Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Plani për arsim i Qeverisë së Re

Illustration: Big Eye

Në mars Kosova bëri një tranzicion të paprecendent me qeverinë e re të Vetëvendosjes, parti e cila fitoi 50.2% të votes- shumicën- duke fituar përqindjen më të madhe të votës në historinë e re të Kosovës. Me këtë rezultat Vetëvendosje dhe Lista Vjosa Osmani kanë një mandat për të qeverisur çdo ministri, përveç atyre që udhëhiqen nga partitë e komuniteteve jo-shumicë. Rrjedhimisht, për qeverinë e re ka pritje të mëdha që ajo të sjellë ndryshime, sidomos kur presupozimi dhe përshtypja e përgjithshme është se prej kohës së pavarësisë ka pasur ngecje në zhvillim, dhe kjo ngecje më së miri reflektohet në sistemin e arsimit. Një nga ministritë prioritare, gjithsesi, do të jetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës—e cila ka parë shumë tranzicion, akuza për keqmenaxhim dhe korrupsion, si dhe ka mbikëqyrur një sistem arsimor i cili për fat të keq është një nga performuesit më të dobët në botë. Ky artikull analizon planin e “Lëvizjes Vetëvendosje” për arsimin, si dhe ofron sugjerime për reformën e nevojshme tani.

Ndryshimet e propozuara në arsim

Prioriteti i qeverisë në arsim është të sigurojë që sa më shumë fëmijë të përfshihen në arsimin e hershëm; kjo është jetike për të siguruar një sistem të fortë arsimor; sa më herët që një fëmijë të shoqërohet me fëmijë të tjerë dhe të fillojë të mësojë, aq më mirë. Plani specifikisht e përmend përdorimin e objekteve shkollore të pashfrytëzuara si dhe ndërtimin e objekteve të reja. Buxheti i arsimit është i konsiderueshëm, dhe alokimi i buxhetit si dhe mirëmenaxhimi i tij duhet të jetë prioritet gjithashtu. Kjo do të lehtësojë koston për të siguruar që familjet me të ardhura të ulëta të kenë qasje falas në arsimin e hershëm—një ndryshim shumë inkurajues i propozuar në plan dhe që është thelbësor për të siguruar barazinë arsimore.

Një ndryshim tjetër i propozuar nga qeveria e re përfshinë largimin e notimit diferencial (1-5) për fëmijët para klasës së pestë. Plani thotë se duhet të ketë më shumë theks në vlerësimin formativ ose një vlerësim të progresit përmes metodave të ndryshme. Në një fazë të hershme të të mësuarit kjo është një mënyrë efektive për të diferencuar mësimin dhe për t’u përqëndruar në zhvillimin e fëmijeve bazuar në pikat e forta të tyre, jo në pikat e dobëta.

Më tej, platforma qeveritare planifikon që logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik të jenë pjesë e praktikave të mësimdhënies në të gjitha nivelet. Në fund, kjo platformë bën thirrje për një lëvizje graduale drejt dixhitalizimit dhe drejt klasave të së ardhmes. Mirëpo, ky aspekt i planit nuk është zhvilluar thellësisht dhe nuk paraqet një përkufizim se si mund të duket ‘klasa e së ardhmes’. Sot, me mësimin përmes memorizimit dhe stilin e mësuesit në qendër të klasës, Kosova vazhdon të përdorë metodat e së kaluarës për mësimin në klasë.

Investimet në cilësinë e arsimit

Platforma arsimore pretendon se një parakusht për përmirësimin e cilësisë së arsimit është mbështetja e zhvillimit profesional të mësuesve. Si pikënisje, kjo sigurisht që është e vërtetë. Sidoqoftë, gjatë dy dekadave të fundit miliona euro janë investuar në zhvillimin profesional por kanë dhënë vetëm pak rezultate. Një temë kryesor që duket se i mungon këtij plani është një metodologji efektive e vlerësimit të mësuesve. Plani adreson idenë e mësuesve që do të marrin shpërblime për performancë të lartë, por nuk thotë asgjë në lidhje me performancën e ulët. Vendimtare për cilësinë e çdo sistemi arsimor në të gjithë botën është vlerësimi efektiv dhe i sinqertë i mësuesve – me pasoja të paracaktuara për performancë të ulët. Nëse Kosova nuk është e gatshme të sfidojë status quo-në dhe ta zbatojë këtë ndryshim, do të jetë e vështirë të shohim një përmirësim dramatik të cilësisë që është jashtëzakonisht i nevojshëm.

Një investim i dytë që qeveria propozon ka të bëjë me arsimin profesional, më konkretisht, ndërlidhshmëria e shkollimit me nevojat ekonomike të Kosovës, si dhe një investim në infrastrukturën shkollore. Pothuajse gjysma e fëmijëve të Kosovës ndjekin shkollat profesionale dhe, në shumë zona, ata kanë stigmën e të qenit nxënës me performancë më të ulët. Përkundrazi, shkollat profesionale kanë një mundësi për t’i rritur aftësitë e të rinjve dhe për të siguruar punësimin e tyre. Me infrastrukturë më të mirë në shkolla ne mund të rrisim punësimin dhe prodhimin ekonomik njëkohësisht—si dhe të krijojmë sektorë krejtësisht të rinjë.

Në nivelin e arsimit të lartë, sugjerohet një rishikim i politikave që e sigurojnë cilësinë e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë. Përsëri, me një sasi të konsiderueshme të shembujve të dokumentuar dhe të padokumentuar të parregullsive në nivelin e arsimit të lartë, ky është një hap i domosdoshëm për të siguruar arsim cilësor. Kosova ka shumë të rinjë të diplomuar dhe një problem më pak i përmendur sesa niveli i papunësisë është se të diplomuarit tanë nuk po pajisen me aftësi të shekullit 21.

Ndryshimi sistemik është i domosdoshëm

Ndonëse shumë nga ndryshimet e propozuara në planin e qeverisë për arsimin janë pozitive, ato dështojnë të adresojnë ose të përmendin shumë prej çështjeve sistematike që e pengojnë arsimin në vend. Për disa nga këto ndryshime të nevojshme kam shkruar këtu dhe ato përfshijnë: nevojën e lartpërmendur për vlerësimin e mësuesve, ndryshime në procesin e rekrutimit të mësimdhenësve, rritjen e njëkohësishme të llogaridhënies dhe të autonomisë së shkollave dhe një ristrukturim i shkollave bazuar në lëvizjen e popullsisë dhe në numrin e nxënësve në klasa—të cilat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike në vitet e fundit.

Në përgjithësi, është e pamundur të arrihet përmirësimi dramatik që i nevojitet arsimit pa i adresuar disa nga sfidat kryesore sistematike. Ndërsa plani qeveritar është vetëm fillimi, ai duhet të fillojë të trajtojë disa çështje më strukturore nëse ne dëshirojmë të shohim përmirësimin e premtuar dhe të nevojshëm.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.