Shëndeti mendor është një shtyllë themelore e një jete të shëndetshme dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien fizike, emocionale dhe sociale të individit. Sipas të dhënave globale, një në dy njerëz përballet me një çrregullim mendor në një moment të jetës së tij – pra, gjysma e popullsisë.
Stigma, mungesa e trajtimit profesional dhe investimet e pamjaftueshme vazhdojnë ta thellojnë edhe më tutje këtë problem.
Një study tjetër, i kryer në 29 vende të botës, tregon se çrregullimet mendore më të përhapura te gratë janë depresioni, fobitë specifike dhe çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD). Ndërkaq, te burrat, çrregullimet më të shpeshta janë abuzimi me alkoolin, depresioni dhe fobitë.
Përveç numrit të lartë të personave të prekur nga çrregullimet mendore, një sfidë tjetër madhore është mungesa e qasjes në kujdes dhe mbështetje cilësore për shumë prej tyre.
Një nga pengesat më të mëdha për kujdesin e shëndetit mendor në nivel global është mungesa bazike e qasjes. Dy të tretat e vendeve në botë kanë vetëm një psikiatër për çdo 200,000 njerëz, ndërsa në vendet me të ardhura të ulëta ka vetëm një punonjës të shëndetit mendor të çfarëdo lloji për çdo 100,000 njerëz.
Sipas raportit “World Mental Health Today” të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2025), 91% e njerëzve me depresion në mbarë botën nuk kanë qasje në kujdes dhe trajtim adekuat. Po ashtu, një studim i publikuar në JAMA Psychiatry (2025) tregon se vetëm 6.9% e personave me çrregullime të shëndetit mendor ose të përdorimit të substancave marrin trajtimin e nevojshëm.
Kjo nënvizon hendekun e vazhdueshëm ndërmjet nevojës për shërbime të shëndetit mendor dhe qasjes reale në to.
Në veçanti, njerëzit që jetojnë në zona konflikti janë më të predispozuar nga problemet e shëndetit mendor. Pothuajse të gjithë njerëzit që përjetojnë konflikt ose luftë kalojnë shqetësim psikologjik dhe rreth 1 në 5 prej tyre do të zhvillojë depresion, ankth, çrregullim të stresit post-traumatik, ose çrregullime të tjera që lidhen me shëndetin mendor.
Një e katërta e popullsisë globale jeton në vende të prekura nga konflikti dhe mbi 122 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë për shkak të konfliktit, persekutimit, dhunës ose shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ndikimi që kjo ka në shëndetin mendor është i dëmshëm dhe i përhapur gjerësisht.
Arsyet pse një numër kaq i madh i njerëzve nuk arrijnë të marrin shërbimet e nevojshme të shëndetit mendor janë të shumta. Ato përfshijnë mungesën e burimeve financiare, numrin e pamjaftueshëm të profesionistëve të trajnuar dhe qasjen e kufizuar në shërbime.
Megjithatë, në shumë raste, stigma që shoqëron çrregullimet mendore mbetet barriera më e madhe, duke i penguar njerëzit të kërkojnë ndihmë profesionale.
Përkundër të gjitha këtyre sfidave me shëndetin mendor, vendet i dedikojnë mesatarisht vetëm 2% të buxheteve të tyre shëndetësore për shëndetin mendor. Për Kosovën nuk ka të dhëna të sakta, por fatkeqësisht edhe këtu ka fokus tejet të vogël nga ana e institucioneve shtetërore për shëndetin mendor në përgjithësi.
Kriza e shëndetit mendor nuk prodhon vetëm pasoja shëndetësore dhe sociale. Ajo ka edhe një kosto serioze financiare. Ekonomia globale humb rreth 1 trilion dollarë çdo vit për shkak të depresionit dhe ankthit. Vlerësohet se gjendjet e shëndetit mendor mund t’i kushtojnë ekonomisë deri në 16 trilionë dollarë gjatë periudhës 2011- 2030.
Është shumë e rëndësishme që të ketë vëmendje me të madhe sa i përket shëndetit mendor dhe të mundësohet qasje më e lehtë për ata që kanë nevojë, sepse shëndeti mendor është thelbësor për një cilësi të mirë jetese për të gjitha grupmoshat.





























































