Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Përkufizimi i kufirit – bllofi i radhës që mund ta kompromentojë dialogun

Lidhur me marrëveshjen me “shqiptarët”, pala serbe vazhdon të paraqitet me  dy teza bosht: “ndarja” të cilën e propagandon ministri i jashtëm Daçiq dhe “Nevoja e përcaktimit të kufirit” të cilën e ka përzemër Presidenti Vuçiq.  Këtë javë Vuçiq deklaroi se: “Termi përkufizim i kufirit do të thotë që kemi kufij mes shqiptarëve dhe serbëve e që sot nuk e dijmë ku janë. Pyetja ime është ku janë ata kufij, aty ku themi ne apo aty ku thonë shqiptarët? Askush në botë nuk e di saktë ku janë këta kufij”!

Siç shihet, në kontinuitet Vuçiq nuk përmend fare kufij midis të Kosovës e Serbisë, por “kufij me shqiptarët”. Këtu shihet se atij ende nuk i është  shëruar sindromi i etnocentrizmit që solli aq shumë tragjedi në procesin e shpërbërjes së ish Federatës Jugosllave. Ai do përkufizim etnik që nënkupton, ndarje, zhvendosje dhe patrim etnik. Prapa kësaj teze në të vërtetë del e tejdukshme intenca e tyre që në këtë mënyrë dhe nëpërmjet procesit të negociatave ta prezantojnë situatën me Kosovën, të paqartë dhe fluide edhe rreth kufijve e edhe rreth statusit. Qëllimi është që të korrigjohen realitetet e reja në Ballkan, pjesë e të cilave, ndër më të rëndësishmet është shteti i pavarur i Kosovës.  Vuçiq dhe ekipi i tij tentojne të krijojnë një situatë se gjoja gjithçka, e duke përfshi edhe territorin e Kosovës “është e paqartë!” Ndaj ai thotë “duhet të përkufizohemi me shqiptarët”.  Në këtë proces ata do të vijnë edhe me shumë kërkesa të reja e të vjetra për ta mjegulluar faktin se bisedimet nuk janë për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve por për zgjidhjen e çështjes së  Kosovës e që sipas tyre nënkupton “statusin e Kosovës”. Nëpërmjet kësaj loje ai do të kthehet tek statusi.  Nëse deri tani ne kemi menduar se mjafton se ne e dijmë çfarë duam nga negociatat, tani e tutje mendoj se kjo nuk mjafton. Edhe Serbia edhe ndërmjetësuesi duhet ta kuptojnë se tendencat e tilla do ta kompromentojnë dialogun në pakthim.

Përndryshe Vuçiq  sigurisht e di atë që bëhet se nuk e di dhe që është bërë e qartë në dokumente valide ndërkombëtare. Në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, kufijtë administrativë të njësive federale janë shndërruar, sipas parimit kadastral, në kufij shtetërorë midis shetetve që kanë dalë nga shpërbërja e ish Federatës Jugosllave (Shih Propozimi i Badinterit dhe Plani i Ahtisarit). Ai do të “harrojë” gjithçfarë solli realitete të reja dhe nëse mundet t’i injorojë ato dhe të startojë nga vitet ’90 (që sipas tij ishin “një politikë e mirë, po nuk mundi të realizohet”)!

Dhe për mos t’u ndalur, ai vazhdon ta bëjë edhe më shumë të tejdukshëm qëndrimin e tij: “Kemi një qëndrim hipokrit të bashkësisë ndërkombëtare në të cilin nuk kanë rënë amerikanët. Ky qëndrim thotë se gjoja ndryshimi i kufijve, të cilët nuk e dinë ku janë por mendojnë për kufijtë e Kosovës së pavarur, hap kutinë e Pandorës. Po pse atëherë e keni hapur në vitin 2008, në vitin 2006 apo në vitet e 90-ta duke e shkatërruar Jugosllavinë? Çfarë keni bërë kështu?”
Ai bën se nuk e di se shpërbërja e një shteti, në këtë rast e ish Federatës Jugosllave, erdhi si rezultat i tendecës së etnocetrizmit për dominim që kryesisht promovohej me të madhe në Serbi. Dhe se kjo shpërbërje i shndërroi kufijtë administrativë, të ish republikave dhe krahinave autonome (përbërësve të saj) të asaj federate, në kufij shtetërorë. Bazë nisëse e bashkësisë ndërkombëtare ishte se pikërisht ndryshimi i atyre kufijve, dhe jo njohja e tyre, do të mund ta hapte kutinë e Pandorës. Kutia e Pandorës nuk u hap edhe me rastin e pavarësimit të Kosovës, ngase u njohën kufijtë e saj administrativë, të garantuar me kushtetutën e RSFJ 1974 (neni 5) dhe në bazë ta saj edhe me dokumente të tjera ndërkombëtare dhe me Vendimin e Gjykatës ndërkombëtare. Ndaj kutia a Pandorës, në fakt, do të hapej nëse këta kufij kontestohen dhe tentohet të ndryshohen. Por edhe kjo është simptomatike. Ndoshta pikërisht nga shkaku se politika “e mirë që nuk mundi të realizohet” e nostalgjia për të nga protagonistë të riinxhinjeruar të asaj politike, tash dikujt po i duhet një “Kuti Pandore”… ku ta dish për llogari të kujt? Ndaj do të ishte mirë që loja me fjalë e diskurse rreth kufijve të ndërpritet në të dy anët në Serbi dhe në Kosovë. Serbia duhet t’i njohë realitetet e reja në rajon dhe  Kosovën e pavaurur, në kufijtë e saj legjitimë, si vend fqinj. Minoritetet në dy të vendet duhet të gëzojnë të drejta civile dhe nacionale sipas standardeve më të larta. Serbia duhet të ndërpresë obstrukcionet e saj për antarësim në OKB dhe organizata të tjera që po vazhdon me intensitet të shtuar edhe përkundër marrëveshjes në Bruksel. Dhe mbi këtë bazë pastaj, pas antarësimit të Kosovës në OKB, me marrëveshje të dyanshme, të të dy vendeve, mund të bëjnë korrigjime e përshtatje, aty ku është në interes të qytetarëve të tyre, por të liruar nga etnocentrizmi. Ky do të ishte një solucion vetëm nëse zbehet perspektiva europiane e rajonit, përndryshe nëse të dy vedet hyjnë në BE, kjo sipas të gjitha gjasave nuk do duhej të shtrohej si problem as në të ardhmen.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.