Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Duhet ta rishqyrtojmë kritikën e Ballkanit Perëndimor për BE-në

Së voni, Bashkimi Evropian ka pranuar kritikë të shtuar nga Ballkani Perëndimor. Kjo kritikë po rritet për shkak të dështimeve të BE-së për t’i mbajtur premtimet e dhëna për rajonin. Një pjesë e kritikës bazohet në dështimin e BE-së për të përmbushur premtimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një popullsi prej rreth 17.9 milionë banorësh. Tash e më se një dekadë, 16.1 milionë njerëz që jetojnë në këtë rajon mund të udhëtojnë lirshëm në BE, por rreth 1.8 milion kosovarë vazhdojnë të mbeten të izoluar. Për t’i vënë gjërat në perspektivë, kjo do të thotë që 90% e popullsisë së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor gëzojnë regjim pa viza me BE, ndërsa 10% mbeten të izoluara. Ky izolim ka rritur dukshëm mosbesimin e qytetarëve të Kosovës për BE-në. Sidoqoftë, një kritikë e tillë mbase nuk është e përqendruar siç duhet, sepse Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rezultat duke rekomanduar liberalizimin e vizave në 2016 dhe në vitin 2018 duke konfirmuar plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara nga ana e Kosovës.

Edhe pse Komisioni Evropian ka bërë punën e vet, kjo nuk njihet në kuadër të kritikave që burojnë nga vendi ynë ndaj BE-së për këtë temë. BE-ja përdoret si term gjithëpërfshirës për kritikën nga rajoni, duke e shpërfillur kompleksitetin e dinamikave të Unionit. Kjo qasje krijon një perceptim brenda publikut për ekzistencën e uniformitetit dhe kohezionit në BE sa i përket mënyrës si e shohin dhe ju qasen rajonit, gjë që nuk përkon me të vërtetën dhe realitetin. Por, mbase mungesa e një qartësie të tillë nga ana e qeverive është e qëllimshme ose/dhe pasqyron një problem më të thellë me shkallën e mirëkuptimit në Ballkanin Perëndimor për atë se çfarë llogaritet si BE dhe si ajo operon, ose së paku një mungesë vlerësimi për të.

Një element i marrëdhënieve të shëndosha mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së duhet të jetë një përkufizim më i mirë nga ana e qeverive dhe shoqërisë civile, dhe sidomos nga ana e mediave, për duke përcaktuar se çfarë përbën BE- konkretisht kur përçohen ‘premtimet dhe përkushtimet e BE-së” te qytetarët. Ky qartësim është po aq i rëndësishëm për qytetarët e rajonit sa është për besueshmërinë e institucioneve të BE-së. Sidoqoftë, sikur në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën, një pjesë e çështjes së besueshmërinë përfshin atë se si minimi i BE-së nga Shtetet Anëtare dobëson fuqinë vepruese dhe aktorësinë e BE-së, gjë që në praktikë barazohet me Komisionin Evropian, së paku në Ballkanin Perëndimor. Brenda kornizës së dështimeve në procesin e liberalizimit të vizave, ajo çfarë Franca dhe Holanda me qëndrimet e tyre, po komunikojnë, ndër të tjera, për qytetarët e Kosovës është se nuk i besojnë punës së Komisionit Evropian, e pse pra duhet ta shohë një qytetar i Kosovës Komisionin ndryshe? Riorganizimi i politikës së kushtëzimit është çështje thelbësore, por gjithashtu Shtetet Anëtare që janë të përkushtuara ta përforcojnë sundimin e ligjit në rajon do të dilnin më të kënaqura duke e mbështetur plotësisht Komisionin, në vend se të krijohen përçarje dhe hutime në procese.

Aspekti i tretë i argumentit të këtij artikulli, siç sugjerohet në titull, është se në mënyrë që të rishqyrtohet kritika e rajonit për BE-në, është po ashtu e rëndësishme të kihen parasysh rrëfimet (narrativat) që kanë trajtësuar kritikën që buron në rajon.

Në vitin 2006, BE-ja propozoi ta shtojë bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast mediat në atë kohë raportuan se një sugjerim i tillë u prit me pak entuziazëm në rajon. Narrativa e BE-së për këtë sugjerim të caktuar është se rajoni duhet të largohet nga nacionalizmi, të angazhohet për ndërtimin e mirëbesimit dhe të shkojë drejt bashkëpunimit më të afërt ekonomik. Sidoqoftë, rajoni iu përgjigj këtij sugjerimi me kritikën se kjo përfaqësonte një përpjekje për ta përtëritur ish-Jugosllavinë. Kjo narrativë është shumë e shpeshtë në kritikat e rajonit për BE-në dhe nuk ka evoluar për më se 20 vjet pas përfundimit të luftës.

Në një artikull strategjik të BE-së nga viti 2006 të quajtur “Ballkani Perëndimor në rrugën drejt BE-së: konsolidimi i stabilitetit dhe rritja e prosperitetit”, pika kyçe ishte promovimi i marrëdhënieve më të afërta ekonomike mes shteteve të rajonit. Liria e lëvizjes se mallrave dhe njerëzve është thelbi i vlerave dhe procesit të integrimit të BE-së. Ky kontekst shpeshherë keqpërdoret nga individët që shfrytëzojnë konspiracionet për t’i shpjeguar përpjekjet e fundit për të ashtuquajturin Mini-Shengen, gjë që në një masë të madhe trupëzon konceptin e BE-së nga viti 2006. Ç’është e habitshme për këtë, edh 15 vjet më vonë, shumica e politikanëve në rajon nuk ndihen rehat të paraqesin një ide të ngjashme (për integrim rajonal tregtar) si të tyren, kryesisht për shkak të kritikave të mëdha.

Potenciali i kritikës ndaj BE-së nga Ballkani i Perëndimore mund të përdoret më mirë dhe më konstruktivisht. Narrativat nga rajoni për kritikën ndaj BE-së pa dashje po e ushqejnë dhe forcojnë arsyetimin e së djathtës ekstreme për angazhimin në Ballkanin Perëndimore, dhe po i armiqëson miqtë e rajonit. Një modus operandi më i mirë për komunikim dhe angazhim kritik mes rajonit dhe BE-së që nuk do ta krijonte një ambient të favorshëm për shpërfillje mund të arrihet. Shoqëria civile në veçanti mund të ndihmoj për trajtësimin dhe eksportimin e narrativave të qartësisë dhe parashikueshmërisë. Për organizatat joqeveritare në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë dhe në Serbi, do të kërkohej shmangia nga ngatërrimi me diskurse etno-politike, meqë s’përputhet me karakterin dhe natyrën e shoqërisë civile. Për shembull, në Kosovë kjo është mishëruar me narrativa të nxitjes së frikës për mundësinë e dhënies së kompetencave ekzekutive në fushat e kulturës, edukimit dhe shëndetësisë për asociacionin e komunave serbe. Në Serbi, më duket se shoqëria civile kontribuon, ndoshta pa dashje, shumë më tepër sesa qeveria për ruajtjen e statuskuosë në Kosovë.

Duke pas parasysh se aleancat që bazohen në korniza normative janë gjithnjë e më të lëkundura, kalkulimet e disa liderëve politikë që proceset e dizajnuara si lojëra politike të fuqisë së fortë do të sjellin stabilitet më të madh janë të pavenda. Por, mundësitë e tilla bëhen të pashmangshme në mungesë të besimit në një akter siç është BE-ja, e cila ndonjëherë minohet nga vetë Shtetet Anëtare. Përpjekjet për t’i normalizuar narrativat që thonë se Ballkani Perëndimor është i tepërt për BE-në ose anasjelltas mund të adresohen me sukses vetëm duke e rishqyrtuar kritikën tonë ndaj BE-së. Njëkohësisht, BE-ja duhet të jetë më proaktive dhe t’i plotësojë përkushtimet ndaj qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është thelbësore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe të ardhmen e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

———–

Bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker është duke sjellur një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–                                                                                                                    

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.