Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si të shpëtojmë jetë fëmijësh dhe nënash?

Menjëherë pas luftës në Kosovë, 29 foshnje në 1000 lindje humbnin jetën çdo vit – numër ky që tejkalonte normat evropiane. Arsyet e vdekshmërisë silleshin prej mungesës së pajisjeve e medikamenteve esenciale, mungesës së protokolleve klinike, kapacitetit të stafit mjekësor, kualitetit të shërbimeve shëndetësore e deri tek njohuria e kufizuar e nënave për lindje të shëndosha.

Shumë organizata të huaja, institucione vendore e partnerë filluan ta adresojnë këtë shifër alarmante në vendin tonë. Ndër këto nisma, themelohet edhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë si fondacion humanitar në vitin 2009 dhe e fillon programin e parë të quajtur surfaktant.

Surfaktanti është një medikament që ndihmon në zhvillimin e mushkërive tek foshnjet e parakohshme dhe rrjedhimisht ndihmon që ato të mbijetojnë. Kosovës i duhen rreth 250-300 shishe çdo vit për të mbuluar nevojën, vlera monetare e së cilës është dikund rreth 200-250,000 dollarë. Ne siguruam partneritete në ShBA që Kosova të jetë në listën e vendeve që do të kualifikohen për ta marrë këtë medikament dhe qysh atëherë filluam të sjellim sasinë e nevojshme vjetore. Çfarë ndodhi pas kësaj? Shifrat filluan të bien – foshnjet nuk vdisnin më. Së paku jo për shkak të mungesës së surfaktantit.

Një strategji që e përdornim dhe vazhdojmë ta përdorim është monitorimi i indikatorëve të shëndetësisë së popullatës. Në këtë mënyrë identifikojmë ku duhet të intervenohet që të përmirësohet gjendja. E gjithë kjo punë bëhet me një bashkëpunim korrekt dhe transparent me stafin mjekësor të Klinikës së Neonatologjisë, Gjinekologjisë e Pediatrisë në QKUK dhe spitalet rajonale, varësisht nga lokacioni i projektit, si dhe institucionet e tjera shëndetësore.

Duke analizuar indikatorët, vitin e kaluar kuptuam që stafi apo prindërit duhet të nxjerrin shumë foshnje prej inkubatorit për t’u bërë analizat e gjakut, gjë që  përkeqësonte gjendjen shëndetësore të foshnjeve. Rrjedhimisht, fondacioni ngriti të holla që të blihet pajisja e quajtur CRP e cila tash mundëson që analizat e gjakut të kryhen pranë inkubatorit, pa peripeti. Në të njëjtën mënyrë vazhduam me blerjen e inkubatorëve, fotollampave, pajisjeve të oksigjenit e tjera për të siguruar mjete bazike të shpëtimit të foshnjeve.

Në vitin 2012, kur shkaktar i vdekshmërisë së nënave dhe i fëmijëve nuk ishte më vetëm mungesa e medikamenteve dhe pajisjeve esenciale, fondacioni zgjeroi misionin e tij në atë që punon sot.

Derisa programet e blerjes së pajisjeve dhe i medikamenteve mjekësore vazhdojnë edhe sot, barrës sonë i është shtuar edhe: edukimi i grave dhe i vajzave rreth shtatzanisë, dhe kujdesit për lindje të shëndoshë; ndërtimi i kapaciteteve të personelit mjekësor në komunikimin mjek-pacient dhe në ofrimin e shërbimeve ku pacienti është në qendër të tyre; hulumtimet dhe avokimet mbi politikat shëndetësore që të sigurohemi që ato bazohen në evidencë; si dhe intervenimi në sisteme shëndetësore për të ngritur kualitetin e shërbimeve për nënat dhe fëmijët e Kosovës.

Së fundi, si shembull konkret, e kemi nisur pilotimin e kontrollave të rregullta të grave e vajzave me Pap-teste, metodë kjo për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, dhe sot komuna e Prishtinës e vazhdon shërbimin pa pagesë si shërbim të rregullt ambulantor.

Shembull tjetër i punës sonë drejt shpëtimit të foshnjeve është edhe ndërtimi i sistemit të transportit neonatal, që mundëson transportin e foshnjeve nga spitalet rajonale për kujdes intensiv në Prishtinë. Poashtu, kemi hapur për herë të parë në vend edhe qendrat moderne informuese për shëndetin e gruas që ofrojnë konsulta rreth shëndetit riprodhues, shtatzënisë, lindjes, e kujdesit ndaj fëmijës. Të gjitha këto modele ndikojnë që sistemi shëndetësor të përmirësohet dhe ajo shkalla e vdekshmërisë me të cilën e masim suksesin të ulet sa më shumë.

Sot, shkalla e vdekshmerisë se foshnjeve ka rënë në rreth 11/1000, rreth 300 foshnje çdo vit e përdorin barin e surfaktantit, 25 foshnje çdo ditë shfrytëzojnë sistemin e oksigjenit, rreth 2000 gra në vit ndjekin orët për shtatzëna në Qendrat Informuese rreth Kosovës, rreth 1500 gra e vajza kanë përfituar nga Pap-testet pa pagesë, dhe udhëheqim 7 programe nacionale. Të gjitha këto me synimin e shpëtimit të jetës së nënave e fëmijëve në Kosovë. Kontributi vjetor në sistemin tonë shëndetësor, përfshirë atë financiar e jofinanciar (in-kind) arrin në rreth 450,000 euro çdo vit.

Paralel punës sonë direkte ndaj misionit, një pjesë e madhe e energjisë na shkon në kultivimin e një mentaliteti të dhënies në komunitet (giving back) tek individët, koorporatat, e financuesit e tjerë. Pra, një mentalitet ku secili nga ne e ndiejmë një lloj obligimi të kontribuojmë në fondacionet humanitare që po kryejnë punë në emër të të gjithë komunitetit. Në punën tonë bizneset, diaspora, individët, qeveria, ministritë, e punonjësit shëndetësorë janë pjesë e suksesit – fundja misioni i fondacionit është në interes të secilit prej nesh.

Në udhëheqjen e fondacionit për 4 vite tashmë, kam mësuar që suksesi i organizatave varet shumë sa kanë mision të matshëm dhe aktual, sa kanë staf profesional, vizionar, e energjik, si dhe sa kanë mekanizma të raportimit transparent ndaj donatorëve dhe kultivimit të marrëdhënieve me ta.

Nuk ka demokraci nëse s’ka shoqëri civile të fortë dhe nëse zëri i komunitetit nuk dëgjohet. Nisur në këtë koncept edhe fondacioni punon në fuqizimin e partneriteteve dhe rolit ndikues në ndryshim të sistemit. Në ditët e sotme, kur mbështetja e organizatave dhe ndihmës së huaj po zvogëlohet dita-ditës, nevoja për misione e organizata serioze vendore është e pashmangshme.

Ndonëse sot shënohet shkallë më e ulët e vdekshmërisë së nënave e fëmijëve, fatkeqësisht vazhdojmë të kemi ndër më të lartën në rajon dhe pothuajse Evropë, dhe beteja s’ka përfunduar ende. Dita ditës rritet nevoja për medikamente e pajisje cilësore, për politika më të mira shëndetësore, si dhe për iniciativa që shpëtojnë jetë duke ngritur kështu cilësinë e shërbimeve shëndetësore në vendin tonë.

Shëndeti i nënës e i fëmijës vazhdon të jetë prioriteti kryesor i agjendës ndërkombëtare, posaçërisht i Kombeve të Bashkuara, si dhe i agjendës së qeverisë së Kosovës. Sistemi shëndetësor tek ne, e në veçanti shëndeti i nënës dhe i fëmijës, vazhdon të ketë sfida: shumë nëna e fëmijë vdesin në mungesë të një shërbimi cilësor, apo nga sëmundje që lehtë mund të parandalohen. Gjithashtu, investimi në shëndetin e nënës dhe të fëmijës lidhet ngushtë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Faktet tregojnë sesi fëmijët që lindin të shëndetshëm kanë më shumë aftësi të të nxënit në shkollë. Fëmijët janë e ardhmja e tregut të punës dhe e zhvillimit të vendit. Të gjitha këto argumente e shtojnë më tepër rëndësinë e punës së Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

Në këtë rrugëtim tonin, ne motivohemi nga pasioni dhe rëndësia e angazhimit të qytetarëve për të kontribuar drejt zhvillimit të vendit, aty ku dhe sa mundemi. Këtij rrugëtimi tonë çdo ditë i bashkangjiten mbështetës duke dhuruar financiarisht, duke shpërndarë sukseset tona përmes rrjeteve sociale, duke u angazhuar si vullnetarë, duke u bërë miq të fondacionit që ngrisin fonde për këtë kauzë, apo duke treguar tek të tjerët që kanë dëgjuar për ne. Kjo besoj është më e pakta që mund të bëjmë për më të dashurit tonë: nënat e fëmijët.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.