Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kthimi në të shkuarën: rendi liberal dhe struktura e sistemit ndërkombëtar – Pjesa III

Kthimi në të shkuarën dhe Joseph Biden

Konsiderohet se me ardhjen e Joseph Biden në pushtet, qysh në ditët e para të punës, ai do të shfuqizojë shumë vendime dhe të stopojë disa procese me qëllim që të rikthejë jo pak trende që janë rezultat i politikës dhe i metodave jokonvencionale të “bilateralizmit transaksional” të aplikuar nga Presidenti Trump. Pikëpamjet e tij në politikën e jashtme Biden i ka shprehur qartë dhe zëshëm në një artikull autorial të botuar në edicionin mars/prill 2020 të revistës “Foreign Affairs”. Ai konstaton se – gati në të gjitha parametrat – kredibiliteti dhe ndikimi i ShBA-së në nivel global është shkërmoqur keqazi qyshkur Presidenti Obama liroi zyrën. Ai akuzon Presidentin Trump se i ka kthyer shpinën aleatëve tradicionalë duke i sulmuar ata pa takt dhe, në të njëjtën kohë, ka abdikuar nga lidershipi global për të mobilizuar shtetet mike për veprime kolektive me qëllim të ballafaqimit më të lehtë me sfidat dhe kërcënimet e kësaj epoke. Biden premton se me ardhjen në pushtet do ta rinovojë demokracinë amerikane dhe aleancat e dëmtuara me partnerët strategjikë, do mbrojë të ardhmen ekonomike të vendit dhe kështu do bëjë të mundur që ShBA-të, sipas tij, të udhëheqin sërish me botën. Ai premton se ShBA-ja do t’i rikthehet multilateralizmit dhe raporteve të ngushta transatlantike dhe se administrata e tij do lartësojë diplomacinë për t’i mundësuar atij dhe shtetit që të drejtojë përmes “fuqisë së shembullit” në vend të “shembullit të fuqisë”. Ndër zotimet e tij më të zëshme gjatë fushatës ishin edhe rikthimi i menjëhershëm i ShBA-së në shumë institucione dhe organizata multilaterale si: Marrëveshja e Parisit për Klimën, apo edhe rianëtarësimi i ShBA-së në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Këto ide politike filluan të marrin formë dhe të konkretizohen vetëm një javë pas zgjedhjeve presidenciale. Shumica e ekipit të ngushtë të propozuar nga Biden janë persona që kanë bashkëpunuar me të ndër vite, sidomos gjatë administratës të Presidentit Obama. Duke qenë të tillë, kjo administratë pritet të propozojë politika dhe koncepte të ngjashme kundër të cilave Trump kishte garuar. Kthimi i njerëzve të njëjtë nënkupton se edhe pikëpamja e njëjtë e politikës së jashtme do të rikthehet. Megjithatë, përkundër premtimeve elektorale, deklarimeve publike dhe planeve qeverisëse, konsideroj se Joseph Biden e ka pothuajse të pamundur të ndjekë një politikë të jashtme transformuese, siç mund të pritet nga dikush. E shumta që do të bëjë është të fokusohet në një politikë restauruese. Kjo do të ndodhë për shkak të ndryshimeve strukturore në sistemin ndërkombëtar që janë pasojë e modifikimeve në balancin e fuqisë.

Edhe pse, në pamje të parë, krijohet përshtypja se Trump dhe Biden janë krejt të ndryshëm sa i përket konceptit për botën dhe sfidat me të cilat përballet ShBA-ja në nivel global, megjithatë këto këndvështrime pikë-prekën në një element të rëndësishëm. Biden, ashtu si edhe Trump, e konsideron Kinën si rivalin kryesor me të cilën ShBA-ja do të garojë dhe konkurrojë në pjesën më të madhe të këtij shekulli. Në fakt, është pikërisht rritja e Kinës që e bënë të pamundur ruajtjen e rendit liberal ndërkombëtar, ashtu siç e kemi njohur, le të themi, deri më vitin 2016. Kjo ndodh për shkak të efekteve strukturore që ka në sistemin ndërkombëtar ngritja e një shteti më fuqi të madhe ekonomike dhe zotësia e projektimit të këtij potenciali ekonomik në fuqi ushtarake, diplomatike dhe kulturore, që është e përafërt me atë të shtetit që e ka dominuar sistemin deri në atë moment. Kjo situatë automatikisht e riformaton polaritetin ndërkombëtar. Si rezultat, ShBA-të obligohen, pa marrë parasysh se kush është në Shtëpinë e Bardhë, që të fokusohet në politikën e balancimit të fuqisë kineze. Sepse me alternimin e polaritetit ndërkombëtar, nga ai unipolar në atë bipolar apo edhe multipolar, ekzistenca e rendit liberal ndërkombëtar vështirësohet deri në plasaritje. Ky rend bëhet i mundur vetëm kur sistemi udhëhiqet nga një pol dominues, me qëllim ky pol të jetë edhe fuqi liberale. Prandaj është iluzore të mendohet se gjendja në sistemin ndërkombëtar do të kthehet në të shkuarën. Rritja e Kinës shpërfaq shtrëngesat strukturore në sistem. Në këtë konstelacion forcash vlerat e rendit liberal ndërkombëtar do të konsiderohen sekondare, sepse gara në mes të shteteve – si postulat kryesor i raporteve ndërshtetërore – do rikthehet të marrë primatin.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.