Ndërkohë që ngushëllojmë dhe bashkëndiejmë me viktimat e sulmeve terroriste, ndërkohë që dënojmë krimet e tmerrshme në Paris, në Kabul, në Vjenë dhe kudo tjetër…
A kemi ne përgjegjësi për Kujtimin? Disa thanë se përgjegjësia jonë lidhet me harrimin e kombit, paskemi të bëjmë me zvenitje të identitetit kombëtar. Edhe mundet, nuk e di. Por, çfarë dihet me siguri është përmasa globale e fenomenit. Për bindjen time, më i rëndësishëm është fakti që ai është emigrant i rritur në Perëndimin e një dinamike të panjohur më parë. Dinamikë kjo ku ndërveprojnë shpejt dhe lehtë gjeopolitika, kushtet socio-ekonomike, kultura e teknologjia etj.
Duhet refuzuar me përbuzje çdo lexim që i futë kulturat në llogore: lindori i prapambetur, perëndimori i përparuar; lindori despot, perëndimori demokrat. Përbuzës është ligjërimi orientalist i lindur e i zhvilluar në Perëndim, ligjërim që projekton tjetrin lindor përkundër vetes. Ky lloj ligjërimi ka qenë ngaherë shoqëruesi diskursiv i kolonializmit. Por, teksa e themi këtë duhet pasur kujdes nga patronizimi. E shkuara kolonialiste e Perëndimit nuk e shterr diskutimin. Kështu thjesht do ta vazhdonim tjetrin lindor që është prapë i përcaktuar prej nesh në Perëndim. T’ia njohësh tjetrit mundësinë për të qenë i fajshëm është njohje e subjektivitetit. S’duhet harruar ta zëmë që një hov shumë të madh të ekstremizmave fetarë ua jep lufta për dominim rajonal midis Arabisë Saudite, Iranit e Turqisë. Kjo luftë në kuptimin vleror është luftë për modelin përfaqësues të Islamit. Ta zëmë, historia tregon se rryma wehabi e ka marrë një hov të madh pikërisht pas Revolucionit Islamik në Iran, si pasojë e të cilit monarkitë sunite po rrezikonin të delegjitimoheshin. Përgjigja wehabiste është përgjigja ortodokse për përkushtimin mbi Islamin. Kjo luftë, vazhdon sot e kësaj dite. Ndërkohë që po flasim, kjo lloj lufte po e shkatërron Jemenin.
Erdogan dhe Macron kanë nisur një “luftë qytetërimesh”. Për një moment na duket sikur po komunikon Franca jakobine apo iluministe, me Stambollin e pushtuar nga Sulltan Mehmeti. Asnjëra nuk është e vërtetë. Turqia nuk mund të kthehet, nuk mund ta zhbëjë Ataturkun, siç është Franca sot larg prej iluminizmit, por s’ka asnjë gjasë të kthehet në Mesjetë. Në fakt, Turqia dhe Franca bëhen të njëjta me njëra-tjetren në pikat e vërteta të konfliktit. Në Greqi rreth burimeve të naftës, në Libi tek zhvillojnë një luftë proxy. Aty i shohim përpjekjet për ndikim imperial. Pak më shumë zhbirim na zbulon se Mbreti i Arabisë Saudite, Muhamed Bin Salman mban anën e Francës kundër Turqisë. Franca qenka edhe furnizuese armësh për shtetin saudit. Kurse ky shtet është shpërndarësi kryesor i versionit radikal të islamit, nëse jo më shumë. Për Francën e Macronit ky është business as usual.
Për mua, përkufizimi më i mirë i gjithçka që ka parë njerëzimi ç’prej sulmeve të 11 shtatorit 2001 është ai që ka dhënë Alain Badiou: “luftë e vdekjes kundër vdekjes”. Terroristët e frymëzuar nga versioni që siç duket vjen më së shumti nga Arabia Saudite mund të besojnë në zotin, por ata sidomos besojnë në vdekjen. Ata nuk besojnë tek bota dhe njerëzit, por tek efekti dhe pasojat e vdekjes. Nuk kemi asnjë dyshim mbi çfarë janë ata. Në anën tjetër, Franca e Charlie Hebdo-s është e huaj për Francën iluministe; Franca e Charlie Hebdo është larg prej Francës që kërkonte dritë përkundër obskurantizmit fetar. Franca e sotme nuk është as Franca e Sartre ose Foucalt, e mendimit pa kufi, që kërkon i etur në secilën skutë të qenies e secilin nivel të ndërgjegjes pengesat e kushtet e përparimit. Franca e Charlie Hebdo është Franca që nuk beson në asgjë. As në vlerat iluministe në emër të të cilave ia kishte hequr kokën mbretit. Franca e sotme është Franca e parasë, shërbëtore e kapitalit financiar dhe fuqi aksesore e ndërhyrjeve ushtarake në Lindje. Është Franca cinike e nihiliste, e dehur në kënaqësinë e konsumit, e hutuar dhe e humbur, pa asnjë trag që kërkon universalitetin-besimin tek një botë, tek njerëzimi si i tillë, tek jeta.
Në luftën e vdekjes kundër vdekjes, toleranca nuk është zgjidhje. Problemi duket më serioz sesa ta kërkojmë shpirtin e bardhë tek palët. Perëndimi thotë: “të drejtat e njeriut për secilin”, por botëkuptimi i shumë emigrantëve të ardhur nga Siria, Iraku apo Afganistani mbi të drejtat e njeriut nuk e përfshin as lirinë e zgjedhjes së partnerit, lërë pastaj marrëdhënien me gruan, lirinë e saj, apo larg qoftë marrëdhënien me seksin e njëjtë. Për të mos vazhduar numërimin, kemi të bëjmë me gjëra të papajtueshme. Shumë lehtë po e zgjidhin këtë punë gardianët e “civilizimit” në Kosovë. Kush nuk e do këtë mënyrë jetese s’ka ç’kërkon në Perëndim. Por nëse vendin e tij e kanë shkatërruar luftërat gjeopolitike ku rol kyç kishte vetë Perëndimi?! Për të mos u keqkuptuar, asnjë kompromis dhe asnjë koncesion me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Por, refugjatët në Perëndim nuk duhet getoizuar; luftërat në Lindje rëndojnë mbi Perëndimin më shumë sesa mbi askënd tjetër.
Kjo luftë fatkeqësisht do të vazhdojë, do të bëhet e përshtatshme dhe e përdorshme për dinamikat elektorale. Lufta e vdekjes kundër vdekjes do të shndërrohet në luftë të frikës kundër frikës. Partitë e qendrës së majtë e të djathtë po i shohim të nguten për ta përvetësuar diskursin e frikës, garancinë e shpëtimit kundër terrorit. Ndryshe, Le Pen e Salvini nuk t’falin. Kështu, saga e nisur më 2001 do të vazhdojë. Gjendja permanente e jashtëzakonshme po e fiton arsyen e vet. Shtetet do të bëhen më shumë vëzhguese e përgjuese, më shumë policore. Në vend se të kërkojmë një Patriotic Act për Evropën, na duhet ta eliminojmë luftën e vdekjes kundër vdekjes. Sepse lufta e vdekjes kundër vdekjes është mungesa e një projekti emancipues nën shënjuesin “barazi”. Për ta afirmuar njerëzimin si të tillë. Në Paris, në Kabul, kudo.