Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Aktet e Helsinkit, opinionet e Badinterit dhe kufijt?

Aktet e Helsinkit, opinionet e Badinterit dhe kufijt?

Janë dy argumente kryesore me të cilat shtetet mbështetëse të Republikës së Kosovës justifikuan shpalljen e pavarësisë së saj nga Serbia. I pari është argumenti se nuk ishte e mundur më që Kosova të akomodohej dhe riintegrohej brenda Serbisë. Argumenti i dytë bazohej në pohimin se Kosova ishte një rast sui generis.

Argumenti i dytë ishte shumë i rëndësishëm për të menaxhuar kaosin potencial që do të mund të çlironte pavarësia e Kosovës. Sipas këtij argumenti rasti i Kosovës ishte unik në politikën ndërkombëtare dhe si i tillë nuk mund të aplikohej në të tjera situata. Si pasojë, rajone dhe popuj të tjerë nëpër botë nuk mund t’i arsyetojnë ambiciet e tyre për pavarësi duke u bazuar në rastin e Kosovës.

Ndërkohë, janë katër argumente kyçe në narrativën e mbështetësve të idesë se Kosova është rast sui generis. I pari është statusi autonom që Kosova e kishte në kuadër të ish-Jugosllavisë. I dyti është shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut që Serbia dhe ish-Jugosllavia u shkaktuan kosovarëve. I treti është periudha e administrimit të UNMIK-ut. I katërti dhe i fundit nga argumentet dominante është se përmbajtja e Rezolutës 1244 nuk e përjashtonte pavarësinë nga skenaret për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Kjo rrëfenjë për Kosovën është kontestuar vazhdimisht nga kundërshtarët që procesin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia e shohin si precedent të rrezikshëm që mund të shkaktojë shumë konflikte në pjesë të ndryshme të botës.

ShBA-të dhe vendet kryesore të BE-së mbrojtën idenë se Kosova është një rast unik me të cilin nuk mund të barazohet asnjë rajon apo popull në botë. 5 vendet e BE-së: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro e shohin Kosovën si precedent që mund t’ua rritë ambiciet secesioniste rajoneve të ndryshme në këto vende.

Çështja e precedentit të mundshëm po përmendet edhe në debatin që është ngjallur rreth ndryshimit të mundshëm të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje mes tyre.  Ashtu sikur për pavarësinë e Kosovës, nuk ka konsensus as rreth ideve për ndryshim të kufijve.

Madje, kësaj radhe kundërshtitë janë bartur brenda shteteve që kanë qenë njëzëri pro pavarësisë. Përkrahësit e kësaj ideje besojnë se një marrëveshje e tillë nuk është precedent negativ për vendet e rajonit, ndërkohë që kundërshtarët thonë se ndryshimi i kufijve është i rrezikshëm dhe mund ta destabilizojë gjithë rajonin.

Ashtu sikur pavarësia e Kosovës, as marrëveshja për ndryshimin e kufijve nuk është precedent. Është sui generis sikur marrëveshja. Por nëse domosdoshmërisht është precedent, atëherë kjo marrëveshje mes dy vendeve, nëse arrihet, do të mund të ishte një precedent pozitiv që potencialisht do t’i jepte fund praktikës së ndryshimit të kufijve vetëm nëpërmjet luftërave dhe njëanshëm.

Deri më tani kufijtë janë ndryshuar përmes agresionit, konfliktit dhe në mënyrë unilaterale. Ndryshimi i kufijve përmes një marrëveshjeje që ratifikohet në dy kuvendet e shteteve dhe merr legjitimitet demokratik brenda tyre do të përbënte një shkëputje nga kjo paradigmë.

Madje nëse shikohet më thellë, ideja për ndryshimin e kufijve nuk del përtej kornizave që kanë rregulluar mënyrën e të menduarit mbi kufijtë dhe organizimin e tyre. Aktet e Helsinkit, një nga ngjarjet e rëndësishme rreth qasjes mbi kufijtë, nuk parandalojnë ndryshimin e kufijve në mënyrë paqësore.

Diplomati i njohur britanik Robert Cooper, së fundmi, e përmendi këtë fakt dhe konstatoi se Akordet e Helsinkit lejojnë ndryshimin e kufijve me marrëveshje nëse respektohet ligji ndërkombëtar. Pika e tretë e këtyre akordeve u referohet direkt kufijve dhe siguron se “kufijtë nuk duhet të dhunohen”. Pika e pestë thotë që kontestet duhet të zgjidhen vetëm në mënyrë paqësore. Askund nuk ndalohet ndryshimi i kufijve në vete. Në terma ligjorë, ajo që nuk është e ndaluar, është e lejuar.

Marrëveshja potenciale mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte precedent për shtetet që duan t’i ndryshojnë kufijtë me marrëveshje paqësore e demokratike dhe përmes respektimit të ligjit ndërkombëtar, e jo për lëvizjet e rajonet me aspirata separatiste që duan t’i lëvizin kufijtë në mënyrë të njëanshme, të dhunshme dhe kundër ligjit ndërkombëtar.

E njëjta vlen edhe për opinionet e Komisionit të Badinterit që ishte mbledhur për të zgjidhur dilemat rreth shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Komisioni në opinionin e tretë që adreson çështjen e kufijve për vendet e ish-Jugosllavisë thotë që kufijtë mund të ndryshohen nëse republikat pajtohen për një gjë të tillë.

Këto janë fakte të ligjit ndërkombëtar dhe janë përdorur nga Komisioni i Badinterit për të zgjidhur çështjen e kufijve të shteteve që po formoheshin nga shpërbërja e Jugosllavisë. Në këtë kuptim, ndryshimi i kufijve në vete nuk ka qenë problemi. Është ndryshimi i dhunshëm dhe në mënyrë të njëanshme dhe njohja e tyre e mëpastajme ajo që përbën rrezik për stabilitetin rajonal dhe kontinental.

 

Është e kuptueshme që ajo e cila lejohet legalisht nuk është domosdoshmërisht e rekomandueshme politikisht, për shkak të pasojave që mund të prodhohen në terren. Mirëpo meqenëse rrethanat politike ndryshojnë, ndodh që konventat ta humbin taktin dhe të mos arrijnë ta mbajnë hapin me dinamikat e realitetit politik.

Aktet e Helsinkit në prapavijë kanë pasur një sistem bipolar ndërkombëtar, i cili është tejkaluar me rënien e Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtën kohë, as opinionet e Badinterit nuk rezonojnë tërësisht me rrethanorët e sotëm. Ato opinione janë artikuluar në kohën kur ish-Jugosllavia ishte në shpërbërje e sipër, ndërkohë që tashmë Jugosllavia nuk ekziston më. Madje, po t’u qëndronim besnikë opinioneve të Badinterit, Kosova nuk do të mund të shpallte pavarësinë e saj. Vetë ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur, është dëshmi se opinionet e Badinterit nuk janë vetëm të vjetra, por edhe të vjetruara.

Pra jemi në një kontekst post-jugosllav ku matrica që rregulloi dekompozimin e ish-entitetit jugosllav nuk mund ta përmbajtjesojë horizontin e tanishëm. Standardet që organizonin rendin politik në atë kohë janë pothuajse të skaduara. Ato sot shërbejnë më shumë si resurse konceptuale në të cilat mund të grimcohet për të justifikuar procese të sotme sesa si ide koherente.

Në këtë artikull u nënvizuan konventa të së kaluarës për të treguar se ato nuk janë mjaftueshëm potente për t’u imponuar si korniza konceptuale për të artikuluar sfidat aktuale. Andaj derisa duhet të referohemi në to është poashtu e domosdoshme të dilet përtej tyre në mënyrë që të gjejmë zgjidhje kreative për problemet me të cilat përballemi.

Kjo nuk do të thotë që marrëveshja duhet të arrihet dosido në këto linja, por që të ketë më tepër fleksibilitet përballë propozimeve të reja dhe më pak dogmatizëm në raport me idetë e papërditësuara. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë debat racional rreth kësaj çështjeje jashtëzakonisht të rëndësishme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.