Në shkurt të vitit 2019, AKI mbushi një dekadë që prej themelimit si institucion për siguri dhe inteligjencë në Kosovë. Sipas Barometrit Kosovar të Sigurisë, hulumtim i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, për qytetarët e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) qëndron si institucioni më pak i besueshëm i sigurisë. Ky nivel i ulët i besueshmërisë nuk është i ndërlidhur vetëm me periudhën e tanishme. Përkundrazi, një nivel i ngjashëm i besueshmërisë, mbase edhe më i ulët ka ekzistuar edhe në vitet paraprake. Kjo mund të vërehet edhe nga grafet e mëposhtme që reflektojnë matjet dhe trendin 3 viteve të fundit.
Në vitin 2016, besueshmëria në këtë institucion ishte mjaftë e ulët. Në këtë hulumtim del se qytetarët vetëm 17% i besojnë këtij institucioni dhe 30% prej tyre deri diku i besojnë, ky perceptim i qytetarëve pati ngritje në vitin 2017, AKI kishte një ngritje të lehtë të besimit. Besimi i të anketuarve ndaj AKI-së ishte për 5 pikë të përqindjes më i lartë krahasuar me një vit më parë ku 22% e qytetarëve i besonin këtij institucioni, përderisa 33 % i besonin deri diku. Në vitin 2018 është vërejtur një rënie e madhe e besimit të qytetarëve në AKI, krahasuar me vitin e kaluar. Këtë vit vetëm 19.8% i besonin këtij institucioni, përderisa 28.5% i besonin deri diku. Për më tepër, vetëm 4% e të anketuarve kanë thënë se i besojnë shumë këtij institucioni. Luhatjet në besim ndaj AKI-së tradicionalisht bazohen në dy drejtime: përceptimi për AKI-në si strukturë e cila ndërlidhet me shërbimet partiake të inteligjencës (të cilat tani më nuk ekzistojne) si dhe një numër i skandaleve që e kanë kapluar agjencinë që nga themelimi. Rënia e sërishme e besimit në 2018 ndërlidhej edhe me skandalin e deportimit të jashtëligjshëm të 6 qytetarëve turq (njëri prej të cilëve gabimisht) e që në media është përmendur angazhimi i AKI-së në funksion të zbaitmit të këtij operacioni. Ky operacion ka pasur impakt të madh publik për vetë faktin se është dëshmuar shkelje e të drejtave të njeriut nga shteti i cili është themeluar në premisa të ndërhyrjes për qëllime humanitare.
Sipas legjislacionit të Kosovës, AKI është një institucion kyç me qëllim të mbledhjes së informacioneve, analizimit dhe minimizimit të rreziqeve të sigurisë nacionale në dëm të shtetit të Kosovës. Vlen të theksohet se me gjithë nivelin jo te kënaqshëm të besueshmërisë, AKI është një institucion i cili ka dëshmuar disa rezultate, së paku ato që njihen publikisht. Si raste pozitive mund të përmenden identifikimi dhe parandalimi i sulmeve të mundshme terroriste. Ekzistojnë dy tentativa për sulmet terroriste ku janë përfshirë luftëtarët e huaj të kthyer. Në një rast të tillë, të njohur si “Rasti i Izraelit”, AKI së bashku me Policinë e Kosovës kishte arrestuar 22 individë të dyshuar për planifikim të sulmit terrorist ndaj ekipit kombëtar të futbollit të Izraelit, gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kupën Botërore, e cila pritej të zhvillohej në Shkodër. Kjo vuri në lëvizje shërbimet partnere përfshirë dhe shërbimin inteligjent të Izraelit (Mossad) i cili asistoi në këtë operacioon. Në rastin e dytë, të njohur si “Rasti i Badovcit,” AKI në bashkëpunim me policinë, kishte arrestuar 5 individë pasi ata po filmonin një video propagandistike të formacionit terrorist ISIS, e cila synonte audiencën e Kosovës dhe atë shqipfolëse.
Megjithatë, për shkak të natyrës që ky institucion ka, jo shumë herë rezultate të këtyre sukseseve i janë atribuuar këtij institucioni. Rrjedhimisht, duhet përmendur faktin se qytetarët kanë mungesë të njohurive për aktivitetin operacional të AKI-së, për shkak të natyrës së operacioneve të cilat janë të klasifikuara. Kjo objektivisht e pamundëson këtë institucion të promovojë punën e saj në publik edhe atëherë kur ka rezultate. Megjithatë, natyra diskrete e këtij institucioni nuk e ndalon atë ta ngrejë nivelin e performancës dhe të eliminojë skandalet të cilat e kishin kapluar. Vetëm në këtë formë do të rritej besueshmëria publike dhe do të kishim një agjenci inteligjente llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe taksapaguesve. Në të kundërtën AKI do të vazhdojë së sfiduari nga niveli i ulët i besimit publik.
—-
“Ky shkrim publikohet ne kuadër te programit Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) të përkrahur nga National Endowment for Democracy (NED). Sidoqoftë, mendimet e shprehura në këtë shkrim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e fondacionit NED. ”