Në sallën e madhe të mbledhjeve në ndërtesën e re të Komisionit të Pavarur të Mediave afër Pallatit të Drejtësisë, anëtari poet nuk ulet më i vetëm. Për të vendosur “drejtësi” në raport me mediat, atij i janë kthyer edhe dy ish-anëtarë dhe të tjerë anëtarë të rinj. Të gjithë të përzgjedhur e të votuar nga partia politike në pushtet, të gatshëm për betejën e madhe me mediat.
Që nga mbledhja e parë e përbërjes së re u bë i qartë misioni: kthimi mbrapa në zgjedhjet e shkurtit 2025 e vazhdimi në dhjetor 2025, për të parë me llupë punën e mediave. Për të parë se si ato kishin raportuar dhe e kishin trajtuar partinë larg më të madhe në vend, Vetëvendosjen.
Mbledhja e dytë, diskutimi i kryetarit të Bordit, Besnik Berisha:
“Edicionet e lajmeve janë vlerësuar edhe nga aspekti cilësor dhe kakronikat kryesisht i ka pasur me qasje të anshme, të pabalancuara dhe të bazuara vetëm në një burim informacioni, e që lidhen me pushtetin ak rezultuar se Klan Kosova tual”.
Ky qëndrim i kombinuar, pak personal e më shumë zyrtar i institucionit, paraqet një ndërhyrje brutale në pavarësinë editoriale të mediave. Për më keq, e zhvesh plotësisht kryetarin dhe institucionin që udhëheq nga pretendimi për paanshmëri dhe e vë në shërbim të plotë të pushtetit.
Mbledhja e dytë, dhe e para me dënime, ishin vetëm hyrje e asaj që do të pasonte në mbledhjet e radhës, kur KPM-ja do t’i gjobiste mediat me shifra që nisin nga 1000 e deri në 4000 euro. Shkeljet e pretenduara lidhen me mbulimin e fushatës zgjedhore dhe atë që KPM-ja e sheh me optikën e saj si “padrejtësi” ndaj Vetëvendosjes dhe Qeverisë.
Më së shumti shqetësuese janë substanca dhe arsyetimet për dënime. KPM-ja në këta muaj ka dënuar mediat për atë që palët e treta kanë thënë në emisione debatuese, duke i akuzuar gazetarët e moderatorët për moskryerjen e punës së tyre. Për ta mbrojtur Qeverinë e Vetëvendosjen, KPM-ja ka iniciuar disa raste ex officio, apo sipas detyrës zyrtare, dhe të tjera i ka trajtuar ose ka paralajmëruar t’i trajtojë pas ankesave.
Sikurse rasti Artane Rizvanolli kundër Uran Ismailit, që çoi në deklaratën më të rrezikshme që prej tentimit për mbylljen e Klan Kosovës – paralajmërimi për mbylljen e emisionit Debat Plus të RTV Dukagjinit. Qëllimi është i qartë: përpjekja për ta mbytur debatin publik, për t’i intimiduar gazetarët që të peshojnë secilën fjalë LIVE, që të kujdesen për të mos lejuar debat mes partish, sepse njëra prej tyre ndihet e lënduar dhe e sulmuar. Është përpjekje e papranueshme për disiplinimin e mediave, duke i lodhur me gjoba. Është sulmi më i hapur dhe frontal që ky institucion kushtetues ka bërë ndaj pluralitetit medial në Kosovë ndër vite.
Dhe, nuk janë vetëm mediat shqiptare target. Disa media të vogla në gjuhën serbe janë dënuar, duke u përdorur në së paku një rast edhe standard i dyfishtë për shkeljen e njëjtë nga një media shqiptare.
Sikurse për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së, partia në pushtet kishte një listë të njerëzve që donte t’i kthente në KPM për ta çuar përpara agjendën e saj për të luftuar mediat, me të gjitha format. Një qasje e tillë, që ka për synim ngufatjen e mediave, minon aftësinë e tyre për t’i mbajtur përgjegjës politikanët që marrin vendime që ndikojnë në jetën e qytetarëve.
Përkundër përmirësimit me tri pikë e disa vende në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, kjo spirale e marrjes së vendimeve që sulmon mediat do të ndikojë në një tjetër rënie të Kosovës në indekset ndërkombëtare të lirisë së medias. Institucione ndërkombëtare tashmë janë alarmuar, duke përfshirë presidenten e Federatës Ndërkombëtare, Zuliana Lainez, e cila tha se vendime si këto të organit rregullator janë “përpjekje për censurë ndaj mediave kritike”.
Anëtarët e KPM-së qartazi e kanë keqkuptuar rolin e tyre dhe e kanë marrë rolin e gjykatës, duke vendosur se çka është shpifje e gjuhë vulgare. Para se vendimet e tyre ta dëmtojnë në pakthim një sistem medial të krijuar për më shumë se dy dekada, do të duhej që ata t’i kthehen rolit që ua jep ligji, jo ai i cili u shpall antikushtetues.





























































