kosovës duke paralajmëruar se këto mesazhe nuk janë zyrtare dhe përbëjnë mashtrim, tek u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe të tilla, të mos japin të dhëna personale dhe t’i fshijnë këto SMS.
Mesazhi i rrejshëm e njofton marrësin se, sipas Ligjit për Trafikun Rrugor të Kosovës, i është regjistruar një shkelje në trafik dhe i është lëshuar një gjobë. Kërkohet që pagesa të kryhet brenda afatit të caktuar përmes lidhjes së dhënë në mesazh. Gjithashtu paralajmërohet se mospagesa mund të sjellë masa shtesë ligjore, ndërsa për ankesa udhëzohen të ndiqen procedurat ligjore përkatëse.
Fenomeni i mesazheve mashtruese është reported edhe më herët në forma të ndryshme, ku institucione shtetërore apo banka janë imituar nga grupe të panjohura me qëllim manipulimin e qytetarëve. Përsëritja e këtyre rasteve ngre shqetësime për mënyrën se si këto skema po arrijnë të qarkullojnë vazhdimisht, pavarësisht paralajmërimeve institucionale.
Ekspertët e sigurisë kibernetike këto raste i cilësojnë si sulme “phishing”, ku qëllimi kryesor është mashtrimi i përdoruesve për të marrë informacione të ndjeshme. Mesazhet shpesh krijohen në mënyrë që të duken sa më zyrtare, duke imituar institucionet shtetërore dhe duke përdorur gjuhë që krijon presion te qytetari për të reaguar shpejt. Mbetet ende e paqartë nëse këto mesazhe po dërgohen nga brenda Kosovës apo nga jashtë saj. Gjithashtu, lidhur me këto mesazhe, kemi kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të kërkuar informacione dhe sqarime shtesë, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tyre.
“Këto mesazhe janë një formë e phishing-ut, një metodë e njohur e mashtrimit digjital që synon t’i shtyjë qytetarët të veprojnë me nxitim. Mashtruesit përdorin emra institucionesh si Policia e Kosovës për të krijuar besueshmëri dhe frikë, ndërsa zakonisht kërkojnë që viktima të klikojë në një link, të japë të dhëna personale ose bankare, apo të kryejë një pagesë. Shenja më e qartë e mashtrimit është kërkesa për veprim të menjëhershëm dhe përdorimi i linqeve të panjohura. Qytetarët nuk duhet t’u besojnë këtyre mesazheve, por ta verifikojnë çdo pretendim vetëm përmes kanaleve zyrtare. Në shumicën e rasteve, klikimi në link nuk mjafton për të vjedhur të dhënat bankare, por është hapi i parë që e ekspozon përdoruesin ndaj mashtrimit. Rreziku real lind kur futen të dhënat e kartelës, fjalëkalimet ose kodet e verifikimit”, thotë për Sbunker-in, Hekuran Doli, ekspert i sigurisë kibernetike.
Përveç paralajmërimeve të institucioneve, edhe qytetarë të ndryshëm kanë raportuar se kanë pranuar SMS të ngjashme, ku disa kanë rënë viktimë e mashtrimit duke futur të dhënat bankare në faqet e rreme. Media kanë raportuar për qytetarë që kanë pranuar mesazhe me gjoba të rreme në emër të institucioneve shtetërore.
SMS-të mashtruese për gjoba trafiku, të njohura si “phishing”, janë raportuar edhe në shumë vende të tjera përfshirë Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera. Mashtruesit dërgojnë mesazhe që duken si njoftime zyrtare dhe i drejtojnë qytetarët në faqe të rreme për t’u marrë të dhënat bankare.
Rikthimi i këtij fenomeni tregon se mashtrimet digjitale vazhdojnë të mbeten një rrezik i pranishëm për qytetarët në Kosovë. Përveç reagimit institucional, ekspertët theksojnë se një nga mënyrat më efektive për parandalim mbetet vetëdijesimi i qytetarëve për rreziqet online dhe mënyrën se si funksionojnë këto skema mashtruese.





























































